Botë

38 vjet burgim pa faj

Peter Sullivan

Pas gati katër dekadash në burg për vrasjen e Diane Sindall, Peter Sullivan më në fund u shpall i pafajshëm, falë testimeve të reja të ADN-së. Ai rrëfen se u rrah, u kërcënua dhe u manipulua nga policia derisa pranoi një krim që nuk e kishte kryer. Ndërsa kërkon drejtësi dhe një kërkim falje zyrtare, Sullivan ballafaqohet me një botë të ndryshuar rrënjësisht dhe me jetën që i është marrë padrejtësisht.

(BBC) - Viktima e një padrejtësie 38-vjeçare ka pohuar se u rrah nga oficerët e policisë dhe u detyrua që të pranonte një vrasje që s’e kishte kryer. Këtë e ka bërë të ditur në intervistën e tij të parë pas lirimit.

Peter Sullivan i tha BBC-së se beson se iu “kurdis” kurthi në vitin 1986 për vrasjen e Diane Sindall, e cila u sulmua dhe u vra brutalisht gjatë një sulmi seksual në Birkenhead, Wirral.

Sullivanit, i cili ka vështirësi në të nxënë, iu shfuqizua dënimi në Gjykatën e Apelit në maj, pas kryerjes së testeve të reja të ADN-së.

Ai tani kërkon nga Policia e Merseyside që t’i kërkojnë falje. Forca policore deklaroi se, ndonëse “pendohet” që ka ndodhur një “padrejtësi e rëndë”, mbetet e mendimit se oficerët e saj vepruan sipas ligjit të kohës.

Duke folur nga një vend i paidentifikuar, me fytyrën e mbuluar për të mbrojtur privatësinë, 68-vjeçari Sullivan tha se dëshiron shpjegim pse hetuesit e “zgjodhën” atë.

“Nuk mund t’i fal për atë që më kanë bërë, sepse kjo do të më ndjek gjithë jetën”, tha ai, duke shtuar se që nga koha kur hyri në burg i ka humbur të gjitha.

“Do ta mbaj këtë barrë derisa të marr një kërkimfalje”.

Për dekada të tëra, Sullivan dhe familja e tij u përndoqën nga nofka të tabloidëve, përfshirë “Përbindëshi i Birkenheadit”, “Rrjepësi i Merseysideit” dhe “Njeriu-Ujk”.

“Këta emra do të më mbeten gjithmonë, por nuk kam qenë kurrë diçka e tillë”, tha ai.

Sullivan tregon se, pavarësisht momenteve kur humbte shpresën, gjithmonë ishte i mbështetur nga prindërit e tij, të cilët vdiqën vite para se ai të mund të pastronte emrin.

“Para se të vdiste, nëna ime më tha: ‘Dua të vazhdosh ta luftosh këtë çështje, sepse nuk ke bërë asgjë të keqe’”, tha ai.

Në një nga momentet më të dhimbshme të burgimit, Sullivan tha se nuk iu lejua të merrte pjesë në varrimin e nënës së tij në vitin 2013, sepse ajo u varros në të njëjtin varrezë ku prehej edhe Sindall.

Makthi i tij filloi pasi trupi gjysmë i zhveshur i 21-vjeçares, floristes Diane Sindall, u gjet me plagë katastrofike në një rrugicë pranë Borough Road në Birkenhead, më 2 gusht 1986.

Dy javë më vonë, rrobat e saj të djegura pjesërisht u gjetën në Bidston Hill, një zonë e madhe pyjore rreth një orë larg nga vendi i krimit.

Pas transmetimit të një apelimi në emisionin BBC Crimewatch, dëshmitarë u paraqitën duke pretenduar se e kishin parë Sullivanin në një lokal pranë vendit të vrasjes atë natë, ndërsa të tjerë raportuan se kishin parë një burrë që i ngjante atij pranë Bidston Hill ditën pas ngjarjes.

Ai u arrestua nën dyshimin për vrasje më 23 shtator 1986 dhe u mor në pyetje 22 herë gjatë katër javëve në vijim.

Gjatë shtatë intervistave të para, atij iu mohua këshilla ligjore dhe e përshkroi përvojën si “shumë frikësuese”.

