Botë

Demokratët kërkojnë largimin e agjentëve federalë nga Minesota pas vrasjes së një burri

SHBA

Demokratët kanë kërkuar që agjentët federalë të emigracionit të largohen nga Minesota, pasi një agjent i Patrullës Kufitare të SHBA-së qëlloi për vdekje një burrë në Minneapolis. Ngjarja ka nxitur protesta masive, duke mbledhur qindra qytetarë në rrugët e qytetit pavarësisht temperaturave të ulëta, dhe ka rritur tensionet në një qytet që ende po përballet me pasojat e një tjetër vrasjeje me armë zjarri disa javë më parë.

Familjarët e viktimës e kanë identifikuar atë si Alex Pretti, 37 vjeç, infermier në njësinë e kujdesit intensiv, i cili kishte protestuar kundër masave të ashpra të emigracionit të presidentit Donald Trump në qytetin e tij. Pas të shtënave, një numër i madh protestuesish u mblodh në vendin e ngjarjes, ndërsa u përplasën me oficerët federalë, të cilët përdorën shkopinj gome dhe granata shpërthyese për shpërndarjen e turmës.

Autoritetet kanë bërë të ditur se Garda Kombëtare e Minesotës po asiston policinë lokale me urdhër të guvernatorit Tim Walz. Trupat e Gardës janë dërguar si në vendin e të shtënave, ashtu edhe pranë një ndërtese federale, ku oficerët federalë janë përballur çdo ditë me protestues.

Shefi i Policisë së Minneapolisit, Brian O’Hara, ka deklaruar se informacionet për rrethanat që çuan në të shtënat janë ende të kufizuara. Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Tricia McLaughlin, ka thënë se agjentët federalë ishin duke zhvilluar një operacion dhe kishin shtënë në vetëmbrojtje, pasi një burrë i armatosur me pistoletë u ishte afruar dhe kishte rezistuar dhunshëm gjatë përpjekjes për çarmatim.

Ngjarja ka rikthyer debatet për përdorimin e forcës nga agjentët federalë dhe për operacionet e emigracionit në qytetet amerikane, ndërsa zyrtarë lokalë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike kanë kërkuar hetim të plotë dhe transparencë për rastin.