Botë

Dy ukrainas qëndrojnë pas shpërthimit të linjës hekurudhore në Poloni, thotë Tusk

Donald Tusk

Foto: Associated Press

Dy qytetarë ukrainas, të cilët kanë punuar prej kohësh për inteligjencën ruse, janë identifikuar si të dyshuarit pas dy akteve sabotimi në rrjetin hekurudhor të Polonisë, ka thënë të martën kryeministri polak, Donald Tusk.

Një nga të dyshuarit ishte dënuar tashmë në mungesë për akte sabotimi në Ukrainë, ka thënë Tusk para parlamentit të Polonisë.

Të hënën, ai vizitoi vendin e një shpërthimi gjatë fundjavës pranë Mikës, në juglindje të Varshavës, i cili dëmtoi linjën hekurudhore që të çon në kufirin ukrainas, dhe e quajti atë "një akt sabotimi të paprecedentë".

Një incident tjetër më poshtë linjës pranë Pulaëy të hënën detyroi një tren të mbushur plot të ndalonte papritur, dhe u gjetën dëme në kabllot ajrore.

Autoritetet polake fillimisht kanë thënë se kishte një shans shumë të lartë që dy aktet e sabotimit në linjën hekurudhore Varshavë-Lublin të ishin urdhëruar nga një "shërbim i huaj".

Më pas, një zëdhënës i ministrit të Shërbimeve speciale të Polonisë ka thënë të martën se “gjithçka tregon se ato janë shërbime speciale ruse".

Rusia ende nuk ka komentuar publikisht mbi akuzat.

"Qëllimi ishte të shkaktohej një katastrofë hekurudhore", u ka thënë Tusk deputetëve.

Kryeministri polak ka shtuar se nuk do të zbulonte emrat e dy të dyshuarve pasi kjo mund ta ndërlikonte operacionin, megjithëse i ka thënë parlamentit se njëri jetonte në Bjellorusi dhe tjetri ishte banor i Ukrainës lindore.

Të dy të dyshuarit kishin kaluar në Poloni nga Bjellorusia gjatë vjeshtës dhe tani ishin kthyer atje nëpërmjet pikës kufitare në Terespol në jugperëndim të largët të Bjellorusisë, afër kufirit ukrainas, ka shtuar ai.

Tusk ka thënë se një pajisje shpërthyese ushtarake C4 kishte shpërthyer më 15 nëntor rreth orës 21:00 sipas orës lokale, pranë fshatit Mika. 

Shpërthimi, i cili ka ndodhur ndërsa po kalonte një tren mallrash, shkaktoi dëme të vogla në dyshemenë e një vagoni. 

Tusk ka thënë se vozitësi i trenit as nuk e vuri re incidentin.

Akti i dytë i sabotimit, më 17 nëntor, përfshinte një tren që transportonte 475 pasagjerë që u detyrua të ndalonte papritur për shkak të infrastrukturës hekurudhore të dëmtuar, sipas Tuskut.

Kryeministri ka thënë gjithashtu se do të lëshonte një urdhër më vonë të martën për të rritur nivelin e alarmit në linja të caktuara hekurudhore. 

Polonia është anëtare e NATO-s dhe BE-së, dhe rrjeti i saj hekurudhor është bërë jetik për lëvizjen e ndihmave në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.