Britania do ta njohë Palestinën shtet në shtator, nëse Izraeli nuk merr hapa të rëndësishëm për ta ndalur gjendjen e rëndë në Gaza. Këtë e bëri të ditur kryeministri britanik Keir Starmer të martën, raporton Reuters. Ai tha se njohja do të ndodhë para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sipas tij, Izraeli duhet t’i ndërpresë luftimet në Gaza, të arrijë një armëpushim, të sigurojë se nuk do të aneksojë territore në Bregun Perëndimor dhe të angazhohet në një proces serioz paqeje që çon në zgjidhjen me dy shtete. 

Ai kërkoi që Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet, ta pranojë një armëpushim, të mos marrë pjesë në qeverisjen e Gazës dhe të çarmatoset plotësisht. Deri tani, qeveritë britanike kanë thënë se do ta njohin Palestinën kur të vijë momenti i duhur, por nuk kishin vendosur ndonjë afat apo kushte të qarta. Kjo është hera e parë që Britania cakton një datë konkrete për njohjen e shtetit palestinez.

Trumpi thotë se SHBA-ja s’e ka në plan ta ndjekë shembullin e Britanisë për shtetin palestinez

11 o. më parë / 29 kor 2025 21:14
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja nuk e ka në plan që ta ndjekë shembullin e Britanisë, pasi kryeministri britanik Keir Starmer tha se do ta njihte një shtet palestinez nëse Izraeli nuk përmbush disa kushte.

Ai u ka thënë gazetarëve se nuk ka ndonjë “këndvështrim” mbi vendimin e Starmerit, megjithëse deklaroi se e sheh atë si “shpërblim për Hamasin”, raportoi CNN. 

Trump shtoi se Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, “po thonë të njëjtën gjë, dhe ajo është në rregull, por kjo nuk do të thotë se unë duhet të pajtohem po ashtu”.

Ai ka përmendur edhe krizën e urisë në Gaza, për çka ka theksuar se ai dhe zonja e parë janë thellësisht të prekur nga pamjet e fëmijëve të uritur.

“Ata fëmijë duken shumë të uritur... Secili, përveç nëse janë zemërftohtë ose më keq, të çmendur, nuk mund të thotë gjë tjetër veçse është e tmerrshme kur sheh fëmijë”, ka thënë Trump.

Izraeli i kundërpërgjigjet Britanisë, thotë se po e dëmton përpjekjen për armëpushim

12 o. më parë / 29 kor 2025 20:14
Benjamin Neanyahu

Qeveria e Izraelit i është përgjigjur Britanisë pas paralajmërimit të kësaj të fundit se nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa për ta ndalur gjendjen e rëndë në Gaza, do ta njohë shtetin palestinez në shtator.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme izraelite thuhet se pozicionimi i Britanisë është shpërblim për Hamasin, raportoi BBC. 

“Izraeli e kundërshton deklaratën e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar. Ndryshimi i qëndrimit të qeverisë britanike në këtë kohë, pas veprimit francez dhe presioneve të brendshme politike, është shpërblim për Hamasin dhe dëmton përpjekjet për të arritur armëpushim në Gaza si dhe planin për lirimin e pengjeve”, ka thënë ministria izraelite.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka njoftuar më herët të martën se Britania do ta njohë një shtet palestinez në shtator nëse Izraeli nuk plotëson disa kushte – përfshirë ndërmarrjen e “hapave konkretë për t’i dhënë fund situatës së tmerrshme në Gaza”, arritjen e armëpushimit dhe përkushtimin për një proces për paqe afatgjatë.