Botë

Çka dihet deri më tani për ndalimin e udhëtimit në SHBA për qytetarët e 12 shteteve

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një ndalim udhëtimi për në SHBA nga 12 vende duke përmendur rreziqet e sigurisë kombëtare, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Gjithashtu, ka shtatë vende të tjera, shtetasit e të cilave do të përballen me kufizime të pjesshme udhëtimi.

Presidenti amerikan ka thënë se lista mund të rishikohet nëse bëhen "përmirësime materiale" dhe mund të shtohen vende të tjera nëse "shfaqen kërcënime në të gjithë botën".

Kjo është hera e dytë që ai ka urdhëruar një ndalim udhëtimi nga vende të caktuara.

Ai kishte nënshkruar një urdhër të ngjashëm në vitin 2017, gjatë mandatit të tij të parë si president.

Cilat vende preken?

Trump ka nënshkruar një shpallje që ndalon udhëtimin në SHBA për shtetasit e 12 vendeve:

Afganistan

Birmani

Çad

Republika e Kongos

Guinea Ekuatoriale

Eritrea

Hait

Iran

Libi

Somali

Sudan

Jemen

Janë edhe shtatë vende të tjera, shtetasit e të cilave përballen me kufizime të pjesshme udhëtimi:

Burundi

Kuba

Laosi

Sierra Leone

Togo

Turkmenistani

Venezuela

Ndalimi hyn në fuqi të hënën në orën 12:01 me kohën lokale të SHBA-së, si masë për të shmangur kaosin që u zhvillua në aeroportet në të gjithë vendin kur një masë e ngjashme hyri në fuqi praktikisht pa asnjë njoftim tetë vjet më parë. Nuk është dhënë asnjë datë përfundimi. Urdhri kërkon rishikim periodik.

Pse është bërë ndalimi?

Shtëpia e Bardhë ka thënë se këto "kufizime të bazuara në logjikën e shëndoshë" do të "mbrojnë amerikanët nga aktorët e rrezikshëm të huaj".

Në një video të postuar në faqen e tij të internetit “Truth Social”, Trumpi ka thënë se sulmi i fundit i dyshuar si terrorist në Boulder, Colorado "theksoi rreziqet ekstreme" që paraqesin shtetasit e huaj që nuk ishin "verifikuar siç duhet".

Dymbëdhjetë persona u plagosën në Colorado të dielën kur një burrë sulmoi një grup që mblidhej në mbështetje të pengjeve izraelite, duke hedhur dy pajisje ndezëse dhe duke përdorur një flakëhedhës të improvizuar.

Burri i akuzuar për kryerjen e sulmit është identifikuar si shtetas egjiptian, por Egjipti nuk është përfshirë në listën e vendeve të ndaluara.

Trumpi ka lidhje të ngushta me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, i cili në të kaluarën është përshkruar nga presidenti amerikan si "diktatori i tij i preferuar".

Çfarë përjashtimesh ka?

Ka një numër njerëzish nga vendet e prekura që mund të lejohen të hyjnë në SHBA për shkak të përjashtimeve të mëposhtme:
-    Atletët që udhëtojnë për ngjarje të mëdha sportive, si Kupa e Botës 2026 ose Lojërat Olimpike 2028
-    Mbajtësit e "vizave imigruese për pakicat etnike dhe fetare që përballen me persekutim në Iran"
-    Shtetasit afganë që mbajnë Viza Speciale Imigrantësh
-    Çdo "banor i përhershëm i ligjshëm" i SHBA-së
-    Shtetas me shtetësi të dyfishtë që kanë shtetësi në vendet që nuk përfshihen në ndalimin e udhëtimit

Përveç kësaj, Sekretari i Shtetit mund të japë përjashtime për individët në bazë "rast pas rasti", nëse "individi do t'i shërbente një interesi kombëtar të Shteteve të Bashkuara".

Cili ka qenë reagimi ndaj ndalimit?

Urdhri i fundit i Trumpit, i cili pritet të përballet me sfida ligjore, shkaktoi një reagim të shpejtë, brenda dhe jashtë vendit.

Somalia premtoi të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për të adresuar çdo çështje sigurie.

Në një deklaratë, ambasadori somalez në SHBA, Dahir Hassan Abdi, ka thënë se vendi i tij "vlerëson marrëdhënien e tij të gjatë" me Amerikën.

Ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, ka paralajmëruar se "të qenit në Shtetet e Bashkuara është një rrezik i madh për këdo, jo vetëm për venezuelianët".

Demokratët e dënuan menjëherë këtë veprim.

"Ky ndalim, i zgjeruar nga ndalimi i Trumpit për myslimanët në mandatin e tij të parë, vetëm sa do të na izolojë më tej në skenën botërore", ka thënë Pramila Jayapal, një kongresmene demokrate nga Uashingtoni, në një postim në rrjetet sociale.

Një tjetër demokrat, kongresmeni Don Beyer, ka thënë se Trumpi "tradhtoi" idealet e themeluesve të SHBA-së.

Grupet e të drejtave të njeriut gjithashtu e kanë kritikuar ndalimin.

Amnesty International USA e ka përshkruar atë si "diskriminues, racist dhe plotësisht mizor", ndërsa organizata me seli në SHBA, Human Rights First, e ka quajtur atë "një tjetër veprim anti-imigrant dhe ndëshkues të ndërmarrë" nga presidenti.

Çfarë ka ndodhur herën e fundit?

Trumpi ka bërë ndalimin e tij fillestar të udhëtimit gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017.

Ai përfshinte disa nga të njëjtat vende si Iranin, Libinë dhe Somalinë. Kritikët e quajtën atë një "ndalim mysliman" pasi shtatë vendet e listuara fillimisht ishin me shumicë myslimane, dhe kjo u kundërshtua menjëherë në gjykatat në të gjithë SHBA-në.

Shtëpia e Bardhë e ka rishikuar politikën, duke shtuar përfundimisht dy vende me shumicë jomyslimane, Korenë e Veriut dhe Venezuelën.

Kjo ishte mbështetur nga Gjykata Supreme në vitin 2018.

Presidenti Joe Biden, i cili ka pasuar Trumpin, e kishte shfuqizuar ndalimin në vitin 2021, duke e quajtur atë "një njollë në ndërgjegjen tonë kombëtare".