Një numër i vogël perëndimorësh kanë zgjedhur të shpërngulen në Rusi, të tërhequr nga ideja e “vlerave tradicionale” dhe një alternative ndaj shoqërive të tyre në Perëndim. Përmes një vize të veçantë të promovuar nga shteti rus, ata kanë ndërtuar jetën e re në një realitet që shpesh ndryshon nga pritjet e tyre fillestare. Disa përballen me vështirësi ekonomike dhe kufizime, ndërsa të tjerë mbeten të ndarë mes idealit që i solli dhe jetës reale që po përjetojnë
Kur Leo Hare u zhvendos në Rusi nga Teksasi në fund të vitit 2023, pasi iu dha azili, ai ishte i bindur se po ndërtonte një të ardhme më të mirë për familjen e tij.
Babai i tre fëmijëve iu përkushtua plotësisht jetës së tij të re: provoi petat ruse (dumplings), milte dhitë në një fermë dhe filmonte video për jetën në Rusi për ndjekësit e tij në internet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLeo është një i krishterë i devotshëm, i cili ishte zhgënjyer nga gjithçka, nga ndarjet politike në SHBA, te ushqimet e modifikuara gjenetikisht dhe ajo që ai e sheh si rritjen e lëvizjes LGBTQ.
Në atë kohë, ai besonte se Rusia ofronte një alternativë tërheqëse: një shoqëri e ndërtuar mbi besimin e krishterë dhe vlerat familjare – një pikëpamje e promovuar fuqishëm nga shteti rus.
Por me kalimin e kohës, ai është bërë gjithnjë e më i shqetësuar edhe për disa elemente, si kufizimet në qasjen ndaj informacionit.
Ai është pjesë e një migrimi të pazakontë. Ndërsa Rusia po përballet me izolim ndërkombëtar, disa mijëra njerëz nga vende si Kanadaja, Britania, SHBA-ja dhe pjesë të Evropës po zgjedhin të shpërngulen atje.
Pikëpamja e tyre për Rusinë ndryshon shumë nga ajo që shumë në Perëndim mund ta kenë: një vend që ka pushtuar Ukrainën dhe mban nën kontroll pjesë të mëdha të saj, burgos kundërshtarë politikë, vendos kufizime të forta mbi liritë civile dhe përballet me sanksione të shumta ndërkombëtare.
Shumë nga këta migrantë tërhiqen nga “Viza e Vlerave të Përbashkëta” e Rusisë, e quajtur ndonjëherë edhe “viza anti-woke”, e cila u prezantua një muaj pas dhënies së azilit për Leon.
E prezantuar nga presidenti Vladimir Putin në vitin 2024, kjo vizë ofron qëndrim të përkohshëm deri në tre vjet për qytetarët e 47 vendeve që Rusia i konsideron “jomiqësore”.
Nuk ka kufi për numrin e aplikimeve dhe aplikantët nuk duhet të kalojnë testet e zakonshme të gjuhës ruse, historisë apo ligjit.
Në vend të kësaj, ata duhet të deklarojnë se ndajnë vlerat tradicionale shpirtërore dhe morale të Rusisë dhe se refuzojnë atë që qeveria ruse e përshkruan si “ideologjinë shkatërruese neoliberale” të vendeve të tyre.
“Viza e Vlerave të Përbashkëta”
Pas tre vjetësh, personat me këtë vizë duhet ose ta kthejnë atë në leje qëndrimi të përhershme, ose të largohen nga vendi. Për lejen e përhershme kërkohet të jepet provim i gjuhës dhe historisë ruse, si dhe dokumentacion më i detajuar.
Ndryshe nga disa programe të tjera migrimi, kjo vizë nuk ofron strehim apo ndihmë financiare nga shteti rus.
Aplikantët duhet të paguajnë një tarifë administrative prej 1.600 rublash (rreth 17 funte ose 22 dollarë) dhe të kalojnë kontrolle mjekësore dhe të të kaluarës kriminale.
