Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Danimarka mban zgjedhje të parakohshme mes krizës me SHBA-në për Grenlandën

Danimarke

Foto: Associated Press

Danezët po votojnë të martën në zgjedhjet që mund t’i japin kryeministres, Mette Frederiksen, një mandat të tretë, falë qëndrimit të saj të fortë kundër presidentit amerikan, Donald Trump lidhur me Grenlandën, edhe pse shqetësimet për koston e jetesës kanë dëmtuar profilin e saj si e majtë.

Sondazhet e opinionit tregojnë se Social Demokratët e saj janë drejt rezultatit më të dobët që nga periudha para Luftës së Dytë Botërore. Shumë danezë e fajësojnë Frederiksen se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur modelin nordik të mirëqenies, ndërsa të tjerë theksojnë lodhjen në rritje pas gati shtatë vjetësh udhëheqjeje të saj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Frederiksen, 48 vjeç, ka shpallur zgjedhjet disa muaj përpara afatit të tetorit, në atë që vëzhguesit e konsiderojnë si një përpjekje për të përfituar nga rritja e përkohshme e popullaritetit, kur retorika e Trumpit për kontrollin e Grenlandës, një territor gjysmë-autonom danez, u përshkallëzua në janar dhe ai nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake. 

Qendrat e votimit mbyllen në orën 20:00, ndërsa rezultatet e para priten pak më pas.

Frederiksen ka bërë fushatë me premtimin se aftësitë e saj të forta dhe të provuara udhëheqëse do ta ndihmojnë vendin me 6 milionë banorë të përballojë një marrëdhënie komplekse me Uashingtonin zyrtar dhe për një përgjigje evropiane ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Frederiksen, e cila udhëheq Danimarkën që nga viti 2019, ishte kryeministrja e parë që kapërceu ndarjen majtas-djathtas në Danimarkë në më shumë se 40 vjet, por koalicioni i saj i madh tani parashikohet të humbasë shumicën parlamentare.

Ministri i Jashtëm, Lars Løkke Rasmussen, nga Partia Moderat centriste, i cili mund të bëhet një faktor kyç pas zgjedhjeve, ka thënë se ende shpreson për një qeveri bipartizane, edhe pse koalicioni aktual duket se po humbet kontrollin mbi pushtetin. 

Partitë e majta kryesojnë zgjedhjet në Danimarkë por nuk sigurojnë shumicën

1 muaj më parë / 24 mar 2026 21:10
Mette Frederiksen

Photo: Associated Press

Partitë e krahut të majtë të Danimarkës, përfshirë Social Demokratët e kryeministres Mette Frederiksen, po udhëheqin ndaj bllokut të krahut të djathtë, në zgjedhjet paralamentare të së martës.

Megjithatë, asnjëri grup nuk pritet të fitojë shumicën e vendeve, tregojnë dy exit polle të publikuara menjëherë pas përfundimit të votimeve.

Një sondazh nga transmetuesi DR dhe Epinion i dha bllokut të krahut të majtë 83 vende kundrejt 79 për të djathtën në asamblenë me 179 vende, ndërsa një sondazh i TV2 dhe Megafon parashikoi 86 vende për të majtën dhe 75 për të djathtën.

Kjo mund t’i japë partisë së qendrës "Të Moderuarit" të ministrit të Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen fuqinë për të vendosur se cili bllok do të formojë një qeveri, ose edhe t'ua lërë rolin e ndarësit të votave katër kandidatëve të zgjedhur nga Grenlanda dhe Ishujt Faroe.