Botë

Ambiciet e Trumpit për Grenlandën përçajnë MAGA-n dhe të djathtën ekstreme evropiane

Trump - Orban

Përçarjet e thella brenda vetë lëvizjes Make America Great Again (MAGA) për qasjen e Trumpit ndaj politikës së jashtme janë reflektuar edhe në Evropë. Veprimet e tij lidhur me Grenlandën, Venezuelën dhe Iranin i kanë detyruar aleatët e tij politikë evropianë të vënë bindjet ideologjike mbi nënshtrimin ndaj presidentit amerikan... Një çarje e tillë mes Trumpit dhe aleatëve të tij në Evropë ishte e papritur për shumëkënd

Tensionet rreth planeve të presidentit të shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, për të marrë kontrollin e Grenlandës kanë krijuar një përçarje në lidhjen dikur të fortë midis MAGA-s (shkurtimi i sloganit “Make America Great Again”, një lëvizje politike nacionaliste e lidhur ngushtë me Donald Trump, e cila promovon interesat amerikane mbi bashkëpunimin ndërkombëtar) dhe të djathtës ekstreme të Evropës.

Kjo çarje duket që sinjalizon se vetëm përafrimi ideologjik mund të mos jetë i mjaftueshëm për të zbutur shqetësimet midis nacionalistëve evropianë mbi ndërhyrjen e Trumpit jashtë vendit.

Udhëheqësit e ekstremit të djathtë në Gjermani, Itali dhe Francë kanë kritikuar ashpër planet e Trumpit për Grenlandën. Edhe Nigel Farage, kreu i partisë nacionaliste Reform UK dhe aleat i hershëm i Trumpit, i ka quajtur lëvizjet e tij për Grenlandën “akt shumë armiqësor”.

Gjatë një debati në Parlamentin Evropian, të martën e kaluar ligjvënësit e ekstremit të djathtë zakonisht të përafruar me Trumpin mbështetën me shumicë dërrmuese ndalimin e një pakti tregtar midis Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-së për shkak të shqetësimit të tyre me kërcënimet e tij, duke i quajtur ato “kërcënime për sovranitetin”.

Partnerët transatlantikë të MAGA-s

Një çarje e tillë mes Trumpit dhe aleatëve të tij evropianë ishte e papritur për shumëkënd.
Partitë e ekstremit të djathtë u ngjitën në pushtet në vitin 2024 në mbarë BE-në, duke tronditur forcat tradicionale në të 27 vendet e bllokut, nga Spanja në Suedi. Grupimet e tyre politike tani mbajnë 26% të vendeve në Parlamentin Evropian, sipas Institutit Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Më pak se një vit më parë, partitë e ekstremit të djathtë në Evropë u mblodhën në Madrid për të festuar zgjedhjen e Trumpit nën sloganin “Make Europe Great Again”, ndërsa Elon Musk, para se të ftoheshin marrëdhëniet e tij me Trumpin, kishte promovuar në platformën X influencues dhe figura të ekstremit të djathtë evropian, përfshirë partinë gjermane “Alternativa për Gjermaninë” (AfD).
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u përball me kritika të ashpra në Gjermani dhe në mbarë Evropën pasi u takua me udhëheqësen e AfD-së, Alice Weidel, gjatë zgjedhjeve të shkurtit. Partia, me të cilën forcat kryesore politike refuzojnë të bashkëpunojnë, tronditi politikën gjermane duke dyfishuar praninë e saj në Bundestag dhe duke u bërë partia e dytë më e madhe në vend.
Megjithatë, përçarjet e thella brenda vetë MAGA-s për qasjen e Trumpit ndaj politikës së jashtme janë reflektuar edhe në Evropë. Veprimet e tij lidhur me Grenlandën, Venezuelën dhe Iranin i kanë detyruar aleatët e tij politikë të vënë bindjet ideologjike mbi “nënshtrimin” ndaj presidentit amerikan.

Distancimi nga Trumpi

Partia franceze e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, ka shfaqur herë pas here afërsinë e saj ideologjike me Trumpin, veçanërisht për çështjen e emigracionit.

Një vit më parë, partia dërgoi një nga figurat e saj të larta, Louis Aliot, për të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit. Nga ana tjetër, Trumpi e ka mbrojtur fuqishëm udhëheqësen e partisë, Marine Le Pen dhe e ka quajtur “gjueti shtrigash” dënimin e saj për përvetësim të fondeve të BE-së. 
Jordan Bardella, presidenti 30-vjeçar i Tubimit Kombëtar dhe eurodeputet, ka vlerësuar lartë qëndrimet nacionaliste të Trumpit, duke deklaruar për BBC-në muajin e kaluar se në demokracitë perëndimore po përhapej një “frymë lirie dhe krenarie kombëtare”.

Por, ditët e fundit Bardella duket se është distancuar nga administrata amerikane. Në fjalimin e tij të Vitit të Ri, ai kritikoi ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së në Venezuelë për kapjen e presidentit Nicolas Maduro, duke e quajtur “ndërhyrje të huaj” në shërbim të “interesave ekonomike të kompanive amerikane të naftës”.

Duke shkuar edhe më tej, Bardella të martën e kaluar Bardella kritikoi atë që e quajti “shantazh tregtar” nga ana e Trumpit në lidhje me Grenlandën.

