Ministri i Jashtëm danez, Lars Loekke Rasmusen ka thënë të hënën se vendi i tij këmbëngul që të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duhet të respektojnë "integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës".

Deklarata e tij është bërë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar emërimin e guvernatorit të Luizianës, Jeff Landry, si të dërguarin special të SHBA-së në Grenlandë.

Trumpi ka bërë thirrje të përsëritura gjatë tranzicionit të tij presidencial dhe muajve të parë të mandatit të tij të dytë për juridiksionin e SHBA-së mbi Grenlandën, një territor i gjerë, gjysmë-autonom i Danimarkës, dhe nuk e ka përjashtuar forcën ushtarake për të marrë kontrollin e ishullit të Arktikut të pasur me minerale dhe me vendndodhje strategjike.

Në mars, zëvendëspresidenti JD Vance ka vizituar një bazë të largët ushtarake amerikane në Grenlandë dhe ka akuzuar Danimarkën për investime të pamjaftueshme atje

Çështja gradualisht u zhduk nga titujt kryesorë, por, në gusht, zyrtarët danezë thirrën ambasadorin e SHBA-së pas një raporti se të paktën tre persona me lidhje me Trumpin kishin kryer operacione të fshehta ndikimi në Grenlandë. Danimarka është një aleat i Shteteve të Bashkuara.

Të dielën, Trumpi ka njoftuar emërimin e guvernatorit  Landry, si të dërguar special në Grenlandë. 

Ai ka thënë se “Jeff e kupton sa thelbësore është Grenlanda për Sigurinë tonë Kombëtare dhe se ai do të përparojë fuqishëm interesat e vendit tonë për sigurinë, mbijetesën dhe sigurinë e aleatëve tanë, dhe në fakt, të botës.”

E ministri i Jashtëm danez, Rasmussen ka thënë në një deklaratë të shkurtër të dërguar me email nga ministria e tij se “emërimi konfirmon interesin e vazhdueshëm amerikan në Grenlandë”.

“Megjithatë, ne këmbëngulim që të gjithë, përfshirë SHBA-në, duhet të tregojnë respekt për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës”, ka shtuar ai.

Më herët këtë muaj, Shërbimi i Inteligjencës së Mbrojtjes Daneze ka thënë në një raport vjetor se SHBA-ja po përdor fuqinë e saj ekonomike për të “shpallur vullnetin e tyre” dhe për të kërcënuar me forcë ushtarake si kundër miqve ashtu edhe kundër armiqve.

Danimarka dhe Grenlanda me deklaratë të përbashkët kundër vendimit të Trumpit

1 o. më parë / 22 dhj 2025 14:06
Donald Trump

Kryeministrat e Danimarkës dhe Grenlandës kanë lëshuar të hënën një deklaratë të përbashkët përmes së cilës kanë kërkuar respekt për kufijtë e shteteve të tyre pasi presidenti amerikan, Donald Trump emëroi një të dërguar special në territorin danez kryesisht vetëqeverisës, për të cilin ai e ka thënë vazhdimisht se duhet të jetë nën kontrollin e SHBA-së.

"E kemi thënë shumë qartë më parë. Tani e themi përsëri: nuk mund të aneksoni vende të tjera", thuhet në deklaratën e kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen dhe të Grenlandës, Jens-Frederik.

Në deklaratë thuhet më tej se "parimet themelore" janë në rrezik.

"Grenlanda u përket grenlandezëve dhe SHBA-ja nuk duhet ta pushtojë Grenlandën", kanë thënë të dy udhëheqësit. 

"Ne presim respekt për integritetin tonë të përbashkët territorial”, vazhdon deklarata.
Trumpi të dielën ka emëruar guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special të SHBA-së në ishullin e madh Arktik të pasur me minerale. Presidenti amerikan ka thënë disa herë se SHBA-ja duhet ta blejnë Grenlandën për arsye sigurie, ndërsa ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës.

Landry, një ish-prokuror i përgjithshëm i shtetit i cili mori detyrën si guvernator i Luizianës në janar 2024, falënderoi Trumpin, duke thënë se ishte një nder “të shërbente në këtë pozicion vullnetar për ta bërë Grenlandën pjesë të SHBA-së”.

