Orë dramatike për tregtinë botërore kanë qenë ato të së enjtes, kur u vendos për pezullim por edhe rikthim të tarifave që presidenti amerikan Donald Trump ua ka vendosur shumicës së shteteve në botë.
Çka ka ndodhur në orët e fundit dhe çka i parapriu turbulencave:
Tarifat paraprake
Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump vendosi tarifa universale prej 10 për qind ndaj pothuajse çdo vendi.
Ai gjithashtu pati paralajmëruar tarifa më të larta për disa vende si Meksika, Kanadaja dhe Kina, të cilat i lidhi me problemet si qarkullimi i paligjshëm i fentanilit në Shtetet e Bashkuara.
Krahas kësaj, Trumpi rriti tarifat për disa industri specifike, teksa aplikoi tarifë shtesë prej 25 për qind për çelikun, aluminin dhe veturat.
Vendimi i së mërkurës
Mbrëmjen e kaluar, Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare mori vendim se Trumpi i kishte tejkaluar kompetencat për vendosjen e tarifave gjithëpërfshirëse sipas ligjit të emergjencës, që nënkupton se planet e tij për të imponuar tarifa universale prej 10 për qind ndaj të gjithë partnerëve tregtarë – si dhe taksa më të larta për vende të caktuara – u bllokuan përkohësisht.
Gjykatës nuk iu kërkua të trajtojë tarifat specifike për industrinë, të cilat bien në kuadrin e një ligji tjetër.
Tarifat rikthehen përkohësisht
Një gjykatë federale e apelit ka rikthyer tarifat e Trumpit në fuqi, pasi Shtëpia e Bardhë e apeloi vendimin paraprak të Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare.
Tarifat qëndrojnë në fuqi derisa çështja t’i kalojë proceset gjyqësore.