“Ata më fusnin gjëra në mendje, pastaj më çonin në qeli, dhe kur kthehesha thosha atë që donin ata, pa e kuptuar fare ç’po bëja”, tha ai.

“Më rrahën fort”

Gjatë asaj periudhe, Sullivan pretendon se u rrah në qelinë e tij dy herë nga oficerë policie.

“Ata më hodhën një batanije sipër dhe më goditnin mbi batanije me shkopinj gome që të më detyronin të bashkëpunoja”, tha ai.

“Dhembte shumë, sepse më rrihnin fort”.

Sullivan pretendoi gjithashtu se atij iu tha se, nëse nuk e pranonte krimin, do të akuzohej për “35 përdhunime të tjera”, dhe se iu mohuan ushqimi dhe gjumi.

Ai nuk u asistua nga një person mbështetës për ta ndihmuar të kuptonte marrjen në pyetje, ndonëse në regjistrimet e paraburgimit policia kishte shënuar se ai kishte vështirësi në të nxënë.

I pyetur pse do të pranonte një vrasje që nuk e kishte kryer, Sullivan tha:

“E vetmja gjë që mund të them është se ngacmimet dhe presioni më detyruan të dorëzohesha, sepse nuk e përballoja dot më”.

Dokumentet e Gjykatës së Apelit konfirmojnë se hera e parë kur ai “pranoi” krimin nuk u regjistrua dhe nuk kishte avokat të pranishëm. Intervista të tjera u regjistruan.

Në një deklaratë për këtë artikull, Policia e Merseyside tha se më herët nuk kishte dijeni për akuzat për dhunë apo kërcënime me akuza të tjera, dhe se në dokumentet e kohës nuk kishte të dhëna për këtë. Ajo shtoi se udhëzimet për prani të një personi mbështetës janë forcuar që nga viti 1986.

Policia pranoi se këshilla ligjore ishte refuzuar fillimisht, duke shtuar se oficerët kishin frikë se mosinformimi i një avokati për disa pjesë të hetimit mund të çonte në shkatërrim provash. Ajo gjithashtu tha se Sullivan ishte informuar se nuk kishte detyrim të fliste me oficerët nëse nuk dëshironte.

Sarah Myatt, avokatja e Sullivanit për më shumë se 20 vjet, e shoqëroi atë gjatë intervistës me BBC-në. “Nga ajo që më ka treguar, mendoj se ai thjesht arriti pikën e thyerjes”, tha ajo.

Sullivan tregoi se gjatë një interviste iu kërkua të shënonte në hartë vendin ku kishte lënë rrobat në Bidston Hill. Kur tregoi vendin e gabuar, një detektiv i tha: “Hajde Peter, ti di më mirë se kaq”, duke i sugjeruar vendndodhjen “e saktë”.

Myatt tha se në hartat e Bidston Hill, Sullivan më vonë kishte shkruar: “Këto janë të gjitha gënjeshtra”.

“Mendoj se kjo është shumë domethënëse”, shtoi ajo.

Policia e Merseysidet tha se hartat dhe transkriptimet - të cilat BBC nuk i ka parë - ishin dorëzuar të gjitha në gjykatë. Ajo tha se oficerët po përpiqeshin të kuptonin “vlefshmërinë e deklarimeve të tij”.

Ndërkohë që Sullivan më vonë i tërhoqi mbrapsht “pohimet” që kishte bërë, policia dhe prokuroria u mbështetën edhe në prova të shenjave të kafshimit - një fushë forenzike e diskredituar gjerësisht sot.

Rasti, i ndjekur përpara se testimet e ADN-së të bëheshin të zakonshme, ishte i mjaftueshëm për të bindur një juri në Gjykatën e Kurorës në Liverpool dhe më 5 nëntor 1987 ai kaloi nga një “hajdut i vogël”, sipas vetë fjalëve të tij, në një vrasës të dënuar.

Duke kujtuar vendimin e fajësisë, Sullivan tha: “Motra ime u rrëzua në sallën e gjyqit dhe pastaj… kaq ishte. Më çuan poshtë në qeli dhe aty vetëm qava, për një krim që nuk e kisha bërë. Dija se nga ai moment, kjo do të ishte një çështje e tmerrshme për t’u luftuar, për të dalë nga kjo situatë”.