Sipas Rusisë, deri në pranverën e vitit 2026 kanë aplikuar rreth 3.400 persona për këtë skemë. Megjithatë, këto shifra vështirë mund të verifikohen në mënyrë të pavarur dhe nuk tregojnë sa aplikime janë miratuar.
Kjo vizë pasqyron një përpjekje më të gjerë të Kremlinit për ta paraqitur Rusinë si mbrojtëse të vlerave tradicionale, në kundërshtim me atë që ajo e sheh si rënie morale të Perëndimit.
Në një dekret të vitit 2022, Putini paralajmëroi se ndikimi ideologjik perëndimor po kërcënonte vlerat ruse, përfshirë martesën dhe familjen tradicionale, dhe bëri thirrje që Rusia të promovojë një imazh më pozitiv të vetes jashtë vendit.
Dy vjet më vonë, “Viza e Vlerave të Përbashkëta” u bë një shprehje praktike e kësaj ideje.
Një sistem online agjencish dhe influencuesish e promovon Rusinë si një vend ku vlerat familjare mbeten të forta dhe jeta e përditshme ndihet më e sigurt.
Ilja Belobragin, partner menaxhues i përgjithshëm në “Move To Russia”, një kompani që ndihmon të huajt të shpërngulen në Rusi, thotë se një gjë që dëgjon shpesh nga klientët është se ata “nuk e njohin më komunitetin rreth tyre”.
Disa migrantë të mundshëm ankohen për imigracionin e lartë në vendet e tyre ose për atë që e shohin si rënie të standardit të jetesës, thotë ai.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka dominuar perceptimet ndërkombëtare për vendin që nga viti 2022, nuk duket se është një faktor vendimtar për shumë prej atyre që po shpërngulen.
Disa e mbështesin hapur Rusinë, ndërsa të tjerë këmbëngulin se vendimi i tyre bazohet në vlera kulturore dhe jo në gjeopolitikë.
Philip Hutchinson, një ish-kandidat i Partisë Konservatore nga Britania që jeton në Moskë dhe tani ndihmon perëndimorët të shpërngulen në Rusi, thotë se shmang diskutimin për luftën.
“Çfarë mendoj për të? Shiko, nuk përfshihem në këto gjëra”, thotë ai. “Unë nuk jam këtu si politikan. Jam këtu për të jetuar një jetë të qetë me familjen time”.
Kur pyetet nëse ndihma për perëndimorët që të shpërngulen në Rusi përmes kësaj vize është vetë një akt politik, Philip nuk pajtohet.
“Ne udhëzojmë shumë njerëz drejt ‘Vizës së Vlerave të Përbashkëta’ sepse është mënyra më e lehtë për t’u bërë rezident i plotë këtu tani. Nuk është politikë të ndihmosh njerëzit të shpërngulen në Rusi”.
Tjetër realitet
Pas zhvendosjes së tyre në Rusi, familja e Leos u bë një nga shembujt më të dukshëm të migrimit nga Perëndimi.
Media shtetërore ruse filmoi ceremoninë e tyre të azilit dhe Leo falënderoi publikisht presidentin Putin për pritjen. Në atë kohë, ai besonte se po ndihmonte në krijimin e asaj që e quante “një pjesë të paprecedentë të legjislacionit të imigracionit”.
Por realiteti doli më i vështirë sesa ai e kishte parashikuar.
Brenda pak javësh nga mbërritja, Leo thotë se ata u mashtruan dhe humbën 5 milionë rublat – rreth 52.000 funte (66.000 dollarë) – nga një kontakt të cilit i kishin besuar, duke mbetur pa strehë.
Kur gazetari i BBC-së foli me Leon më herët këtë vit, ai jetonte i ndarë nga gruaja e tij në qytetin Ivanovo, ndërsa fëmijët më të mëdhenj ishin kthyer në Shtetet e Bashkuara.
