Botë

Burri që shtiu me qindra plumba te selia CDC-së ishte i zemëruar me vaksinat për COVID

Vrima e shkaktuar nga plumbi në selinë e CDC-së

Foto: Associated Press

Autoritetet amerikane thonë se burri që shtiu me qindra plumba në drejtim të selisë së Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA ishte i zemëruar me vaksinat kundër COVID-it, raporton “BBC”. 

Ai kishte shprehur mosbesimin ndaj vaksinave kundër COVID-19. 

Zyrtari policor David Rose 33-vjeçar vdiq si pasojë e plagëve. Nuk pati ndonjë civil të vrarë nga të shtënat që ndodhën më 8 gusht në Atlanta në SHBA. 

Autoritetet kanë treguar se zyrtari policor u qëllua nga 30-vjeçari Patrick Joseph White, i cili më pas kreu vetëvrasje. 

CDC gjurmon shpërthimet e sëmundjeve në SHBA dhe promovoi vaksinimin gjatë pandemisë – një qëndrim që u kritikua ashpër nga skeptikët e vaksinave. 

Duke folur në konferencë për media të martën, drejtori i Byrosë së Hetimeve në Georgia, Chris Hosey, tha se 500 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes, ndërsa besohet se 200 fishekë goditën gjashtë ndërtesa në kompleksin e CDC-së. U gjetën pesë armë zjarri. 

Personi i armatosur kishte “shprehur mendime për vetëvrasje” para të shtënave, tha Hosey, duke shtuar se hetuesit kishin zbuluar prova me shkrim për pakënaqësinë e tij ndaj vaksinave kundër COVID-19. Ai thuhet se fajësoi vaksinën për depresionin dhe për mendimet për vetëvrasje që kishte. 

Zyrtari policor David Rose u qëllua për vdekje pasi iu përgjigj thirrjeve për të shtëna në kompleksin e CDC-së të premten. Rose, një ish-marins që kishte shërbyer në Afganistan, vdiq në spital si pasojë e plagëve të marra.