Ministri i jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, i ka thënë televizionit danez të hënën se do të thërriste ambasadorin e Uashingtonit në Kopenhagë, Ken Hoëery, në ministri në ditët në vijim "për të marrë një shpjegim".

Rasmussen ka shtuar se ishte "thellësisht i mërzitur nga ky emërim i një të dërguari të posaçëm" dhe "veçanërisht i mërzitur" nga deklarata e Landryt, të cilën ai tha se Danimarka e shihte si "krejtësisht të papranueshme".

"Për sa kohë që kemi një mbretëri në Danimarkë që përbëhet nga Danimarka, Ishujt Faroe dhe Grenlanda, nuk mund të pranojmë që ka nga ata që minojnë sovranitetin tonë", ka deklaruar Rasmussen.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni, ka thënë në Bruksel se integriteti territorial i Mbretërisë së Danimarkës është "thelbësor".

Emërimi i një të dërguari për Grenlandën nga Trumpi – reagon edhe BE-ja

2 o. më parë / 22 dhj 2025 13:13
BE

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkaktuar reagimin e Danimarkës të hënën, pas njoftimit se ka vendosur të emerojë guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguarin special të SHBA-së në Grenlandë.

Danimarka ka kërkuar që t’i respektojë integriteti territorial, teksa pritet që ta thërras edhe ambasadorin amerikan në Kopenhagë.

Ndërkaq Bashkimi Evropian në reagimin e tij ka thënë se integriteti territorial dhe sovraniteti i Mbretërisë së Danimarkës, përfshirë Grenlandën, duhet të ruhen.

Zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni, ka përsërotir të hënën atë që ai e quajti një qëndrim të kahershëm, kur u pyet në lidhje me emërimin e një të dërguari të posaçëm nga SHBA-ja në Grenlandë.

"Ruajtja e integritetit territorial të Mbretërisë së Danimarkës, sovranitetit të saj dhe paprekshmërisë së kufijve të saj është thelbësore për Bashkimin Evropian", ka thënë El Anouni.

Danimarka do të thërrasë sërish ambasadorin amerikan lidhur me Grenlandën

2 o. më parë / 22 dhj 2025 12:46
Grenlanda

Photo: Associated Press

Kopenhaga zyrtare ka bërë të ditur se do të thërrasë ambasadorin e SHBA-së, pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se ka emëruar një të dërguar special në Grenlandë, territorin autonom danez që ai ka kërcënuar ta aneksojë.

"Jam thellësisht i zemëruar nga emërimi dhe deklarata, të cilat i konsideroj krejtësisht të papranueshme", ka thënë ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, për TV2 të Danimarkës në një intervistë, duke shtuar se ministria e Jashtme do të thërrasë ambasadorin e SHBA-së në ditët në vijim "për të marrë një shpjegim".

Që kur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trumpi ka thënë vazhdimisht se SHBA-ja ka nevojë për ishullin e pasur me burime për arsye sigurie, dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta siguruar atë.

Trumpi ka njoftuar herët të hënën se kishte emëruar guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special të SHBA-së në Grenlandë. 

"Jeff e kupton se sa thelbësore është Grenlanda për Sigurinë tonë Kombëtare dhe do të përparojë fuqishëm interesat e vendit tonë për sigurinë, mbijetesën dhe sigurinë e aleatëve tanë, dhe në fakt, të botës", ka shkruar Trumpi në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.

Udhëheqësit e Danimarkës dhe Grenlandës kanë thënë vazhdimisht se ishulli i madh Arktik nuk është në shitje dhe se do të vendosë vetë për të ardhmen e tij. 

Grenlanda ndodhet në njw pozicion strategjik midis Amerikës së Veriut dhe Evropës, në një kohë kur interesi amerikan, kinez dhe rus është në rritje për Arktikun, ku rrugët detare janë hapur për shkak të ndryshimeve klimatike.

Vendndodhja e Grenlandës e bwn atw gjithashtu rrugën më të shkurtër për raketat midis Rusisë dhe SHBA-së.

Në gusht, Danimarka ka thirrur të ngarkuarin me punë të SHBA-së pas raportimeve për përpjekje ndërhyrjeje në Grenlandë.