Botë

20 të vdekur nga përmbysja e katër kamionëve me ndihma në Gazë

Gaza ndihmat

Foto: Associated Press

Njëzet persona kanë mbetur të vdekur dhe 30 të tjerë janë lënduar pasi katër kamionë janë përmbysur në Gazën qendrore të martën, ka raportuar agjencia e mbrojtjes civile e drejtuar nga Hamasi.

Turmat thuhet se lëvizën drejt kamionëve, duke u ngjitur sipër tyre dhe duke bërë që shoferët të humbnin kontrollin në rrugët tejet të dëmtuara nga lufta, raporton BBC.

Zëdhënësi i agjencisë së mbrojtjes civile të drejtuar nga Hamasi në Gaza, Mahmoud Basal, ka thënë se zona ku ka ndodhur fatkeqësia ishte nën kontrollin e ushtrisë izraelite dhe se rrugët ishin të dëmtuara dhe të rrezikshme.

Gazetarët vendas thonë se incidenti ka ndodhur në juglindje të Deir al-Balah në Gazën qendrore pak pas orës 22:00 sipas kohës lokale të martën.

Zëdhënësi i shoqatës së transportit privat në Gazë, Jehad Isleim, ka thënë se 26 kamionë komercialë kanë hyrë në territor të martën. Njëzet e kanë kaluar të sigurt, ndërsa gjashtë janë plaçkitur, ka thënë ai.

Katër prej tyre janë përmbysur dhe 10 shoferë janë lënduar, sipas tij.

Të martën, Izraeli ka njoftuar se do të fillojë të lejojë hyrjen e ushqimit në Rrip përmes sektorit privat "për të rritur vëllimin e ndihmës që hyn në Rripin e Gazës, duke zvogëluar varësinë nga mbledhja e ndihmave nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare".

Ndërkohë, një zyrtar i lartë i OKB-së ka paralajmëruar për "pasoja katastrofike" nëse Izraeli zgjeron operacionet e tij ushtarake në Gaza.

Paralajmërimi vjen pas raportimeve se kryeministri, Benjamin Netanyahu po kërkon një ripushtim total të territorit.

Shefi i ushtrisë së vendit dhe udhëheqës të tjerë ushtarakë thuhet se e kundërshtojnë strategjinë, dhe disa familje të pengjeve kanë frikë se kjo mund t'i rrezikojë më tej të dashurit e tyre.