Partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) ka trefishuar mbështetjen e saj në zgjedhjet lokale të dielën, në rajonin më të populluar të Gjermanisë.
Sipas rezultateve të exit polleve të daljes në votime në rajonin perëndimor North Rhine-Westfalia, Kristian Demokratët e Merzit (CDU) fituan me 34%, afërsisht ngjashëm me rezultatin e tyre në vitin 2020, dërsa AfD-ja ka siguruar 16.5%.
North Rhine-Westfalia, shtëpi e pothuajse një të katërtës së qytetarëve të Gjermanisë dhe e përbërë nga sipërfaqe toke bujqësore, qytete dhe qyteza post-industriale me popullsi të madhe multietnike dhe studentore, shihet si një lloj treguesi për vendin në tërësi.
Pothuajse 14 milionë njerëz kishin të drejtë vote, ekuivalent me madhësinë e disa vendeve të BE-së, dhe më i madh se elektorati i të gjitha shteteve të Gjermanisë Lindore, ku AfD-ja është më e forta.
Vota përcakton 20,000 vende në këshillat e më shumë se 320 qyteteve, qytezave dhe komunave, si dhe pozicionet e kryetarëve të bashkive në të gjithë shtetin. Dalja e votuesve ishte 59%, më shumë se në vitin 2020.
CDU-ja konservatore e Merzit përmbushi parashikimet se do të ruante pozicionin e saj dominues në shtet. Social Demokratët, partneri i saj i vogël i koalicionit në qeverinë federale, u renditën të dytët me 22.5%, një rënie e vogël nga rezultati i tyre në vitin 2020. SPD-ja ka pasur vështirësi në ruajtjen e mbështetjes në disa zona, veçanërisht në ish-rajonet e minierave të qymyrit ku dikur ishte e sigurt për fitoren.
Paraqitja e fortë e AfD-së i përmbushi parashikimet e anketuesve, duke trefishuar pozicionin e saj nga pesë vjet më parë kur siguroi vetëm 5.1%, dhe duke u dhënë kandidatëve të saj që kandidojnë për poste kryebashkiake një shans të konsiderueshëm për të arritur votat në rundin e dytë që do të mbahet brenda dy javësh.