Botë

Çarmatoset PKK-ja, akt drejt përfundimit të konfliktit me Turqinë

PKK

Foto: Associated Press

Dhjetëra militantë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) do t’i dorëzojnë armët në një ceremoni në veri të Irakut të premten, duke shënuar një hap simbolik por të rëndësishëm drejt përfundimit të kryengritjes që ka zgjatur për disa dekada ndaj Turqisë, ka shkruar Reuters.

PKK-ja, që ka qenë në konflikt me shtetin turk dhe e ndaluar që nga viti 1984, kishte vendosur në muajin maj që të shpërbëhet, t’i dorëzojë armët dhe ta përfundojë luftën e saj të armatosur pas thirrjes publike të bërë nga lideri i saj i burgosur për shumë vite, Abdullah Ocalan.

Pas një sërë përpjekjesh të dështuara për paqe, iniciativa e re mund të hapë rrugën për Ankaranë zyrtare që të përfundojë kryengritjen që ka lënë të vrarë më shumë se 40,000 persona, ka ngarkuar ekonominë dhe ka shkaktuar ndarje të thella shoqërore dhe politike në Turqi dhe në mbarë rajonin.

Rreth 40 militantë të PKK-së dhe një komandant pritet të dorëzojnë armët e tyre në ceremoninë e mbajtur në qytetin e Sulaymaniyah në veri të Irakut, kanë bërë të ditur burime të njohura me planin. PKK-ja është e përqendruar në veri të Irakut, pasi është shtyrë përtej kufirit të Turqisë në vitet e fundit.

Armët do të shkatërrohen më vonë gjatë një ceremonie tjetër, e cila do të monitorohet nga figura të inteligjencës turke dhe irakiane, zyrtarë të qeverisë rajonale të Kurdistanit, si dhe anëtarë të lartë të partisë pro-kurde DEM, që gjithashtu ka luajtur rol kyç në vendimin për çarmatosjen e PKK-së.

PKK, DEM dhe Ocalan kanë kërkuar që qeveria e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, të adresojë kërkesat politike të kurdëve. 

Përmes një videoje të rrallë të publikuar të mërkurën, Ocalan i ka bërë thirrje gjithashtu parlamentit turk që të krijojë një komision për të mbikëqyrur çarmatosjen dhe për të menaxhuar procesin më të gjerë të paqes.

Qeveria turke ka ndërmarrë hapa për ta formuar këtë komision, ndërkohë që DEM-i dhe Ocalani kanë theksuar se janë të nevojshme disa garanci ligjore dhe mekanizma të caktuar për të lehtësuar kalimin e PKK-së në skenën politike.

Erdogan ka thënë se qeveria e tij nuk do të lejojë asnjë përpjekje për të sabotuar procesin e çarmatosjes, tek ka shtuar se do t’i ofrojë popullit turk “lajme të mira historike”.