Botë

Britania e Franca arrijnë marrëveshje për migrantët e jashtëligjshëm

Starmer-Macron

Foto: Associated Press

Britania e Madhe dhe Franca kanë rënë dakord të enjten për një plan pilot që do të kthejë disa migrantë që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla përsëri në Francë, teksa qeveria britanike përpiqet të adresojë kritikat se e ka humbur kontrollin mbi kufijtë e vendit, ka shkruar AP.

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron, e shpallën marrëveshjen të enjten në Londër. Pavarësisht se programi fillestar përfshin numër të kufizuar personash, zyrtarët britanikë e cilësojnë si përparim të madh, pasi që për pasojë krijon precedentin që migrantët të cilët arrijnë jashtëligjshëm në Britani të mund të kthehen në Francë.

“Nuk ka një zgjidhje të vetme magjike, por me përpjekje të përbashkëta, taktika të reja dhe nivel të ri vendosmërie, mund ta kthejmë më në fund situatën në favorin tonë”, ka thënë Starmer para gazetarëve gjatë konferencës së përbashkët për shtyp. “Për herë të parë, migrantët që mbërrijnë me varka të vogla do të ndalohen dhe do të kthehen në Francë brenda një kohe të shkurtër”.

Sipas marrëveshjes, autoritetet britanike do të kthejnë disa nga ata që e kalojnë Kanalin me varka të vogla përsëri në Francë, përderisa do të pranojnë një numër të barabartë migrantësh që konsiderohet se kanë kërkesa legjitime për azil në Britaninë e Madhe.

Kalimet me varka të vogla janë shndërruar në çështje të nxehtë politike në Britani, të nxitura nga pamjet e trafikantëve që ngarkojnë migrantë në varka të mbipopulluara dhe që rrjedhin ujë në brigjet franceze.

Deri më tani, mbi 21,000 persona kanë mbërritur në Britaninë e Madhe me varka të vogla, rritje kjo prej 56 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin e kaluar.

Ndërkaq, dhjetëra prej tyre kanë humbur jetën.

Masa e shpallur të enjten është pjesë e përpjekjeve më të gjera për t’i kontribuar bashkëpunimit më të ngushtë mes të dyja vendeve, si dhe me shtetet e tjera përgjatë rrugëve të migrantëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme.