Botë

107 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza të enjten, thotë ushtria izraelite

Gazë - ndihma

Ushtria izraelite të premten ka njoftuar se një total prej 107 kamionësh me ndihma që i përkasin OKB-së dhe organizatave të tjera humanitare, që po transportonin miell, ushqime, dhe ilaçe, janë transferuar të enjten në Rripin e Gazës.

OKB-ja ende nuk e ka konfirmuar këtë shifër dhe mbetet e paqartë se sa nga kjo ndihmë ka arritur realisht te popullata palestineze, ka raportuar The Guardian.

Ndihma tjetër ka filluar të arrijë në disa nga zonat më të prekura dhe të cenueshme të Gazës, por niveli i saj konsiderohet i pamjaftueshëm për të plotësuar nevojat e popullsisë prej 2.1 milionë banorësh.

Krahas kësaj, mjekët kanë paralajmëruar se kequshqyerja po përhapet në të gjithë territorin.

Para luftës, mesatarisht 500 kamionë hynin në Gaza çdo ditë. 

Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se një pjesë e madhe e popullsisë është sjellë në prag të urisë për shkak të bllokadës totale të ndihmës nga Izraeli, e vendosur në fillim të muajit mars, e cila u zbut këtë javë si rezultat i presionit ndërkombëtar.

Bllokada, të cilën Izraeli pretendon se e ka vendosur për të ushtruar presion mbi Hamasin që t’i lirojë pengjet e mbajtura, vlerësohet gjerësisht si ndëshkim kolektiv ndaj popullatës civile të Gazës dhe se përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.