Të paktën 34 persona janë vrarë gjatë natës në qytetin e Gazës, njoftuan zyrtarët shëndetësorë, ndërsa Izraeli intensifikoi ofensivën dhe u bëri thirrje palestinezëve të largohen.
Sulmet u kryen, derisa është shtuar numri i vendeve perëndimore për të njohur shtetësinë palestineze gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që organizohet javën e ardhshme.
Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme e Portugalisë bëri të ditur se do ta njohë shtetin palestinez të dielën.
Vendi iberik kishte njoftuar më parë planet e tij për ta bërë këtë, por tani ka caktuar datën zyrtare. Portugalia është ndër vendet e tjera perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë, Maltën, Belgjikën dhe Luksemburgun, që pritet të njohin shtetësinë palestineze në ditët në vijim.
Operacioni i fundit izraelit, i cili filloi këtë javë, ka përshkallëzuar më tej konfliktin që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka të ngjarë të shtyjë arritjen e armëpushimit.
Bombardimet izraelite gjatë 23 muajve të fundit kanë vrarë më shumë se 65 mijë njerëz në Gaza, kanë shkatërruar zona të gjera të Rripit, kanë zhvendosur rreth 90 për qind të popullsisë dhe kanë shkaktuar katastrofë humanitare.