Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja janë bërë bashkë për ta paralajmëruar Izraelin se do të ndërmarrin “veprime konkrete” nëse ai vazhdon “zgjerimin e egër” të operacioneve ushtarake në Gazë.
Liderët e këtyre vendeve i kanë bërë thirrje Izraelit që t'i ndalojë operacionet ushtarake dhe të lejojë menjëherë ndihmën humanitare që të futet në Gaza, ka raportuar BBC.
Që nga 2 marsi s'është lejuar futja e ushqimit, ilaçeve apo e karburantit, një situatë që Organizata e Kombeve të Bashkuara e cilësoi si “ndikim katastrofik” për popullsinë palestineze.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, iu përgjigj liderëve duke thënë se ata kishin ofruar një “çmim të madh” për Hamasin.
Britania, Franca dhe Kanadaja thanë se mohimi i ndihmës thelbësore humanitare për popullsinë civile është i papranueshëm dhe rrezikon shkeljen e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare. Ata shtuan se niveli i vuajtjeve në Gazë është i patolerueshëm.
Po ashtu, liderët dënuan edhe “gjuhën e neveritshme të përdorur së fundmi nga zyrtarë të qeverisë izraelite”. Ata shtuan se zhvendosja me dhunë e palestinezëve është shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar.
Netanyahu ka thënë se do të lejojë futjen e një sasi të vogël të ushqimeve në Gazë, ndonëse OKB-ja shtoi se ajo është vetëm “një pikë në oqean”, bazuar në nevojën e madhe të palestinezëve.