Dasma e Mustafës dhe Nesma al-Borsh, e mbajtur me thjeshtësi mes varfërisë dhe pasigurisë në Gazë, u shndërrua brenda çastesh në një tragjedi. Një sulm pranë vendit të ceremonisë vrau të afërm, shkatërroi strehën e tyre dhe rrëmbeu çdo ndjenjë gëzimi. Nga dhëndër në shpëtimtar, Mustafa u përball me humbje të reja në ditën që duhej të shënonte një fillim të ri. Historia e tyre pasqyron realitetin e hidhur të jetës nën luftë dhe zhvendosje të vazhdueshme
Dasma e Mustafës dhe Nesma al-Borshit ishte, kuptueshëm, një ngjarje e thjeshtë dhe modeste, duke pasur parasysh kushtet tepër të vështira në të cilat jetojnë banorët e Rripit të Gazës.
Nesma shkoi në një sallon bukurie, mori me qira një fustan të bardhë dhe realizoi disa fotografi me dhëndrin, Mustafën, përpara se të mbahej ceremonia. Ceremonia dhe festa u zhvilluan në një tendë në lagjen Tuffah, në lindje të qytetit të Gazës, ku morën pjesë vetëm rreth 40 persona.
“Nuk mund të them se ishte dita e dasmës që e kisha ëndërruar gjithmonë, por duke pasur parasysh kushtet e ashpra në të cilat po jetojmë, u përpoqëm të ‘vidhnim’ disa çaste gëzimi, dhe ia dolëm”, tha Nesma.
Por ato çaste gëzimi iu morën Mustafës dhe Nesmas shumë shpejt.
Teksa festa po përfundonte, një granatim izraelit goditi një ndërtesë pranë tendës ku po zhvillohej dasma. Objekti i goditur ishte një qendër formimi profesional e drejtuar nga Ministria e Arsimit e Gazës, e cila gjatë luftës ishte shndërruar në strehë për të zhvendosurit. Çifti kishte planifikuar që të jetonte pikërisht aty pas martesës.
Flakët u ngritën menjëherë, ndërsa pluhuri, tymi dhe britmat mbushën zonën. Të porsamartuarit qëndruan të tronditur, të paaftë për të kuptuar se çfarë po ndodhte rreth tyre, ndërsa dita e tyre e dasmës po shndërrohej në një tragjedi të vërtetë.
Nga dhëndër në shpëtimtar
“Menjëherë ia kapa dorën nuses sime dhe e dërgova me të afërmet e mia gra në një vend më të sigurt, pastaj hoqa xhaketën e kostumit të dasmës dhe vrapova bashkë me burrat e tjerë për të shpëtuar njerëzit që ndodheshin brenda ndërtesës”, tregoi Mustafa, 29 vjeç, për Al Jazeeran nga Halawa, një kamp zhvendosjeje në qytetin e Gazës, pranë Tuffahut.
Goditja kishte prekur drejtpërdrejt katin e dytë të shkollës, ku po qëndronte familja e Mustafës bashkë me të tjerë, si dhe klasën që ishte përgatitur për të jetuar çifti pas martesës. Gjithçka që kishin përgatitur për dasmën u dogj dhe u shkatërrua.
“Ndihmova për të nxjerrë trupat dhe për të shpëtuar të plagosurit, dhe arrita të nxirrja nipin tim, i cili ishte plagosur rëndë në të gjithë trupin”, tha Mustafa.

U thirrën ambulancat, por ekipet e emergjencës kishin nevojë për koordinim nga pala izraelite për të hyrë në zonë.
“Pritëm më shumë se dy orë që ambulancat të vinin, por nuk u lejuan të hynin nga ana izraelite”, shtoi ai. “Situata ishte e frikshme dhe e papërshkrueshme; dëgjonim goditje dhe granatime përreth nesh”.
Vetëm pas më shumë se dy orësh, ambulancat u lejuan të hynin për të nxjerrë të plagosurit dhe të vdekurit. Pas evakuimit të të gjithëve nga ndërtesa, ekipet e mbrojtjes civile nxorën viktimat dhe u kërkuan familjeve të zhvendoseshin sërish drejt vendeve më të sigurta. Kështu, shumë familje u zhvendosën edhe një herë në strehë për të zhvendosurit brenda qytetit, duke lënë pas gjithçka që kishin.
“Që nga ajo ditë, unë ende e vesh kostumin tim të dasmës”, i tha dhëndri Al Jazeeras, duke treguar këmishën dhe pantallonat e bardha.
“Ka një njollë gjaku që i përket nipit tim tetëvjeçar, Mohammadit, i cili vdiq dy ditë më vonë nga plagët e marra”, shtoi Mustafa.
Shtyrje të vazhdueshme
Mustafa ishte fejuar me Nesman, tani 22 vjeçe, disa muaj përpara se Izraeli të fillonte luftën gjenocidale në Gazë në tetor 2023. Dasma e tyre ishte planifikuar fillimisht për atë muaj.
“Apartamenti im ishte plotësisht gati: dhoma e gjumit, mobiliet, kuzhina. Unë dhe e fejuara ime kishim bërë shumë përpjekje për të zgjedhur çdo detaj”, tha Mustafa, duke treguar një fotografi të apartamentit që ishte pjesë e shtëpisë së familjes së tij në Jabalia, në veri të Gazës, e cila më pas u shkatërrua.
Çifti kishte përjetuar bombardime, uri dhe zhvendosje të vazhdueshme me familjet e tyre, gjë që e bënte idenë e një dasme pothuajse të pamundur.
