Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Kryeprokurori Gashi: Nuk ka grupe kriminale në Prishtinë

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se mund të garantojë qytetarët e Prishtinës se nuk ka grupe kriminale në Prishtinë dhe se si prokurori nuk ndikohen apo mërziten nga asnjë grup apo individë të fuqishëm.

“Më lejoni edhe t’ju përmend edhe rastin e Aktashit, vrasjes së rëndë në Aktash që ka ndodhur mes dy familjeve apo grupeve të supozuara si grupe kriminale qysh është rasti i vrasjes mes Sekiraqëve edhe Capave këtyre me mbiemrin Gashi, të cilët mendoj se rasti i tillë i vrasjes së rëndë edhe prokurori i çështjes, i kësaj çështjeje penale ka arritur që përmes hetimit shumë profesional 10 personat, 10 persona të arrestohen në atë rastin konkret edhe pse ka qenë shumë pak prova, ka qenë i vështirë hetimi, identifikimi i kryerësve të asaj vepre penale të rëndë i cili rast ka tronditur qytetin e Prishtinës. Unë mundem me i garantu qytetarët e Prishtinës se nuk ka grupe kriminale në Prishtinë. Nuk mërzitemi për asnjë grup, për asnjë individ të fuqishëm. Mirëpo këto kanë qenë disa familje që janë mundu të jenë protagonistë të dominimit në Prishtinë e të cilët kanë përfunduar në pranga”, ka thënë kryeprokurori Gashi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Gashit, në asnjë rast nuk mund të ndikojë dikush në punën e Prokurorisë me të cilën udhëheq.

“Është e vërtetë se Prokuroria e Prishtinës ka një numër prej rreth 50 prokurorë edhe që, mirëpo struktura e prokurorëve në prokurorinë tonë është një strukturë e re e prokurorëve dhe të cilët sidomos nga kontigjenti i fundit edhe i parafundit që ka ardhë dhe në asnjë rast nuk kam vërejtur se një prokuror mund të jetë i ndikuar nga një grup i caktuar i interesit apo të tjera. Më lejoni të them se vetëm në tre muajt e fundit të vitit 20206, sa i përket luftimit të korrupsionit apo veprave penale të kundër detyrës zyrtare kemi arrestuar disa persona zyrtarë”, tha Gashi.

Tutje, kryeprokurori i Prishtinës, përmendi disa nga shembuj konkret të të arrestuarve, siç janë rastet e inspektorëve të Komunës së Prishtinës, rasti i Ministrisë së Punëve të Brendshme ku është ngritur aktakuzë për tetë persona e të tjera.

“Për tetë persona për vepra penale marrja e ryshfetit edhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kemi rastin e inspektorit të punës, inspektorit qëndror të punës, i cili është zënë në kryerje të veprës penale. Po ashtu, kemi edhe marrëveshjen e fundit për pranimin e fajësisë ku të njëjtit ju është dhënë 18 muaj burg efektiv. Pastaj kemi rastin edhe të Graçanicës, zyrtarëve të lartë në Komunën e Graçanicës, ku të njëjtit janë arrestuar dhe janë zënë në kryerje të veprës penale. Janë këto disa nga raste të cilët mendoj që me ne asnjë argument nuk munden me ndiku një grup i caktuar interesit apo individ të fuqishëm për të cilët pretendohet”, shtoi tutje Gashi.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi, e cilësoi rast të tmerrshëm vrasjen e rëndë të Liridona Ademajt. Sipas tij, rasti fillimisht ishte paraqitur si grabitje, por siç tha ai me profesionalizëm të theksuar të prokurorit të çështjes është arritur të zbulohet rasti për të cilin tha se presin dënim kapital për kryerësit e veprës penale.

“Pastaj kemi rastin e zbulimit të vrasjes së Bedri Rexhepit, biznesmeni të njohur këtu i cili fillimisht mundem me thënë që është lajmëru si rast i personit të humbur. Asnjë provë të vetme nuk kemi pas, mirëpo me profesionalizmin e prokurorit bashkë me hetues, me integritet, me profesionalizëm kemi arritur që ta zbulojmë edhe atë rast edhe që ka përfundu. Pastaj rasti i argjentinases së vrasjes që është kurorëzuar me një aktgjykim dënues dhe me një dënim shumë të lartë edhe kemi edhe raste të tjera të cilët tregojnë përkushtimin, profesionalizmin edhe hetime të mirëfillta profesionale të cilët i paraprijnë punës tonë, zotimeve tona në zbatimin e ligjit”, tha Gashi.

Tutje, kryeprokurori i Prokurorisë më të madhe në vend, tha se të gjitha rastet trajtohen në mënyrë profesionale dhe pa selektime.

Sipas tij, është e pamundur që dikush të kryejë hetime selektive sepse puna monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga shoqëria civile.

“Nëse ka tendenca të tilla patjetër se adresohet në mënyrë të menjëhershme nga ana ime që pastaj në komunikim me prokurorin evitohen ato dyshime për tendencë sa i përket hetimeve selektive. Unë mendoj që në asnjë rast nuk ka dalë që është bërë një hetim selektiv për shkak se siç thashë edhe më herët është një kontigjent i prokurorëve të rijnë, të cilët me të vërtetë janë shumë profesional, janë të pandikueshëm edhe kanë ambicie edhe të tjera dhe në asnjë mënyrë nuk bijnë prej pre e atyre ndikimeve”, u shpreh Gashi.