Shefi i sigurisë së Meksikës ka konfirmuar të martën se 17 anëtarë të familjes së ish-liderit të kartelit të drogës Sinaloa, El Chapo, kanë hyrë në SHBA javën e kaluar si pjesë e një marrëveshjeje midis djalit të tij dhe administratës Trump.
Sekretari meksikan i Sigurisë, Omar Garcia Harfuch ka konfirmuar një raport të gazetarit të pavarur Luis Chaparro se anëtarët e familjes së Ovidio Guzman Lopez, djalit të El Chapos, i cili është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2023, kanë kaluar në SHBA, raporton AP.
Guzman Lopez është një nga vëllezërit që kanë mbetur në drejtimin e një fraksioni të kartelit Sinaloa pasi babi i tij, famëkeqi Joaquin "El Chapo" Guzman është burgosur në SHBA. Një video tregonte anëtarët e familjes duke ecur përtej kufirit nga Tijuana me valixhet e tyre, për të pritur agjentët amerikanë.
Thashethemet kishin qarkulluar javën e kaluar se Guzmani i ri do të deklarohej fajtor, për të shmangur gjyqin për disa akuza për trafik droge në SHBA, pasi u ekstradua në vitin 2023.
Harfuch ka thënë se ishte e qartë për autoritetet meksikane se ata kanë kaluar kufirin pas negociatave midis Guzman Lopez dhe qeverisë së SHBA-së.
“Është e qartë se familja e tij po shkon në SHBA për shkak të një negocimi ose një oferte që Departamenti i Drejtësisë po i jep atij”, ka thënë Garcia Harfuch.
Ai ka shtuar se asnjë nga anëtarët e familjes nuk po ndiqej nga autoritetet meksikane dhe se qeveria e presidentit të SHBA-së, Donald Trump “duhet të ndajë informacione” me prokurorët meksikanë, diçka që nuk e ka bërë ende.
Konfirmimi nga Garcia Harfuch vjen në të njëjtën ditë kur Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së njoftoi se po akuzonte një numër liderësh të lartë të karteleve për "narkoterrorizëm", për herë të parë që kur administrata Trump shpalli një numër kartelesh si organizata të huaja terroriste.