Botë

Autoritetet turke zgjerojnë valën e arrestimeve, nën pranga edhe 40 zyrtarë të tjerë të opozitës

st

Foto: Associated Press

Autoritetet turke e kanë arrestuar të premten kryetarin e komunës së Beyoglut në Stamboll, Inan Guney, së bashku me 40 zyrtarë të tjerë, duke e zgjeruar valën e arrestimeve kundër partive opozitare në vend.

Guney është dërguar menjëherë në paraburgim si pjesë e hetimit për korrupsion, teksa nën pranga janë vendosur edhe truproja, këshilltari dhe ndihmësi i tij, sipas gazetës turke Birgun.

Komuna e Beyoglut udhëhiqet nga subjekti kryesor opozitar në Turqi, Partia Popullore Republikane (CHP). Ndërkohë, shumë komuna nën kontrollin e CHP-së janë përballur me valë të madhe arrestimesh gjatë këtij viti, duke nisur me burgosjen e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në muajin mars.

Imamoglu është kandidati i CHP-së për president në zgjedhjet e ardhshme, teksa arrestimi i tij ka nxitur protestat më të mëdha kombëtare që nga ato të vitit 2013.

Por përtej Imamoglut, analiza e agjencisë së lajmeve Reuters ka zbuluar se më shumë se 500 persona janë ndaluar dhe marrë në pyetje që nga fillimi i hetimeve në tetor të vitit të kaluar.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se hetimet e kanë në shënjestër atë që e ka kualifikuar si rrjet të korruptuar që, siç ka thënë ai, është si “një oktapod me krahë që shtrihen nëpër pjesë të tjera të Turqisë dhe jashtë saj”.

Edhe pse zgjedhjet e ardhshme presidenciale nuk janë planifikuar të mbahen deri në vitin 2028, ato mund të zhvillohen më herët nëse Erdogani ka dëshirë të rikandidojë. Ai gjithashtu mund të kërkojë ta ndryshojë kufirin kushtetues prej dy mandateve.

Kritikët kanë argumentuar se fushata e gjerë ligjore është e motivuar politikisht dhe se ka për qëllim të eliminojë rivalët politik të Erdoganit.

Ndërkaq, Qeveria turke ka këmbëngulur se gjykatat funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje politike.