Ka arritur në 83 numri i të vdekurve nga zjarri që ka shpërthyer të mërkurën në një kompleks banesash të larta në Hong Kong, raporton agjencia "AP".
Për të dytën ditë rresht, zjarrfikësit kanë vazhduar përpjekjet për t’i shuar flakët.
Zjarri, i cili shkatërroi shtatë nga tetë ndërtesat në lagjen Tai Po, është vënë nën kontroll, ka thënë udhëheqësi i Hong Kongut, John Lee.
Ai tha të enjten se është humbur kontakti me 279 persona, që kanë qenë në ndërtesat e kompleksit Wang Fuk Court.
“Jam thellësisht i tronditur nga zjarri i nivelit 5 që shpërtheu dje pasdite në Wang Fuk Court në Tai Po, i cili shkaktoi shumë viktima...Ne do të ofrojmë çdo mbështetje të mundshme”, ka deklaruar Lee.
Zjarrfikësit janë përpjekur t’i kontrollojnë flakët që nga e mërkura pasdite, kur besohet se zjarri filloi në skelat prej bambuje dhe në rrjetën mbrojtëse të ndërtimit, për t’u përhapur më pas në shtatë nga tetë ndërtesat e kompleksit.
Wong Ka-Wing, i cili është zëvendësdrejtor i Shërbimit të Zjarrfikësve, tha se ndërhyrja ka qenë sfiduese.
“Sfida jonë më e madhe është temperatura shumë e lartë në vendin ku shpërtheu zjarri. Për më tepër, plani i brendshëm i ndërtesave është shumë i komplikuar, sepse skelat janë shembur”, ka thënë Ka- wing.
E të enjten herët u shpërndanë ushqime, ujë dhe rroba në një shkollë ku janë strehuar banorët e ndërtesave ku shpërtheu zjarri.
Tse Kam-fai, 70 vjeç, banor i kompleksit Wang Fuk Court, i cili gjeti strehim në shkollë, tha se zjarri ishte masiv dhe dukej si në film.
“Zjarri ishte jashtëzakonisht i madh. Më vonë u bë edhe më i fuqishëm dhe përfshiu ndërtesën tonë. Dukej sikur skenë filmi”, ka deklaruar Kam- fai.
Zyrtarët thanë të enjten pasdite se zjarri në katër ndërtesa është shuar plotësisht, ndërsa tri kullat e tjera janë nën kontroll.
E Komisioni i Pavarur Kundër Korrupsionit (ICAC) i Hong-Kongut ka njoftuar se do të nisë hetim penal mbi punimet e rinovimit në kompleksin e banesave Wang Fuk Court.
Nëpërmjet një deklarate, ky komision bëri të ditur se ka krijuar një grup pune të posaçëm për të kryer hetim të plotë mbi korrupsionin e mundshëm në lidhje me punimet e mëdha të rinovimit.
Wang Fuk Court ka qenë kompleks banesor për rreth 4.600 banorë.