Autoritetet turke kanë arrestuar 157 persona, përfshirë anëtarë të partive opozitare dhe një ish-kryebashkiak në qytetin e Izmirit mëngjesin e së martës, ka raportuar televizioni NTV, duke zgjeruar valën e arrestimeve kundër opozitës që ka zgjatur për disa muaj, që paraprakisht ka qenë e përqendruar në Stamboll.
Prokurori i Izmirit ka urdhëruar arrestimet në orët e hershme të mëngjesit si pjesë e një hetimi për korrupsion, manipulimi tenderësh dhe mashtrimi në qytetin bregdetar perëndimor.
Murat Bakan, deputet i Izmirit nga radhët e Partisë Popullore Republikane (CHP), subjekti kryesor opozitar i cila është përballur me valë arrestimesh që nga fundi i vitit të kaluar, ka thënë se ish-kryetari i bashkisë së Izmirit, Tunc Soyer, është arrestuar së bashku me zyrtarë të lartë dhe një kryetar të partisë në nivel province.
“Sot filloi një operacion tjetër në agim”, ka shkruar ai në rrjetin social X. “Po përballemi me një proces të ngjashëm me atë që ndodhi në Stamboll”, ka shtuar Bakan.
Ata që u arrestuan në kuadër të fushatës më të gjerë të arrestimeve përfshijnë edhe kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, kundërshtarin kryesor politik të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Imamoglu ishte burgosur në muajin mars, nën akuzat për korrupsion dhe lidhje me grupin terrorist kurd PKK.
Vendimi për arrestimin e tij ka nxitur protesta të mëdha në mbarë Turqinë.
Disa shtete perëndimore e kanë kualifikuar këtë fushatë si veprim të motivuar politikisht, me qëllimin për të eliminuar sfidat elektorale të Erdoganit dhe për t’i heshtur kundërshtarët.
Qeveria i ka mohuar këto akuza, teksa ka pretenduar se sistemi gjyqësor në Turqi është i pavarur dhe i paanshëm.