Botë

BE-ja planifikon ta ndalojë importin e gazit rus deri në fund të vitit 2027

Bashkimi Evropian

Foto: Associated Press

Komisioni Evropian ka publikuar një “udhërrëfyes”, ku ka treguar planet për ta ndaluar varësin e Evropës ndaj energjisë ruse në vitet e ardhshme, ka raportuar “BBC”.

Sipas planeve, importi i të gjithë gazit dhe gazit të lëngshëm natyror nga Rusia për anëtarët e Bashkimit Evropian do të ndalohet deri në fund të vitit 2027.

“Nuk do ta lejojmë më Rusinë ta përdorë energjinë si armë kundër nesh... Nuk do të ndihmojmë më indirekt në mbushjen e arkave të luftës (të Kremlinit)”, ka deklaruar  Komisionari Evropian për Energjinë, Dan Jorgensen, në një konferencë për shtyp në Strasburg të martën.

Si përgjigje ndaj planeve, zyrtari i Kremlinit, Dmitry Peskov ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” të martën se Evropa është duke e “qëlluar vetën në këmbë”. 

BE-ja ka premtuar t’i përfundojë marrëdhëniet e saja të energjisë me Rusinë, pasi kjo e fundit nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Një seri e propozimeve legjislative do të publikohen në qershor që kërkon nga vendet anëtare të BE-së të zhvillojnë “plane kombëtare” për tu larguar gradualisht nga gazi rus dhe importet e naftës, sipas Komisionit Evropian. 

Shtetet anëtare të BE-së duhet të dorëzojnë strategji mbi zëvendësimin e importeve të naftës ruse deri në fund të 2027-s.

Vendeve po ashtu i është kërkuar që të vendosin strategji për ndalimin e importeve të uraniumit, uraniumit të pasuruar dhe materialeve të tjera nukleare që vinë nga Rusia.

Varësia e BE-së ndaj naftës, gazit dhe karburanteve nukleare ruse ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë, por blloku akoma importon sasi të mëdha të energjisë nga Rusia.

Sipas raportit, importet e gazit rus nga shtetet e BE-së kanë rënë nga 45% në vitin 2021 në 19% në vitin 2024.

Po ashtu importet e naftës ruse kanë rënë nga 27% në fillim të 2022-tës në 3% tani. 

Sipas raportit duhet të punohet për të reduktuar varësinë e bllokut në furnizimet nukleare, produktet dhe shërbimet nga Rusia,  pasi më shumë se 14% e uraniumit në BE u importua nga Rusia në vitin 2024. 

Varësia e BE-së në gazin, naftën dhe karburantet nukleare ruse shkakton “rreziqe ndaj ekonomisë dhe sigurisë sonë” dhe e mbështet financiarisht ekonominë e luftës së Rusisë, shkruhej në raport. 

Plani i veprimit përfshin gjithashtu plane për të ndikuar në “flotave në hije” që Rusia  përdor - cisterna nafte “me pronësi dhe sigurim të paqartë” për të ruajtur eksportet e saj të naftës dhe për të anashkaluar sanksionet.