Çështja e ndihmës sociale ka shkaktuar debat të madh në ditët e fundit në Austri. Gazeta austriake Heute ka analizuar më nga afër të dhënat dhe statistikat aktuale, duke theksuar dallimet e mëdha në përfitimin e ndihmës sociale në varësi të kombësisë, veçanërisht në kryeqytetin Vjenë.
Sipas hulumtimit të Heute, 78 për qind e qytetarëve sirianë që jetojnë në Vjenë përfitojnë nga ndihma sociale minimale. Pas tyre vijnë shtetasit nga Somalia me 72.1 për qind, ndërsa më shumë se gjysma e afganëve që jetojnë në këtë qytet marrin po ashtu asistencë nga shteti. Në kontrast, në rajonet e tjera të Austrisë shifrat janë dukshëm më të ulëta: në Austrinë e Epërme, 11.9 për qind e sirianëve marrin ndihmë sociale, në Austrinë e Poshtme 34.4 për qind, ndërsa në Burgenland 27.1 për qind.
Brenda Partisë Popullore Austriake (OVP) dhe partisë NEOS, që janë në qeveri, është rritur presioni për të vepruar. Ministrja e Integrimit, Claudia Plakolm (OVP), dhe udhëheqësi i grupit parlamentar të NEOS, Yannick Shetty, kanë paralajmëruar ndryshime në sistemin aktual të asistencës sociale.
“Kushdo që dëshiron të qëndrojë në Austri duhet të bëhet pjesë e shoqërisë. Duhet të mësojë gjuhën gjermane, të respektojë ligjet dhe vlerat tona. Prandaj do të zbatojmë një program integrimi të detyrueshëm me dënime për ata që nuk e zbatojnë”, ka thënë Plakolm.
E Yannick Shetty nga NEOS shtoi se reforma e sistemit të ndihmës sociale është prioritet.
“Në programin qeveritar kemi vendosur ta riorganizojmë ndihmën sociale për të garantuar më shumë drejtësi. Ky projekt është në krye të agjendës sonë të reformave”, u shpreh ai.