Sulmet ajrore izraelite në një shkollë, e cila po strehonte familjet e shpërngulura në Gazën veriore, kanë lënë të vdekur 16 palestinezë të mërkurën, kanë raportuar autoritetet lokale, ndërsa sulme të tjera në zona të ndryshme vranë të paktën edhe 16 njerëz të tjerë, teksa forcat izraelite vazhdojnë t’i shkatërrojnë shtëpitë dhe ndërtesat në qytetin e Rafahut, ka raportuar Reuters.
Stafi mjekësor ka bërë të ditur se dy sulmet kanë shënjestruar shkollën Karama në Tuffah, paralagje e qytetit të Gazës. Në mesin e të vrarëve ishte edhe gazetari lokal, Nour Abdu.
Nuk ka ende ndonjë koment nga Ushtria izraelite.
Dy sulme ajrore në një shkollë tjetër, që po strehonte po ashtu palestinezë të shpërngulur në Gazën qendrore, kanë vrarë të martën të paktën 27 persona, përfshirë gra dhe fëmijë. Për këtë rast, Ushtria izraelite ka njoftuar se ka goditur “terroristët” që po operonin nga qendra komanduese brenda kompleksit.
Sulmi, krijoi një vrimë të madhe në ambientet e shkollës, ku të zhvendosurit që kishin kërkuar strehim atje të mërkurën po kërkonin mes rrënojave për të gjetur ndonjë nga gjësendet e tyre personale.
“Ajo që ndodhi ishte si tërmet. Pushtimi izraelit goditi një shkollë ku po strehoheshin fëmijë. Janë fëmijë”, ka thënë dëshmitari okular Ali Al-Shaqra. Ai ka shtuar gjithashtu se shkolla po strehonte rreth 300 familje.
Izraeli i dha fund armëpushimit me grupin militant palestinez Hamas në muajin mars dhe i rifilloi operacionet ushtarake që deri më tani kanë lënë të vdekur mijëra persona dhe kanë vendosur nën kontroll pjesë të mëdha të enklavës palestineze.
Sipas zyrtarëve izraelitë, rinisja e sulmeve ushtarake ka për qëllim rritjen e presionit ndaj Hamasit në mënyrë që të lirohen të gjitha pengjet e mbetura në Gaza.
Lufta shpërtheu si pasojë e sulmit të Hamasit në Izrael në tetorin e vitit 2023, i cili rezultoi në vrasjen e afër 1.200 personave dhe rrëmbimin e rreth 250 të tjerëve.
Ndërkaq, ofensiva hakmarrëse e Izraelit deri më tani ka vrarë mbi 50,000 njerëz, shifra këto që konsiderohen të besueshme nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.