Botë

Armëpushimi në Gazë mund të arrihet brenda disa ditësh, thonë zyrtarët izraelitë

Gaza

Foto: Associated Press

Një marrëveshje e armëpushimit mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, është afër të arrihet porse nevojiten edhe disa ditë të tjera për ta finalizuar, kanë bërë të ditur disa zyrtarë izraelitë të martën.

Këto njoftime bëhen në kohën kur negociatat indirekte ndërmjet përfaqësuesve të Izraelit dhe Hamasit po vazhdojnë në Katar, si dhe krahas presionit që presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për t’u dakorduar sa më shpejt rreth marrëveshjes që i jep fund luftës.

Armëpushimi i propozuar ka për qëllim lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura në Rripin e Gazës nëpërmes disa fazave, tërheqjen e trupave ushtarake të Izraelit nga disa pjesë të enklavës dhe diskutime të mëtejme që i japin fund luftës në mënyrë të përhershme.

Siç ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, zyrtarë të lartë izraelit kanë thënë para gazetarëve në Washington se mund të duhen edhe disa ditë të tjera për të konkretizuar marrëveshjen në Doha, porse nuk elaboruan më shumë.

Deputeti izraelit, Zeev Elkin, i cili është pjesë e kabinetit të sigurisë së Netanyahut, ka bërë të ditur se ka “gjasa substanciale” që armëpushimi do të dakordohet. “Hamasi dëshiron të ndryshojë disa çështje qendrore, s’është e thjeshtë, por ka përparim”, ka thënë Elkin për transmetuesin publik izraelit Kan.

Sipas raportimeve, Hamasi ka kërkuar prej kohësh që lufta të përfundojë para se të lirojë të gjitha pengjet e mbajtura, përkundër Izraelit që ka këmbëngulur se nuk do t’i ndërpresë luftimet derisa të lirohen të gjitha pengjet dhe Hamasi të shpërbëhet përfundimisht.