Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Eskalojnë marrëdhëniet Hungari-Ukrainë, Orbani akuzon ukrainasit se ia kërcënuan familjen

viktor Orban

Foto: Associated Press

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka akuzuar ukrainasit se po planifikojnë të sulmojnë familjen e tij, teksa një marrëdhënie gjithnjë e më e ashpër mes Ukrainës dhe Hungarisë vazhdon. 

Orbani dhe aleatët e tij duket se po e përdorin këtë konflikt për përfitim maksimal politik, përpara zgjedhjeve që pritet të mbahen muajin e ardhshëm dhe që mund t’i japin fund sundimit 16-vjeçar të qeverisë së tij nacionaliste.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryeministri hungarez ka publikuar një video të mërkurën në mbrëmje ku pretendohet se ai po fliste në telefon me vajzat e tij.

“Jam i sigurt që do ta shihni në lajme se ukrainasit më kanë kërcënuar jo vetëm mua, por edhe ju”, ka thënë ai, dukshëm i emocionuar. “Fëmijët e mi dhe nipërit e mbesat e mia… Duhet ta marrim këtë seriozisht, por nuk duhet të kemi frikë”, ka shtuar ai.

Orban duket se po i përgjigjej fjalëve të Hrihoriy Omelchenko, një politikan i pensionuar që kishte shërbyer në shërbimin e sigurisë ukrainase “Security Service of Ukraine” në vitet 1990. Ai ka bërë kërcënime ndaj Orbanit në një intervistë televizive më herët gjatë javës.

Më parë, edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte kërcënuar se do t’ua “jepte adresën e këtij personi forcave të armatosura”, duke folur për Orbanin. Sipas raportimeve, këto komente i shtynë aleatët evropianë t’i kërkonin liderit ukrainas të zbusë retorikën e tij.

Orbani ka qenë prej kohësh lideri më pro-rus midis vendeve të Bashkimit Evropian, gjë që ka çuar në marrëdhënie të tensionuara me Kievin zyrtar. Por ndërsa sondazhet e nxjerrin deri në 20 pikë përqindje pas rivalit të tij Peter Magyar, dhe teksa zgjedhjet parlamentare që do të mbahen muajin e ardhshëm po afrohen, fushata anti-Ukrainë në Hungari është intensifikuar ndjeshëm.

Shkaku për tensionet e fundit mes dy vendeve ishte pretendimi i Ukrainës se do të duhen disa javë për të riparuar një tubacion nafte që transporton naftë ruse drejt Hungarisë, i cili u raportua se ishte dëmtuar nga një sulm me dron rus.

Ndërkohë, kryeministri hungarez, Viktor Orban ka urdhëruar të martën që një dërgesë parash dhe ari nga Ukraina, e sekuestruar javën e kaluar nga autoritetet hungareze, të mbahet nga autoritetet deri në 60 ditë ndërsa autoriteti tatimor i vendit heton rastin.

Ari dhe paratë po transportoheshin nëpër rrugë përmes Hungarisë kur u sekuestruan të enjten e kaluar. Autoritetet kanë thënë se dyshonin për pastrim parash.

Sekuestrimi ka zemëruar autoritetet ukrainase, të cilat akuzuan qeverinë hungareze se ka vepruar në mënyrë të paligjshme.

Presidenti Zelensky e ka quajtur veprimin e Budapestit “banditizëm” për sekuestrimin e transportit bankar dhe ndalimin e përkohshëm të ekuipazhit ukrainas.