Një zjarr i madh që po përhapet me shpejtësi, i nxitur nga erërat e forta, e ka detyruar aeroportin e Marsejës në Francë të anulojë të gjitha fluturimet.
Zjarri po i afrohet qytetit të dytë më të madh të Francës, kanë thënë zyrtarët, teksa zjarrfikësit përreth Mesdheut luftojnë me flakët e shkaktuara nga një valë e fortë nxehtësie, raporton The Guardian.
Prefektura e rajonit Provence-Alpes-Côtes d'Azur lëshoi një alarm të martën duke u bërë thirrje banorëve të Marsejës të qëndrojnë brenda, të mbyllin dyert dhe dritaret dhe të varin rrobat e lagura rreth hapjeve për të shmangur rrezikun e thithjes së tymit.
Rrugët duhet të mbahen të lira për shërbimet e emergjencës, ka thënë prefektura. Bashkia e Marsejës tha se zjarri po përhapet, duke kërkuar që të shmangen të gjitha aktivitetet në natyrë dhe të mos bllokohen rrugët e qasjes në rast emergjence.
Aeroporti i Marsejs ka njoftuar se ka pezulluar të gjitha fluturimet rreth mesditës, menjëherë pasi flakët shpërthyen jashtë qytetit të afërt Les Pennes-Mirabeau. Mediat lokale raportuan se shkaku duket se ka qenë një automjet që u përfshi nga flakët në autostradën A552.
Nisjet për në Bruksel, Mynih dhe Napoli janë anuluar ndërsa fluturimet hyrëse u devijuan në aeroportet e afërta, duke përfshirë Nicën dhe Nimen. Marseja është aeroporti i dytë më i madh rajonal i Francës, me 11 milionë pasagjerë vitin e kaluar.
Bashkia e Marsejës ka bërë të ditur se 720 zjarrfikës po luftojnë me flakët me 220 automjete emergjence, të ndihmuar nga helikopterë dhe aeroplanë.
Rreth 350 hektarë tokë raportohet të jenë djegur deri në fund të pasdites.