“Familjet tona ndonjëherë na shtynin të vazhdonim me martesën, pasi lufta po zgjaste shumë, por ne të dy refuzuam”, tha Nesma, ndërsa Mustafa pohoi me kokë. “Ne pyesnim veten se si mund të festonim apo të bënim një dasmë mes luftës dhe zhvendosjes”.
Ajo që e largoi edhe më shumë idenë e martesës ishte dhimbja e Mustafës pas humbjes së dy vëllezërve të tij më të mëdhenj gjatë luftës, njëri në dhjetor 2023, kur shtëpia e tyre në Jabalia u bombardua, dhe tjetri në mars 2025, gjatë gjysmës së dytë të luftës.
“Humbja e vëllezërve të mi hodhi një hije të rëndë zie mbi ne, veçanërisht mbi nënën time, e cila nuk mund të ndalojë së qari sa herë që i kujton”, tha Mustafa, duke hedhur një vështrim nga e ëma që po dëgjonte bisedën.
Pas fillimit të armëpushimit më 19 janar 2025, çifti vendosi të vazhdonte me martesën, duke besuar se lufta kishte përfunduar, por ajo rifilloi shumë shpejt.
“Në atë kohë, shtëpia e xhaxhait tim në Jabalia ishte ende në këmbë, ndaj vendosëm të merrnim një apartament aty dhe filluam përgatitjet. Nusja ime filloi të përgatiste veten dhe rrobat e saj”, tregoi Mustafa.
“Por u tronditëm kur lufta shpërtheu sërish në mes të marsit 2025”, shtoi ai.
Me rifillimin e luftimeve, të dy u detyruan të largoheshin me familjet e tyre nga veriu i Gazës drejt perëndimit të qytetit të Gazës, ku jetuan në tenda në kushte tepër të vështira, deri sa një armëpushim i dytë hyri në fuqi më 10 tetor 2025.
Strehimi i pasigurt
Pas shpalljes së armëpushimit në tetor, Mustafa dhe familja e tij u zhvendosën në një strehë në lagjen Tuffah, rreth gjysmë kilometri larg të ashtuquajturës “vija e verdhë”, përtej së cilës Izraeli ruan kontrollin në Gazë.
“Donim t’i shpëtonim jetës në tenda gjatë dimrit, ndaj vendosëm të shkonim në shkollë, pavarësisht shqetësimeve tona për afërsinë e saj me vijën e verdhë”, tha ai.

Pas diskutimeve mes familjeve, të dyja palët ranë dakord që dasma të mbahej më 19 dhjetor, me një ceremoni të thjeshtë në një tendë të ngritur pranë strehës.
“Sapo u caktua data, përgatita çfarë munda. Familjet e tjera të zhvendosura që ndodheshin në strehë më ndihmuan dhe na vunë në dispozicion një klasë. Gjithçka dukej se po shkonte mirë”, tregoi Mustafa.
Ai tha se kurrë nuk e kishte imagjinuar që streha do të sulmohej, pasi aty jetonin shumë familje të zhvendosura, lagjja përreth ishte e dendur me banorë dhe zona ndodhej jashtë vijës së verdhë. Qendra arsimore ishte e vendosur në një zonë nga e cila forcat izraelite ishin tërhequr, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.
Megjithatë, pavarësisht armëpushimit, janë regjistruar qindra shkelje izraelite, me më shumë se 400 palestinezë të vrarë në sulme të përsëritura gjatë muajve të fundit.
Tetë persona u vranë nga granatimi i ndërtesës pranë tendës së dasmës, të gjithë fqinjë dhe të afërm të familjes së Mustafës, të cilët po strehoheshin në katin e dytë, tha ai.
Të zhvendosur sërish
“Mes atyre që u vranë ishte një nënë së bashku me bashkëshortin dhe fëmijën e tyre, si edhe nipi im i vogël, i cili vetëm pak çaste më parë po kërcente i mbushur me gëzim dhe pafajësi, pa e ditur se jeta e tij do të ndërpritej kaq tragjikisht”, tregoi Mustafa me zë të dridhur.
“Çfarë justifikimi mund të ketë për të goditur këta njerëz të pambrojtur, dhe çfarë krimi kam kryer unë që mua dhe nuses sime të na vidhet gëzimi në ditën që duhej të ishte më e bukura e jetës sonë?” shtoi ai.
Sot, çifti është sërish i detyruar të jetojë i ndarë, secili me familjen e vet, për shkak të zhvendosjes së re të detyruar dhe mungesës së plotë të një vendi ku mund të ndërtojnë një jetë të përbashkët.
“Çdo herë jam i detyruar të filloj nga e para, të rindërtoj shpresat dhe planet e mia nga asgjëja; a ekziston vallë një vuajtje më e madhe se kjo?” tha Mustafa me dëshpërim.
“Unë jam i zhvendosur, nusja ime është e zhvendosur, familjet tona janë të gjitha të zhvendosura, duke jetuar në tenda ose te të afërmit, pa siguri, pa stabilitet dhe pa asnjë ndjenjë normaliteti”.
“Ne këmbëngulëm që ta mbanim dasmën edhe gjatë luftës, duke shpresuar se të paktën ajo ditë do të na sillte pak dritë dhe gëzim, por lufta u rikthye brenda një çasti, pikërisht në ditën e dasmës sonë, duke shkatërruar gjithçka”, tha Nesma, me sytë e mbushur trishtim.
“Gëzimi im mori fund dhe gjithçka që më rrethon më duket e errët; këtu nuk ka më vend për lumturi, as për një hap të vogël drejt një jete normale”, përfundoi ajo.