Botë

“Bordi i Paqes” i Trumpit do të ketë shtrirje globale, por me një njeri të vetëm në krye

Donald Trump

Foto: Associated Press

Nisma “Bordi i Paqes” është shembulli më i fundit i presidentit amerikan Donald Trump që po e çmonton sistemin ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore dhe po ndërton një të ri, me veten në qendër.

Në kartën e propozuar të “Bordit të Paqes”, të cilën Shtetet e Bashkuara ua kanë dërguar kryeqyteteve të dhjetëra shteteve javët e fundit, një njeri ka fuqinë të vërë veton ndaj vendimeve, ta miratojë agjendën, të ftojë anëtar, ta shpërbëjë plotësisht bordin dhe të caktojë pasardhësin e vet, shkruan "The New York Times".

Emri i tij është i shkruar qartë në Nenin 3.2: “Donald J. Trump do të shërbejë si kryetar inaugurues.”

“Nëse Trumpi, atëherë paqe,” shkroi të dielën në Facebook kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, një nga aleatët më të afërt të presidentit Trump në Evropë, pasi ai e ftoi atë t’i bashkohej bordit. “Ne, sigurisht, e kemi pranuar këtë ftesë të nderuar.”

Dhjetëra vende thanë se do t’i bashkoheshin. Ceremonia e nënshkrimit u mbajt të enjten. Nënshkruan Argjentina, Armenia, Bullgaria, Bahrejni, Azerbajxhani, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Katari, Kosova, Maroku, Pakistan, Paraguai, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan dhe Mongolia.

Shumë zyrtarë dhe ekspertë të çështjeve ndërkombëtare u tronditën nga gjerësia e nismës, shembulli më i fundit i Trumpit se po e shpërbën sistemin ndërkombëtar të ndërtuar nga Amerika pas Luftës së Dytë Botërore dhe po ndërton një të ri, me veten në qendër.

“Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Kombeve të Bashkuara”, tha Marc Weller, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Cambridge, i cili është i specializuar në negociatat e paqes dhe ka punuar ngushtë me organizatën globale. “Kjo nismë ka të ngjarë të shihet si një marrje nën kontroll e rendit botëror nga një individ i vetëm”.

Vetë Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi krijimin e një Bordi të Paqes në nëntor, në një rezolutë që mirëpriste planin e paqes për Gazën të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza. Sipas asaj rezolute, bordi do të funksionojë si një “administratë kalimtare” deri në vitin 2027 për të mbikëqyrur rindërtimin e Gazës.

Por, në zbulimin e Bordit të Paqes javën e kaluar, administrata Trump e ka paraqitur Gazën vetëm si një pjesë të asaj që do të bënte institucioni i ri. Ndërsa kompetencat e tij nuk janë të përcaktuara, misioni i tij do të mbivendosej me synim si të Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Trump e ka dëshmuar veten si një udhëheqës mjaft të aftë dhe agresiv”, tha Fred Fleitz, shefi i kabinetit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për një pjesë gjatë mandatit të parë të Trumpit. “Po përfiton nga kjo.”
Karta e propozuar,  thotë se bordi do të synojë të “sigurojë paqe të qëndrueshme në zona të prekura ose të kërcënuara nga konflikti.”

Steve Witkoff, i dërguari i paqes i Trumpit, i cili u emërua si anëtar i “bordit ekzekutiv” të grupit, i tha CNBC-së se më shumë se 20 vende kishin rënë dakord tashmë të bashkoheshin dhe se Bordi i Paqes do të ishte “një grup i shkëlqyer udhëheqësish që mblidhen së bashku” për “të ndarë opinione për të arritur paqen.” Ai përmendi Rusinë, Ukrainën, Iranin, Sudanin dhe Sirinë si ndër vendet që kishin nevojë për “ndërtim urash marrëdhëniesh.”

“Do të doja që Kombet e Bashkuara të mund të bënin më shumë”, tha Trumpi të martën. “Do të doja të mos kishim nevojë për një Bord Paqeje.”

I pyetur nëse donte që bordi të zëvendësonte Kombet e Bashkuara,  Trump tha se “mundet.” 

“Unë besoj se duhet ta lësh OKB-në të vazhdojë, sepse potenciali është kaq i madh”, tha Trump. 
Vetë Kombet e Bashkuara janë përpjekur të minimizojnë çdo tension. Zëdhënësi Farhan Haq, u tha gazetarëve se OKB-ja “ka bashkëjetuar përkrah një numri organizatash.”

Por mesazhet e paqarta të administratës Trump për Bordin e Paqes i kanë shtuar ndjesinë e marramendjes një janari të jashtëzakonshëm në politikën e jashtme amerikane. Sulmi i SHBA-së ndaj Venezuelës, kërcënimet për goditje ndaj Iranit dhe kërkesat e Trump për të marrë nën kontroll Grenlandën kanë dërguar të gjitha mesazhin se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të ushtrojnë fuqinë e tyre globale në një mënyrë të re, më njëanshme.

