Botë

Parandalohet një plan i dyshuar terrorist për natën e Vitit të Ri në Los Anxhelos

bbc

Autoritetet federale në Los Anxhelos kanë parandaluar një plan të dyshuar terrorist për natën e Vitit të Ri, i cili dyshohet se ishte organizuar nga një grup ekstremist, kanë bërë të ditur zyrtarët.

Katër persona, të dyshuar si anëtarë të grupit Turtle Island Liberation Front, një degë e një grupi pro-palestinez dhe antiqeveritar, janë arrestuar nën dyshimin se po planifikonin një sulm të koordinuar me bomba në së paku pesë lokacione në Kaliforninë Jugore, kanë njoftuar FBI-ja dhe autoritetet e rendit në Los Anxhelos të hënën.

Sipas zyrtarëve, të dyshuarit janë arrestuar javën e kaluar teksa po udhëtonin drejt një zone shkretinore në lindje të Los Anxhelosit, ku synonin të testonin mjete shpërthyese të improvizuara.

FBI-ja ka bërë të ditur se beson se ka “ndërprerë planin”, por hetimet për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë po vazhdojnë.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, ka shkruar të dielën në platformën X se agjencitë e sigurisë kanë parandaluar ekstremistë të “së majtës ekstreme” nga zbatimi i “një plani terrorist masiv dhe të tmerrshëm”.

Të arrestuarit janë identifikuar si Audrey Illeene Carroll, 30 vjeçe; Zachary Aaron Page, 32 vjeç; Dante Gaffield, 24 vjeç dhe Tina Lai, 41 vjeçe. Ata përballen me akuza që përfshijnë komplot dhe posedim të një mjeti shkatërrues të paregjistruar, sipas padisë së dorëzuar në Gjykatën Federale për Distriktin Qendror të Kalifornisë.

Sipas autoriteteve, më 12 dhjetor grupi kishte udhëtuar drejt shkretëtirës me “kimikate paraprake” dhe dyshohet se synonte të prodhonte bomba. Gjatë një konference për media të hënën u bë e ditur se një avion vëzhgimi ka regjistruar lëvizjet e tyre, ndërsa njësia speciale SWAT e FBI-së në Los Anxhelos, në bashkëpunim me FBI-në, ka ndërhyrë dhe i ka arrestuar pa incidente.