Izraeli ka goditur disa caqe në Iran, duke dëmtuar zonën e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe duke vrarë komandantët kryesorë ushtarakë e shkencëtarët bërthamorë në Teheran.
Pas valës së parë të sulmeve të enjten në mbrëmje, Irani ka thënë se Izraeli ka sulmuar “objektivat nukleare paqësore”. Pas kësaj, Irani ka nisur sulmet hakmarrëse ajrore ndaj Izraelit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se Natanzi po funksiononte nën monitorimin e mbikëqyrësit ndërkombëtar, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), dhe se sulmet në fabrikë kanë rrezikuar “katastrofë radiologjik”.
Gjithsesi, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se operacioni ka qenë i domosdoshëm për të “ndalur kërcënimin iranian ndaj ekzistencës së Izraelit”.
Ai ka thënë se Izraeli ka vepruar sepse “po të mos ndalej, Irani do të prodhonte armë bërthamore në një periudhë të shkurtër kohore”.
“Mund të jetë një vit. Mund të jenë pak muaj”, ka thënë ai.
Izraeli besohet se ka armë bërthamore, edhe pse nuk është konfirmuar apo mohuar kurrë.
A ka dëshmi se Irani po punonte në armë bërthamore?
Ushtria e Izraelit ka thënë se ka mbledhur informata të inteligjencës që kanë treguar se “ka përparim konkret në përpjekjet e regjimit në Iran për të prodhuar komponentë armësh të përshtatur për një bombë bërthamore”, përfshirë një bërthamë metalike uraniumi dhe një iniciator burimi neutroni për të shkaktuar shpërthim bërthamor.
Kelsey Davenport, drejtoreshë për politikën e mospërhapjes në Shoqatë e Kontrollit të Armëve me seli në SHBA, ka thënë se kryeministri i Izraelit, nuk ka ofruar asnjë provë të qartë ose bindëse se Irani është në prag të armatosjes me armë bërthamore.
“Irani prej muajsh ka qenë afër pikës që mund të prodhojë armë të tilla. Prandaj deklarimi se Irani mund të zhvillojë armë të tilla për pak muaj, s’është i ri”, ka thënë ajo për BBC-në.
Ajo ka thënë se disa prej aktiviteteve nukleare të Iranit mund të jenë për zhvillimin e një bombe, por agjencitë e inteligjencës amerikane kanë vlerësuar se Irani s’është angazhuar në punën kryesore të armatimit.
Në mars, drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, i ka thënë Kongresit se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit ishin “në nivelet më të larta” dhe “të paprecedentë për një shtet pa armë bërthamore”.
Por ajo ka thënë po ashtu se komuniteti amerikan i inteligjencës vazhdon të mendojë se Irani nuk është duke ndërtuar armë bërthamore dhe se lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei nuk ka autorizuar programin e armëve bërthamore të cilin e ka pezulluar më 2003.
“Nëse Netanyahu ka qenë i motivuar thjesht nga rreziku i forcimit të shpejtë të Iranit, Izraeli ka gjasa se e ka shpërndarë atë informacion me Shtetet e Bashkuara dhe sulmi fillestar ka gjasa të ketë pasur cak të gjitha objektet kryesore bërthamore të Iranit”, ka shtuar Davenport.
Javën e shkuar, IAEA ka thënë në raportin e fundit tremujor se Irani ka grumbulluar uranium të pasuruar deri në 60 për qind pastërti – hap i shkurtër teknik larg gradës së shkallëve apo 90 për qind – për të prodhuar potencialisht nëntë bomba bërthamore. Për shkak të rrezikut të përhapjes u tha se çështja është shumë shqetësuese.

Çfarë dihet për programin bërthamor të Iranit?
Irani gjithmonë ka thënë se programi i vet bërthamor është tërësisht paqësor dhe se nuk ka pasur kurrë përpjekje që ta zhvillojë një armë bërthamore.
Por një hetim dhjetëvjeçar i IAEA-së ka gjetur dëshmi se Irani ka kryer “një sërë aktivitetesh që lidhen me zhvillimin e një pajisjeje shpërthyese bërthamore” nga vitet e ’80-ta deri më 2003, kur projektet në kuadër të asaj që njihen si “Projekti Amad” u ndalën.