Bordi i Paqes, me misionin e tij të shtrirë gjerësisht dhe me Trumpit si kryetar afatgjatë, u shfaq si një përpjekje për të ndërtuar një institucion që të kodifikojë dominimin amerikan që presidenti e parashikon. Norvegjia, Suedia dhe Franca kanë thënë tashmë se nuk kanë ndërmend të bashkohen. Ministri i jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, tha se vendi i tij do t’i thoshte “jo krijimit të një organizate ashtu siç është paraqitur, e cila do të zëvendësonte Kombet e Bashkuara”, sipas Associated Press.

“Lidhja e besimit mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj është thyer”, tha R. Nicholas Burns, ish-ambasador i SHBA-së në NATO, Kinë dhe disa vende tjera. “Tejkalimi nga administrata për Greenlandën dhe gabimi i llogaritjes që kanë bërë ka sjellë vërtet një këndvështrim tjetër evropian dhe kanadez”.

Dy javë më parë, Trump u tërhoq nga 66 organizata ndërkombëtare që administrata e tij i cilësoi si “shpërdoruese, joefektive dhe të dëmshme.” Ai ka sugjeruar se e sheh bordin e tij duke mbushur një pjesë të atij boshllëku — duke i ofruar botës një markë më këmbëngulëse të angazhimit amerikan, të personifikuar nga vetë ai. 

Bordi i Paqes “do të themelohet si një organizatë e re ndërkombëtare”, shkroi Trump në letrën e tij drejtuar Orbanit, të cilën kryeministri hungarez e postoi në internet. Karta e organizatës thotë në rreshtin e saj hapës se “paqja e qëndrueshme” kërkon “guximin për t’u larguar nga qasjet dhe institucionet që shumë shpesh kanë dështuar”.

Fleitz, i cili tani është në Institutin e Politikave Amerika e Para, një institut konservator i afërt me administratën, tha se vendimi për të përfshirë Rusinë dhe Kinën mes anëtarëve të ftuar pasqyronte natyrën e synuar “gjithëpërfshirëse” të bordit.

“Ata duan të ulin mundësinë që vende të ndryshme të përpiqen ta sabotojnë”, tha ai.
Rusia dhe Kina kanë të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndaj ka të ngjarë të shikonin me dyshim çdo dobësim të këtij organi. Por, të dyja kanë tentuar gjithashtu të fitojnë favorin e Trumpit.

Kina ka thënë se ishte e ftuar, por jo nëse do ta pranonte. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjithashtu nuk e pranoi menjëherë ftesën, duke thënë se Ministria e tij e Jashtme duhej ta analizonte çështjen. Por, si një shembull se si vendet mund të përpiqen të përdorin ambiciet e Trumpit për t’i avancuar interesat e tij, Putin shtoi se Rusia ishte e gatshme të kontribuonte 1 miliard dollarë për bordin — me kusht që paratë të vinin nga asetet ruse që u ngrinë në Perëndim pasi Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

Karta e Bordit përcakton tarifën prej 1 miliard dollarësh për vendet që kërkojnë të qëndrojnë më gjatë se një mandat trevjeçar. Një zyrtar amerikan tha të martën se bordi “do të zbatojë kontrollet dhe mekanizmat më të lartë të mbikëqyrjes financiare” për paratë që mbledh, dhe se “fondet do të qëndrojnë vetëm në llogari të miratuara në banka me reputacion.”

Zyrtari amerikan konfirmoi se Trump mund të luajë një rol qendror në bord edhe pas largimit nga presidenca. Trump mund ta mbajë kryesinë “derisa të japë dorëheqjen”, tha zyrtari. “Megjithatë, një president i ardhshëm amerikan mund të zgjedhë të emërojë ose të caktojë përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara në bord”.

Weller, specialist i negociatave të paqes, argumentoi se kontributet e pritshme prej 1 miliard dollarësh mund të dobësonin më tej financimin e OKB-së, agjencive të së cilës Shtetet e Bashkuara u thanë në dhjetor se duhej të “përshtateshin, të tkurren ose të zhdukeshin”.

Ai tha gjithashtu se roli qendror personal i parashikuar për Trumpin ishte ndryshe nga çdo marrëveshje tjetër që kishte parë në përvojën e tij në çështjet ndërkombëtare. Sipas tij, kjo kishte pak gjasa të përfaqësonte një rrugë të qëndrueshme drejt paqes botërore.

“Paqja në botë kërkon një konsensus të gjerë ndërkombëtar”, tha Weller. “Kjo vështirë se mund të krijohet përmes një institucioni të ri që varet tërësisht nga vullneti i një njeriu të vetëm”.