Autoritetet meksikane kanë bërë të ditur se për ta gjetur një nga kriminelët më të kërkuar në vend, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, nuk ndoqën paratë apo rrugët e drogës – por partneren e tij, shkruan të martën “New York Times”.
Sipas zyrtarëve, shërbimet e inteligjencës gjurmuan një person të afërt me një nga partneret e “El Menchos”. Ky person e kishte çuar gruan për ta takuar Osegueran në zonën malore të Tapalpa, në shtetin Jalisco, bastion i kartelit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoOperacioni filloi të premten, kur autoritetet arritën të lokalizonin vendin ku ai fshihej. Të shtunën, partnerja u largua nga aty, ndërsa Oseguera mbeti me truprojat e tij. Forcat speciale meksikane nisën planin për kapjen e tij.
Të dielën herët në mëngjes, trupat u futën në zonë. Sapo u zbuluan, “El Mencho” tentoi të arratisej dhe shpërtheu një përleshje e ashpër me armë mes forcave të sigurisë dhe rojeve të tij.
Sipas gjeneralit Ricardo Trevilla Trejo, truprojat ishin të armatosura, me armë të gjata dhe raketahedhës. Në përleshje u vranë disa anëtarë të dyshuar të kartelit.
Forcat speciale e ndoqën Osegueran në një zonë të pyllëzuar, ku ishte fshehur në shkurre. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, ai dhe dy truprojat e tij u plagosën rëndë.
Autoritetet arritën t’i transportonin me helikopter drejt një spitali në Guadalajara, por sipas qeverisë, ai dhe dy rojet e tij vdiqën gjatë rrugës.
Operacioni u mbështet edhe nga shkëmbimi i informacionit me autoritetet amerikane, të cilat ndihmuan në përcaktimin e saktë të vendndodhjes së tij.
Pas publikimit të lajmit për vdekjen e “El Menchos”, shpërthyen përplasje dhe sulme hakmarrëse në disa pjesë të Meksikës. U bllokuan rrugë, u dogjën automjete dhe ndërtesa, ndërsa pati dhjetëra viktima.
“El Mencho” ishte kreu i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jaliscos, një nga organizatat më të fuqishme kriminale në vend, i përfshirë në trafik droge, rrëmbime dhe zhvatje. Për kapjen e tij, SHBA-ja kishte ofruar shpërblim prej 15 milionë dollarësh.
Rivali kryesor i këtij karteli ishte karteli i Sinaloas që dikur udhëhiqej nga “El Chapo”.