Botë

Emiratet e Bashkuara dhe Jordania nisin ndihma ajrore mbi Gaza

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania nisin dërgesa ajrore ndihmash mbi Gaza

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Jordania kanë filluar një raund të ri të hedhjes së ndihmave nga ajri mbi Gaza, ka raportuar BBC të dielën.

Më herët ishte raportuar se një dërgesë e tillë pritej të ndodhte në veri të Gazës, në një moment mes orës 12:00 dhe 14:00 sipas orës lokale, sipas një zyrtari nga Emiratet.

Hedhjet ajrore kanë marrë vëmendje të madhe mediatike, shpesh të shoqëruara nga njoftime qeveritare dhe imazhe dramatike të ndihmave që bien nga qielli.

Por, sa ushqim mund të dërgohet realisht në këtë mënyrë? Llogaritjet tregojnë se jo aq sa duhet, nëse mbështetesh vetëm te këto operacione.

Në misione të ngjashme vitin e kaluar, çdo avion transportues C-130 mbante rreth 12,500 vakte ushqimore për çdo fluturim, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komanda Qendrore e SHBA-së. Nuk dihet saktësisht se çfarë përkufizimi përdoret për një “vakt”.

Por, me këtë ritëm, do të nevojiteshin rreth 160 fluturime vetëm për të siguruar një vakt për secilin prej rreth dy milionë banorëve të Gazas.

Duke marrë parasysh që Forcat Ajrore të Jordanisë dhe Emirateve besohet se kanë së bashku rreth 20 aeroplanë të këtij lloji, rriten vështirësitë për ta përdorur këtë metodë si mënyrën kryesore.

Pikërisht për këtë arsye, pjesa potencialisht më e rëndësishme e njoftimit të mbrëmshëm është hapja e të ashtuquajturave “korridore humanitare”. Kjo, nëse funksionon në një mënyrë që lejon futjen e kamionëve me ndihma në Gaza në numra të konsiderueshëm.