Autoritetet policore në Brazil e kanë akuzuar të enjten ish-presidentin e këtij vendi, Jair Bolsonaro, 70-vjeçar, dhe djalin e tij 41-vjeçar, Eduardo Bolsonaro, për pengim të drejtësisë.
Sipas njoftimit të autoriteteve, dyshja ka tentuar të ndërhyjë në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër ish-presidentit, i cili akuzohet për grusht-shtet pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022.
Policia pretendon se e ka gjetur një dokument në telefonin e Jair Bolsonaros, që sugjeron se ai ka planifikuar të shmangë procedurat penale duke kërkuar azil në Argjentinë.
Autoritetet e kanë akuzuar po ashtu Eduardo Bolsonaron se po lobon në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, për lirimin e babait të tij – që sipas tyre, ka shkaktuar vendosjen e tarifave amerikane ndaj mallrave të Brazilit.
Raporti policor prej 170-faqesh është publikuar dy javë para fillimit të fazës finale të gjykimit, duke e shtuar më tutje trysninë ndaj ish-liderit të Brazilit.
Jair Bolsonaro i ka mohuar akuzat lidhur me përpjekjet për grusht-shtet, pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022 ndaj rivalit kryesor politik, Luiz Inacio Lula da Silva, ka raportuar BBC.
Ai ka hedhur madje dyshime sa i përket paanshmërisë së procesit gjyqësor, tek ka aluduar se është shënjestër e një “gjuetie shtrigash”.
Në muajin korrik, presidenti amerikan Donald Trump i kishte rritur tarifat karshi importeve braziliane në 50 për qind, duke e cituar trajtimin e gjyqësorit ndaj vetë Bolsonaros si njërën ndër arsyet kryesore.
Krahas kësaj, Departamenti amerikan i Shtetit kishte marrë vendim për të ndaluar tetë anëtarë të Gjykatës Supreme të Brazilit që të udhëtojnë në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.