Irani ka vazhduar disa aktivitete deri më 2009 – kur fuqitë perëndimore zbuluan ndërtimin e impiantit nëntokësor të pasurimit në Fordo – por pas kësaj nuk ka “pasur indikacione të besueshme” për zhvillimin e armëve, ka përfunduar agjencia.
Më 2015, Irani u dakordua për një marrëveshje me gjashtë fuqitë botërore sipas së cilës pranoi të kufizojë aktivitetet e veta bërthamore dhe lejoi monitorim rigoroz nga inspektorët e IAEA-së në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Kufizimet mbulonin prodhimin e uraniumit të pasuruar, i cili përdoret për të bërë karburant reaktori, por edhe armë bërthamore.
Megjithatë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e braktisi marrëveshjen gjatë mandatit të parë më 2018, duke thënë se është bërë shumë pak për të ndaluar rrugën drejt një bombe, dhe ktheu sanksionet e SHBA-së.
Irani u hakmor duke shkelur edhe më shumë ndalesat – veçanërisht ato që lidheshin me pasurimin.
Sipas marrëveshjes bërthamore, asnjë pasurim nuk lejohej në Fordo për 15 vjet. Por më 2021, Irani rifilloi pasurimin e uraniumit në pastërti 20 për qind.
Të enjten, bordi i IAEA-së deklaroi se Irani ka shkelur detyrimet për mospërhapje për herë të parë në 20 vjet.
Irani ka thënë se do t’i përgjigjet rezolutës duke ndërtuar strukturë të re për pasurimin e uraniumit dhe duke zëvendësuar centrifugat e vjetra me makineri të gjeneratës së gjashtë në Fordo.
Çfarë dëmi i ka shkaktuar Izraeli infrastrukturës bërthamore iraniane?
Ushtria e Izraelit ka thënë të premten se rundi i parë i sulmeve ajrore ka dëmtuar hapësirën nëntokësore të centrifugave në Natanz, dhe infrastrukturën kritike që i ka mundësuar zonës të operonte.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara se impianti pilot i pasurimit të karburantit mbi tokë dhe infrastruktura e energjisë elektrike në Natanz janë shkatërruar. S’ka pasur tregues të ndonjë sulmi në sallën nëntokësore, por se humbja e energjisë ka mundur t’i ketë dëmtuar centrifugat, ka shtuar ai.
Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare në SHB ka thënë se shkatërrimi ishte i rëndësishëm sepse objekti qe përdorur për të prodhuar uranium të pasuruar 60 për qind, dhe gjithashtu për të zhvilluar centrifuga të avancuara.
Davenport ka thënë po ashtu se sulmet në Natanz mund të zgjasin “kohën e daljes” së Iranit në armë bërthamore, por se sipas saj është herët për të vlerësuar ndikimin e plotë.
“Nuk do të mund të kemi pamje të qartë se sa shpejt Irani mund t’i kthejë operimet atje, ose nëse Irani ka qenë në gjendje ta devijojë uraniumin derisa IAEA mund ta mbërrijë zonën”, ka shpjeguar ajo.

Më vonë të premten, Irani ka njoftuar IAEA-në se Izraeli ka sulmuar fabrikën e pasurimit Fordo dhe Qendrën e Teknologjisë Bërthamore të Isfahanit.
Izraeli ka thënë se sulmi në Isfahan ka “çmontuar një strukturë për prodhimin e uraniumit metalik, infrastrukturën për rikonvertimin e uraniumit të pasuruar, laboratorët dhe infrastrukturë shtesë”.
“Për sa kohë që Fordo mbetet operacional, Irani paraqet rrezik për përhapje afatshkurtër. Teherani ka opsionin ta rrisë pasurimin në nivele të gradës së armëve në zonë ose të devijojë uraniumin në një vendndodhje të panjohur”, ka thënë Davenport.
Kryeministri i Izraelit po ashtu ka thënë se operacioni do të vazhdojë “për aq ditë sa të duhen për ta hequr kërcënimin”.
Por sipas Davenportit, qëllimi s’është real.
“Sulmet mund të shkatërrojnë objekte e të kenë synim shkencëtarët, por s’mund të fshijnë njohuritë bërthamore të Iranit. Irani mund të rindërtohet, madje më shpejt se në të kaluarën, për shkak të përparimeve në pasurimin e uraniumit”, ka thënë ajo.
