Autoritetet çeke kanë akuzuar të mërkurën Kinën, duke e cilësuar përgjegjëse për një “fushatë keqdashëse kibernetike” që ka shenjëstruar rrjetin e përdorur për komunikime të paklasifikuara në Ministrinë e saj të Punëve të Jashtme. Ndërkohë që Kina i ka mohuar akuzat.
Ambasada e Kinës në Pragë i ka bërë thirrje palës çeke që t’i japë fund “diplomacisë së saj të mikrofonit”, ka raportuar Reuters.
Sulmet kibernetike kishin ndodhur gjatë presidencës së vendit në Bashkimin Evropian në vitin 2022 dhe u realizuan nga grupi i spiunazhit kibernetik “APT31”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. Republika Çeke, shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s, ka pretenduar se grupi “APT31” ishte i lidhur me Ministrinë kineze të Sigurisë Shtetërore.
Ministri i Jashtëm, Jan Lipavsky, ka thënë se që nga zbulimi i atëhershëm i sulmit, dikasteri i udhëhequr prej tij ka zbatuar një sistem të ri të komunikimit me siguri të shtuar në vitin 2024.
“E thirra ambasadorin kinez për ta bërë të qartë se veprime të tilla armiqësore kanë pasoja serioze për marrëdhëniet tona dypalëshe”, ka thënë Lipavsky.
Sipas tij, sulmet kishin për cak emailat dhe dokumentet e tjera që lidheshin me Azinë.