Botë

Afro 70 shkolla do të mbyllen në Australi për shkak të asbestit në rërën për lojëra

Rera

Një total prej 69 shkollash në Territorin e Kryeqytetit Australian (ACT) do të detyrohen të mbyllen të hënën pasi rëra me ngjyrë për lojëra u tërhoq për shkak të rrezikut të përmbajtjes së asbestit, ka njoftuar qeveria.

Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorit (ACCC) ka thënë se kishte një rrezik "të ulët" që asbesti të mund të përhapej në ajër ose të bëhej mjaftueshëm i imët për thithje.

Inspektimet e shkollave janë duke u zhvilluar dhe mund të "zgjatin me ditë", sipas ministres së Arsimit e ACT, Yvette Berry, në një postim në Facebook. Ajo ka shtuar se testet e ajrit deri më tani kanë rezultuar "negative ndaj asbestit në ajër" nga të gjitha shkollat.

Kjo vjen pasi disa shkolla dhe nivele parashkollore në rajon u mbyllën plotësisht ose pjesërisht të premten, për shkak të një paralajmërimi mbi rreziqet e asbestit në rërën me të cilën luajnë fëmijët, të shitur nga Officeworks.

Vullnetarët e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave dhe stafi i shkollës kanë ecur nëpër ndërtesa dhe "kanë hartëzuar të gjithë rërën me ngjyrë që kanë parë" gjatë fundjavës, ka shtuar Berry.

Ajo ka thënë se pavarësisht rrezikut minimal, qeveria "detyrohet të eliminojë rrezikun sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë të arsyeshme".

Deri në 23 shkolla do të mbeten të hapura pasi ato ose kanë "stoqe të vogla" të rërës ose nuk kanë asnjë produkt.

Asbesti, dikur i përdorur gjerësisht në materialet e ndërtimit, mund të lëshojë fibra toksike në ajër nëse preket ose përpunohet, të cilat mund të ngjiten në mushkëri dhe, me kalimin e dekadave të shkaktojnë kancer.

Importi ose eksporti i asbestit ose mallrave që përmbajnë asbest është i ndaluar sipas ligjit australian.