Botë

Dy të vdekur në Francë nga temperaturat e larta

France

Foto: Associated Press

Dy persona janë raportuar të vdekur në Francë, të shkaktuar nga i nxehti përvëlues që ka kapluar ditëve të fundit gjithë Evropën.

Nxehtësia ka detyruar edhe mbylljen e një reaktori bërthamor në një termocentral zviceran. 

Ministri i energjisë i Francës ka raportuar dy vdekje të lidhura me nxehtësinë e madhe, teksa 300 persona të tjerë janë dërguar në spital.

Ndërkohë, Italia ka vënë nën alarm 18 qytete për shkak të nxehtësisë ekstreme teksa Turqia është përballur me zjarret. Meteorologët e quajnë valën e të nxehtit "të jashtëzakonshme" sepse ka ardhur kaq herët në verën e Evropës.

Franca ka pasur qershorin e saj më të nxehtë që nga viti 2003, ka thënë ministrja e Energjisë Agnes Pannier-Runacher.

Parashikuesi i motit Meteo France ka thënë se alarmet mbetën për disa zona të Francës qendrore, por nxehtësia po zbutej në perëndim, megjithëse priten stuhi intensive me shpërthime të mundshme të dendura reshjesh në shumë pjesë të lindjes.

Temperaturat maksimale priten në rreth 39 Celsius, 34 gradë celsius në Paris dhe 36 deri në 38 gradë celsius në Strasburg, Lion, Grenoble dhe Avignon.

Kompania zvicerane e shërbimeve Axpo ka mbyllur një njësi reaktori në termocentralin bërthamor Beznau dhe ka përgjysmuar prodhimin në një tjetër të martën për shkak të temperaturës së lartë të ujit të lumit.

Uji përdoret për ftohje dhe qëllime të tjera në termocentralet bërthamore dhe kufizimet pritet të vazhdojnë ndërsa monitorohen temperaturat.

Shkencëtarët thonë se emetimet e gazrave serrë nga djegia e lëndëve djegëse fosile janë një shkak i ndryshimeve klimatike, me shpyllëzimin dhe praktikat industriale si faktorë të tjerë që kontribuojnë. 

Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në planet.