I pyetur nëse Rusia i kishte përmbushur pritjet e tij, Leo i përshkruan dy vjetët e fundit si më të mirat dhe më të këqijat e jetës së tij.
Ai thotë se ka përjetuar shumë anë të Rusisë: ka punuar në një manastir ortodoks, ka jetuar në një apartament në një ndërtesë të lartë dhe më pas është zhvendosur në një banesë të vogël të epokës sovjetike. Më vonë gjeti punë si mësues i gjuhës angleze.
Ai ende flet me dashuri për rusët e zakonshëm, duke i përshkruar si bujarë dhe mikpritës. Ai vlerëson anëtarët e komunitetit të kishës që e ndihmuan familjen të mbijetojë pasi humbën kursimet dhe kujton një grua që ftoi djalin e tij të vogël në shtëpinë e saj dhe i mësoi rusisht falas.
“Zemra ime është plot dashuri për këta njerëz”, thotë ai.
Por ai gjithashtu është bërë gjithnjë e më i shqetësuar për gjendjen e ekonomisë ruse dhe kufizimet në qasjen ndaj informacionit.
Leo tani po rishikon rolin që ka luajtur në promovimin e emigracionit nga Perëndimi në Rusi.
“Unë besoja në propagandë”, i thotë ai gazetarit, duke pranuar se më parë ai “do të ishte ai që do ta shkruante skenarin”.
Edhe pse është i përkushtuar të qëndrojë në Rusi për shkak të një ndjenje “fati”, ai tani thotë se i mungojnë liritë që kanë formësuar karakterin amerikan.
“Në Rusi nuk i ke këto vlera të të drejtave të njeriut”.
Edhe disa perëndimorë të tjerë që janë zhvendosur në Rusi nuk pajtohen me mënyrën se si po promovohet vetë “Viza e Vlerave të Përbashkëta”.
Ben, i cili kërkoi që të përdoret vetëm emri i tij, u zhvendos në Rusi në vitin 2023 nga Derby në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u dashurua me një grua ruse që e kishte njohur përmes një faqeje për shkëmbim gjuhësh. Çifti jeton në Kursk, pranë kufirit me Ukrainën.
Familja e tij mendonte se ai ishte “pak i çmendur” për t’u zhvendosur në një zonë lufte.
Pikëpamja e Benit për Rusinë është më e nuancuar se ajo që shpesh paraqesin mbështetësit e saj.
Ai vlerëson miqësinë e rusëve dhe thotë se ndihet më i sigurt në jetën e përditshme. Në të njëjtën kohë, ai nuk e pranon idenë se Rusia është një parajsë konservatore.
Ai përmend praninë e madhe të familjeve me një prind, abortin, të cilin e përshkruan si “shumë të pranuar gjerësisht” dhe normat “shumë të larta” të divorceve.
“Rusia nuk është ndonjë utopi”, thotë ai.
Ai u zhvendos në Rusi me një vizë private familjare dhe jo përmes skemës së “vizave të Vlerave të Përbashkëta”, por në kanalin e tij në YouTube ai ka sfiduar pretendimet që, sipas tij, janë të ekzagjeruara nga disa influencues perëndimorë që e paraqesin Rusinë si një alternativë ideale ndaj Perëndimit.
“Ka disa njerëz me një lloj agjende që duan ta shtyjnë përpara”, thotë ai.
Afërsisht dy vjet pas prezantimit të “Vizës së Vlerave të Përbashkëta”, eksperimenti i Rusisë për të tërhequr migrantë ideologjikë mbetet ende në shkallë të vogël.
Edhe pse nuk ka arritur të tërheqë një valë të madhe migrimi “anti-woke”, ajo ka bërë më të lehtë për disa perëndimorë të ndërtojnë jetë të re në vend - qoftë për dashuri, besim apo thjesht për një ndryshim drejtimi.