Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, ka njoftuar të mërkurën se të gjithë 20 personat në bordin e një aeroplani ushtarak mallrash që u rrëzua në Gjeorgji kanë humbur jetën.
Avioni C-130 ishte nisur nga Ganja, Azerbajxhan dhe po kthehej në Turqi, kur u rrëzua të martën në komunën Sighnaghi të Gjeorgjisë, pranë kufirit me Azerbajxhanin. Shkaku i rrëzimit po hetohet, raporton AP.
Një ekip turk për hetimin e aksidenteve arriti në vendin e rrëzimit herët të mërkurën dhe po inspekton rrënojat e aeroplanit, në koordinim me autoritetet gjeorgjiane, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes Kombëtare.
Të martën, Agjencia shtetërore turke Anadolu citoi autoritetin e aviacionit gjeorgjian të thoshte se kontakti me avionin u humb disa minuta pasi ai kishte hyrë në hapësirën ajrore të Gjeorgjisë.
Aeroplani nuk kishte lëshuar sinjal rreziku, ka thënë ajo.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ushtarakeve.
“Në këtë rast fatkeqësie, bashkëndjejmë dhembjen me miqtë tanë turq për rrëzimin e një avioni ushtarak transportues C-130, të Forcave të Armatosura Turke, që po fluturonte nga Azerbajxhani në drejtim të Turqisë. U shprehë ngushëllimet e mia për të gjitha humbjet e pësuara nga ky aksident, Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler si dhe autoriteteve turke. Qofshin të bekuar të gjithë ushtarët e Kosovës dhe të Turqisë, në misionet e tyre fisnike për mbrojtjen e vendeve të tyre dhe të paqes”, ka shkruar Maqedonci.