Udhëheqësit evropianë kanë thënë se ka më tepër punë për t’u bërë për të marrë garanci sigurie për Ukrainën, ndërsa presioni nga Washingtoni mbi Kievin po rritet për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë, raporton “BBC”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është takuar të hënën në Londër me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merez, për të diskutuar për versionin e fundit të planit për paqe, të hartuar gjatë bisedimeve mes zyrtarëve ukrainas dhe atyre amerikanë javën e kaluar.
Pas takimit, Franca tha se puna do të “intensifikohet” për të ofruar garanci sigurie për Kievin.
Zelensky më pas ka udhëtuar në Bruksel për t’u takuar me zyrtarët e NATO-s dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Përpara bisedimeve në Downing Street, Starmer tha se duhet të ketë “garanci të rrepta sigurie” në një marrëveshje paqeje për Ukrainën.
E kancelari gjerman Merz deklaroi se është “skeptik” në lidhje me disa nga detajet e planit të mundshëm të paqes të cilat vijnë nga pala amerikane.
“Por, ne duhet të flasim për këtë. Kjo është arsyeja pse jemi këtu”, tha Merz.
Në Kiev dhe nëpër Evropë ekziston një nervozizëm se SHBA-ja mund t’i japë fund mbështetjes për Ukrainën për shkak të përparimit të ngadaltë të negociatave.
“Ne nuk mund t’ia dalim a amerikanët, nuk mund t’ia dalim pa Evropën dhe për këtë arsye duhet të marrim disa vendime të rëndësishme”, tha Zelensky në Londër.
Javën e kaluar, zyrtarët ukrainas kaluan tre ditë në Florida duke diskutuar me zyrtarët amerikanë, ndërsa kanë shtyrë për ndryshime në një propozim paqeje të mbështetur nga SHBA-ja, që është konsideruar gjerësisht i favorshëm për Rusinë.
Ukraina po kërkon garanci sigurie e cila në rast të një marrëveshjeje paqeje, do ta dekurajonte Rusinë nga kryerja e një pushtimi apo sulmi tjetër.
Çështja e lëshimeve territoriale mbetet gjithashtu pikë ngërçi mes Moskës e Kievit. SHBA-ja ka propozuar që Ukraina t’i tërheqë plotësisht forcat e saja nga rajonet lindore të cilat Rusia është përpjekur t’i marrë me forcë, por nuk ka qenë në gjendje t’i pushtojë plotësisht. Në këmbim do të tërhiqen forcat ruse nga pjesët tjera dhe do të ndërpriten luftimet.
Por, ky është opsion i papranueshëm për Zelenskyn, që refuzon ta shpërblejë agresionin rus dhe që ka paralajmëruar se Rusia do t’i përdorte rajonet lindore për të lansuar sulme tjera ndaj Ukrainës.
Ndonëse Shtëpia e Bardhë ka shtyrë që Kievi e Moska të bien dakord shpejt në një plan shumëpikësh për t’i dhënë fund luftës, ka pasur pak shenja për një përparim.
Një takim pesëorësh mes emisarit amerikan Steve Witkoff dhe presidentit rus Vladimir Putin në Moskë javën e kaluar nuk dha rezultate të prekshme.
Këto bisedime u pasuan nga tri ditë diskutime mes kryenegociatorit ukrainas Rusem Umerov dhe homologëve të tij amerikanë në Miami, të cilat rezultuan në deklarata të paqarta, por pozitive të “përparimit” nga të dyja palët.
Megjithatë, të dielën presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se presidenti i Ukrainës, Zelensky nuk e ka lexuar draftin e marrëveshjes së rishikuar.
“Jam i zhgënjyer që presidenti Zelensky nuk e ka lexuar ende propozimin”, ka thënë Trump, ndërsa ka insistuar se presidenti rus Putin është “dakord me të”.
Pothuajse njëkohësisht Zelensky deklaroi se priste të informohej mbi negociatat nga Umerovi të hënën në Londër apo Brukjsel.
“Disa çështje mund të diskutohen vetëm personalisht”, tha ai.
Bisedimet në Londër ishin tentim i radhës nga aleatët evropianë të Ukrainës për të siguruar një rol në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Liderët evropianë kanë frikë se do të dëmtohen interesat afatgjata të kontinentit në favor të një zgjidhjeje të shpejtë.
Pavarësisht presionit të konsiderueshëm ekonomik dhe humbjeve të vazhdueshme në fushëbetejë, Kremlini ka treguar pak shenja se është i gatshëm të bëjë kompromis mbi kërkesat e veta kryesore, përfshirë këtu edhe përjashtimin e çdo mundësie që Ukraina t’i bashkohet NATO-s.
Javën e kaluar, Putini gjithashtu riafirmoi gatishmërinë e tij për t’i vazhduar luftimet derisa forcat e tij të marrin kontrollin e plotë të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, 85 % të cilave aktualisht janë pushtuar nga forcat ruse.
Ndërsa bisedimet në SHBA dhe Evropë vazhdojnë, po vazhdon edhe lufta.
Mes të dielës dhe të hënën, gjithsej 10 persona janë vrarë e 47 janë plagosur, ndërsa forcat ruse sulmuan nëntë rajone duke përdorur dronë, bomba rrëshqitëse dhe raketa.
Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia filloi në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, mijëra civilë dhe ushtarë janë vrarë ose plagosur, ndërsa qytetet e Ukrainës vazhdojnë të sulmohen pothuajse çdo natë.