“Nënshtrimi ynë do të ishte një gabim historik”, ka thënë Bardella.
Një tjetër aleate e Trumpit, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e përforcoi këtë qëndrim. Në një intervistë për televizionin Rai të mërkurën e javës që shkoi, ajo tha se i kishte thënë Trumpit gjatë një telefonate, se kërcënimi i tij me tarifa për Grenlandën ishte “një gabim”.

Hezitimi i krahut lindor të BE-së për të kritikuar

Megjithatë, reagimet mes liderëve të djathtë evropianë nuk kanë qenë të njëtrajtshme. Kryeministri hungarez Viktor Orban, i konsideruar gjerësisht si pararendësi i populizmit joliberal të stilit Trump, është treguar i kujdesshëm për të shmangur edhe kritikën më të vogël ndaj presidentit amerikan.
Duke u përballur me atë që pritet të jetë zgjedhja më e vështirë e 16 vjetëve të tij në pushtet në prill, Orban e ka ndërtuar identitetin e tij politik mbi afërsinë me Trumpin, duke u premtuar votuesve se marrëdhënia e ngushtë me presidentin do të sjellë përfitime të mëdha.
Orban këmbëngul se Trumpi është shpresa e vetme e Evropës për paqe mes luftës në Ukrainë dhe garantues i sovranitetit kombëtar.

Orbani ka synuar t’i paraqesë kërcënimet e Trumpit për Grenlandën dhe rrëzimin e Maduros ose si të dobishme për Hungarinë, ose si çështje që nuk e prekin atë.

“Është një çështje e brendshme… Është një çështje e NATO-s,” tha Orban për planet e Trumpit për Grenlandën gjatë një konference shtypi këtë muaj, duke shtuar se çdo ndryshim i propozuar i sovranitetit të Grenlandës mund të diskutohet brenda NATO-s.

Pavarësisht mbrojtjes së fortë të sovranitetit kombëtar, Orban gjithashtu lavdëroi veprimin amerikan në Venezuelë, duke e quajtur vendin një “narko-shtet” dhe duke sugjeruar se nga largimi i Maduros mund të përfitonte Hungaria përmes çmimeve më të ulëta të naftës në tregjet botërore.

Hezitimi i Hungarisë për t’iu kundërvënë veprimeve të Trumpit pasqyroi qëndrime të ngjashme mes liderëve të ekstremit të djathtë në krahun lindor të BE-së.

Presidenti polak Karol Nawrocki, i konsideruar aleat i Orbanit dhe Trumpit, javën që shkoi, në Davos tha se tensionet mbi Grenlandën duhet të zgjidhen “në mënyrë diplomatike” mes Uashingtonit dhe Kopenhagës, jo nga një koalicion më i gjerë evropian. Ai u bëri thirrje liderëve të Evropës Perëndimore të zbusin kundërshtimet e tyre ndaj sjelljes së Trumpit.

Në Republikën Çeke, fqinje, kryeministri dhe aleati i Trumpit, Andrej Babis, ka refuzuar të flasë kundër kërcënimeve amerikane për Grenlandën dhe ka paralajmëruar kundër lejimit që BE-ja ta kthejë këtë çështje në konflikt me Trumpin. Në Sllovaki, kryeministri, Robert Fico, ka heshtur për planet e Trumpit për Grenlandën, edhe pse u takua me presidentin në resortin e tij Mar-a-Lago javën e kaluar.
Megjithatë, rrëzimi i Maduros nga Trumpi shaktoi reagimin e Ficos, duke e shtyrë atë të “dënojë pa ekuivok” veprimin, duke e quajtur atë një “rrëmbim” dhe “aventurën më të fundit amerikane për naftë”.

Përçarje më të thella

“Ideologjia që lidh MAGA-n me aleatët e saj evropianë mund t’u mbijetojë mosmarrëveshjeve të fundit duke u mbështetur edhe më fort në pakënaqësitë e vjetra dhe të përbashkëta”, tha Daniel Hegedus, drejtor për Evropën Qendrore në “German Marshall Fund”.

Hegedus gjithashtu theksoi se ligjvënësit e ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian kanë votuar së fundmi kundër udhëheqjes së Brukselit, duke kundërshtuar paktin e migracionit të BE-së dhe duke refuzuar miratimin e marrëveshjes masive tregtare midis BE-së dhe bllokut tregtar të njohur si Mercosur, anëtare themeluese të të cilit janë pesë vende të Amerikës së Jugut (Brazili, Argjentina, Paraguai, Uruguai dhe Venezuela, anëtar i pezulluar aktualisht për arsye politike dhe shkelje të të drejtave demokratike).

“Nëse Trumpi vazhdon në këtë rrugë, duke paraqitur një kërcënim për sovranitetin e vendeve evropiane, atëherë sigurisht që kjo do ta ndajë të djathtën radikale evropiane”, tha ai.
Hegedus thotë se nuk është e qartë nëse kjo ndarje do të zgjasë apo nëse ata do të mund t’i bashkojnë sërish forcat rreth çështjeve ku mund të bashkëpunojnë, si emigracioni, mbrojtja e sovranitetit kombëtar, politikat ekonomike proteksioniste dhe kundërshtimi i disa marrëveshjeve të BE-së.

“Këto çështje mund të jenë mjaftueshëm të dëmshme për Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.