Dënimi i tij parashikonte një minimum prej 16 vjetësh para se të mund të aplikonte për lirimin me kusht - por Sullivan këmbëngulte në pafajësinë e tij, duke ulur mundësinë e lirimit.

Burgu ishte veçanërisht i vështirë për dikë që konsiderohej një vrasës mizor dhe ngacmues seksual.

“Jam rrahur nëpër burgje për shkak të krimit për të cilin isha dënuar”, tha ai.

Megjithatë, ai tregon se raportimi i dhunës nuk ishte një opsion sepse “atëherë je spiun, dhe kjo do të të sillte edhe më shumë pasoja”.

“Po kthehesh në shtëpi”

Fundi i makthit të tij nisi në vitin 2023, kur Komisioni për Rishikimin e Çështjeve Penale - organi që verifikon rastet e mundshme të padrejtësive gjyqësore - urdhëroi testime të reja të mostrave të spermës të gjetura në trupin e Sindallit në vitin 1986.

Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) vendosi të mos i kundërshtonte rezultatet e ADN-së para apelit të ri - duke ia hapur rrugën lirimit të Sullivanit.

Në maj 2025, kur u dha vendimi i apelimit, Sullivan po dëgjonte përmes videolidhjes nga burgu HMP Wakefield, ulur pranë një oficereje.

“Kur u kthyen në sallë me vendimin se dënimi im ishte shfuqizuar, oficerja shpërtheu e para në lot”, tha ai.

“Ajo u kthye nga unë dhe tha: ‘Peter, po kthehesh në shtëpi’...

“Në tjetrin çast, bam, lotët filluan të më rridhnin pa pushim dhe aq ishte, thashë: ‘po, drejtësia u bë’”.

Bota jashtë ishte krejt e çuditshme për një njeri që hyri në burg kur Margaret Thatcher ishte kryeministre dhe interneti nuk ekzistonte.

Duke treguar momentin kur doli nga burgu, ai tha:

“Po shikoja makinat që kalonin dhe nuk kisha parë kurrë kaq shumë lloje makinash në një rrugë.

Ishte frikësuese të shihje sa shumë kishte ndryshuar gjithçka”.

Që prej lirimit ka momente kur e gjen veten duke ndenjur në këmbë në dhomën e gjumit, duke pritur një oficer burgu të bëjë verifikimin e radhës – një zakon i vështirë për t’u shmangur pas gati 40 vjetësh.

Sullivan tha se ndihet “përnjëmend i pikëlluar” për familjen e Sindallit, të cilët, sipas tij, “janë rikthyer në pikën zero” në kërkimin e drejtësisë.

“Kam kaluar të njëjtën dhimbje, duke qenë në burg, sepse jam shkëputur nga familja ime për diçka që nuk e kam bërë”, tha ai.

Policia e Merseyside tha se për shkak të “ndryshimeve të mëdha” në ligj dhe praktikat hetimore që prej vitit 1986, do të kishte “pak përfitim” një rishikim formal i mënyrës se si u hetua rasti. Ajo njoftoi se i ishte referuar vetë zyrës së pavarur për sjelljen e Policisë pasi u dha vendimi i apelimit, por nuk u gjet asnjë shkelje disiplinore.

Shërbimi i Prokurorisë tha se, ndonëse Gjykata e Apelit pranoi rezultatet e reja të ADN-së, arsye të tjera të apelimit u hodhën poshtë.

Nick Price, drejtori i shërbimeve ligjore, tha: “Rasti u ndoq mbi bazën e të gjitha provave që kishim në dispozicion në atë kohë”.

Rasti i vrasjes së Sindallit është rihapur, megjithatë nuk janë bërë arrestime.

Për Sullivanin, mbetet pritja për kompensim, i cili sipas ligjit është i kufizuar deri në 1.3 milionë funte për dënimet e padrejta.

“Nuk ka shumë që mund të thuhet - nuk ekziston një shumë parash që mund të kompensojë humbjen e 38 vjetëve të jetës”, tha Myatt, e cila po e ndihmon me aplikimin.