Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka publikuar mbi tre milionë dokumente nga të ashtuquajturat dosje të autorit të krimeve seksuale, Jeffrey Epstein, ku përmendet edhe emri i politikani sllovak dhe ish-të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.
Mesazhet e publikuara të vitit 2018 tregojnë një marrëdhënie më personale dhe intensive sesa kishte pranuar më parë Lajçaku.
Sipas dokumenteve, të dy diskutonin jo vetëm për politikë dhe diplomaci, por edhe për gra. Në një nga bisedat, Epsteini i ofronte Lajçakut gra, duke shtuar se mund të “marrë edhe motrat e tyre”. Ai më pas ironizonte duke thënë se ndoshta janë shumë të reja për të, pasi janë nën 30 vjeç.
“Mos u bë i keq. Nuk e dinë si jam në aksion”, i përgjigjej Lajçakut, sipas gazetës Dennik N.
Në mesazhet e tjera, të dy flisnin për “vajza” në Kiev ose Moskë, me një ton të relaksuar dhe shpesh me shaka. Për një foto nga Moska, Epsteini i shkruante se do të preferonte “një vështrim më të brendshëm” dhe pretendonte se ato vajza ishin “eksporti më i mirë rus”. Por Lajçaku përgjigjej “pas naftës”.
Megjithatë, Lajçaku mohon këto interpretime dhe ka thënë se kurrë nuk ka komunikuar me Epsteinin për gra.
Dokumentet tregojnë se kontakti i tyre nuk ishte sporadik. Emri i Lajçakut përmendet qindra herë, dhe abuzuesi seksual shpesh e thërriste me emrin e afërt “Miro”. Një pjesë e mesazheve datojnë nga periudha kur Lajçaku ishte president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe qëndronte rregullisht në New York. Gjatë kësaj periudhe, thuhet se janë organizuar takime, darka dhe vizita të mundshme në rezidencën e Epsteinin në Florida ku u abuzuan vajza të mitura.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka theksuar se publikimi i dokumenteve nuk do të thotë konfirmim i vërtetësisë së të gjitha pretendimeve. Shumë nga regjistrimet janë nga raporte të pa verifikuara dhe disa pjesë janë fshirë totalisht. Megjithatë, volumi dhe karakteri i komunikimeve ka shkaktuar reagime politike në Sllovaki.
Është bërë thirrje për shkarkim të Lajçakut nga pozita e këshilltarit të kryeministrit sllovak Robert Fico.