Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka akuzuar presidentin aktual, Donald Trump, për “politikë ledhatuese moderne” në lidhje me qasjen e tij kundrejt Rusisë dhe ka shprehur frikën se Evropa do ta “humb besimin në udhëheqjen e Amerikës”.
Në një intervistë për BBC-në, Bideni ka thënë se qëndrimi i Trumpit përfaqëson një “politikë ledhatuese moderne”, duke iu referuar përpjekjeve të kryeministrit britanik Neville Chamberlain për të qetësuar Adolf Hitlerin në fundin e viteve ‘30.
Sipas tij, përderisa mbizotëron pasiguria në raportet SHBA-Evropë, liderët e shteteve evropiane mund të mbesin duke pyetur se “Çfarë të bëjmë tani?... A mund të mbështetemi te Shtetet e Bashkuara? A do të jenë aty për ne?”
“Kam frikë se aleatët tanë në mbarë botën do të fillojnë të dyshojnë nëse do të qëndrojmë aty ku kemi qenë gjithmonë gjatë 80 vjetëve të fundit”, ka thënë Biden në intervistën e tij të parë prej që është larguar nga Shtëpia e Bardhë.
Bideni gjithashtu ka komentuar ambiciet e presidentit rus, Vladimir Putin, tek i ka quajtur të marrë të gjitha ata politikanë e vendimmarrës që besojnë se Rusia mund të vetëkënaqet me koncesionet territoriale në Ukrainë.
“Ai (Vladimir Putin) beson se Rusia ka të drejtë historike në Ukrainë. Çdokush që mendon se presidenti rus do të ndalojë nëse Kievi lëshon territor është thjesht i marrë”, ka shtuar Biden.