Botë

Dalai Lama thotë se do të ketë pasardhës

Dalai Lama

Foto: Associated Press

Udhëheqësi shpirtëror tibetian, Dalai Lama, ka thënë të mërkurën se institucioni shekullor budist tibetian do të vazhdojë pas vdekjes së tij, duke i dhënë fund viteve të spekulimeve që filluan kur ai kishte thënë se mund të ishte personi i fundit që do të mbante këtë rol.

Duke folur në festimet e lutjeve përpara ditëlindjes së tij të 90-të të dielën, kreu shpirtëror i budizmit tibetian, fitues i Çmimit Nobel për Paqen, ka thënë se Dalai Lama i ardhshëm duhet të gjendet dhe të njihet sipas traditave të kaluara budiste, ndërsa sinjalizoi se Kina duhet të qëndrojë larg procesit të identifikimit të pasardhësit të tij, raporton AP.

Plani i trashëgimisë së Dalai Lamës është politikisht i rëndësishëm për shumicën e tibetianëve që kundërshtojnë kontrollin e ngushtë të Kinës mbi Tibetin dhe kanë luftuar për të mbajtur gjallë identitetin e tyre, në atdheun e tyre ose në mërgim.

Është gjithashtu i thellë për budistët tibetianë që e adhurojnë atë si një manifestim të gjallë të Chenrezig, perëndisë budiste të dhembshurisë.

Megjithatë, vendimi pritet të zemërojë Kinën, e cila ka thënë vazhdimisht se vetëm ajo ka autoritetin për të miratuar udhëheqësin e ardhshëm fetar.

Kina këmbëngul se pasardhësi duhet të gjendet në zonat tibetiane të Kinës, duke u dhënë autoriteteve komuniste pushtet mbi atë se kush zgjidhet.

Shumë vëzhgues besojnë se përfundimisht do të ketë Dalai Lama rivalë - një të emëruar nga Pekini dhe një nga murgj të lartë besnikë ndaj Dalai Lamës aktual.

Budistët tibetianë besojnë se Dalai Lama mund të zgjedhë trupin në të cilin do të rimishërohet, siç ka ndodhur në 14 raste që nga krijimi i institucionit në vitin 1587.

Ai ka përsëritur në të kaluarën se pasardhësi i tij do të lindë jashtë Kinës.

Dalai Lama e ka paraqitur planin e tij të trashëgimisë në një deklaratë të regjistruar që është transmetuar në televizion në një tubim fetar të murgjve budistë në Dharamshala.

Ai ka thënë se procesi i gjetjes dhe njohjes së rimishërimit të tij varet vetëm nga Gaden Phodrang Trust - një organizatë e themeluar prej tij në vitin 2015.