BETIMI PËR DREJTËSI

Iljasa Fazliu – logopedi i paprekshëm

Iljasa FAzliu

“Këqyre shrafcigerin t‘mbys”, si sillet logopedi Iljasa Fazliu me fëmijët sipas stazhiereve

Në duart e një logopedi shpeshherë qëndron fjala e parë e një fëmije,  shpresa e një prindi dhe ardhmja e një zëri që ende nuk di të flasë.

Në një dhomë terapie, aty ku fëmijët, luftojnë për çdo tingull, për çdo përparim të vogël, ku çdo zë, çdo përpjekje është një hap drejt jetës normale, ka ankesa, zhgënjime por edhe heshtje.

Iljasa Fazliu, është defektolog-Logoped në Kliniken e Logopedisë, por, për shumë të tjerë është simbol i paprekshmërisë.

Ankesë pas ankese për qasje jo të mirë me fëmijët, sjellje të pahijshme me stazhieret, kërcënime e mungesa të vazhdueshme në punë.

Të gjitha këto të adresuara zyrtarisht, por pavarësisht gjithçkaje pothuajse asgjë nuk ka ndodhur, asnjë hetim real. Vetëm heshtje, sa herë përmendet emri i tij.

Madje, edhe kur çështja u përplas në dyert e gjykatës, ngritën dilema se sistemi nuk e trajtoi rastin si duhet dhe nuk u morrën si duhet.

Ky nuk ishte thjesht një rast i vetëm. Është një histori që tregon se si një sistem i tërë mund bëhet bashkëfajtor, për të mbrojtur një individ.

Emri i Iljasa Fazliut u bë i njohur kur nga mediat u publikua një audioincizim ku ai po fyente një vajzë tre vjeçare me autizem në kliniken e tij private.

“Ik more, ik aty….Hejj, uh sa nerva po me shkon, kush e duron këta një orë,. jepja bre jepja q***a nanen se po na… Nalu, nalu ta q**t dreqi nanen. Ik atje, ik atje, ik, mmmm, ik atje, shumë punë e madhe budallicë, çka po don, çka?…Kuh nanen s’po u durojshe ti”, dëgjohej Fazliu në këtë audioincizim.

Por, ky duket se nuk është rasti i vetëm. “Betimi për Drejtësi”, ka siguruar me dhjetëra ankesa nga prindër e stazhier për të dhe për mungesat e vazhdueshme të tij në punë.

Por, përballë këtyre ankesave dhe shkeljeve të pretenduara nga ana e Fazliut, del t’i këtë mbyllur sytë e gjithë hierarkia e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Sipas rrëfimeve të  stazhiereve, Fazliu sillej keq me fëmijët në aq pak minuta sa ai qëndronte në seancë me ta, sepse sipas tyre në shumicën e kohës ai nuk ishte në punë.

Me qëllim të mbrojtës se identitetit të tyre, Betimi për Drejtësi, ju ka vendosur emra fiktiv, si Hana, Diella, Vera, dhe Ylleza.

Sipas stazhieres Diella, ka pasur raste kur Fazliu kishte kërcënuar fëmijët me mjete pune.

“Edhe rasti tjetër menjëherë mbas tij u kanë me një rast me artikulim më duket tingullin “dhe” ka pas me ushtruar fëmija nuk ka mundur me thënë shumë mirë edhe ky e ka marrë shafcigerin edhe ja bojke “thuaj mirë ose këqyre”. Tani thojke duhet me iu thanë qështu se këta ndryshe nuk marrin vesh”, ka thënë ajo.

“S’po më kuptohet saktësisht,  se tash ka ndodhur para do muajve “këqyre shafcigerin”, “Thuaje ose të këqyrë shafcigeri”, diçka kështu. E kam shkruar. Është edhe në letër”, ka shtuar tutje ajo.

Për këto fjalë dëshmitare thotë të jetë edhe Vera.

“Gazetarja: Ju kujtohet shprehimisht cilat kanë qenë fjalët e tij atë ditë?

Vera: E di që pom doket një shrafciger e ka pas edhe ju ka drejtu fëmijës këqyre shrafcigerin t’mbys.

Gazetarja; Domethënë e ka kërcënua me fjalë?

Vera: Po, po.”

Për këto sjellje të Fazliut, të dy stazhieret, nga frika e hakmarrjes, thonë se ankesat në mënyrë të shkruar i kishin drejtuar tek shefja e shërbimit të logopedisë, por duke kërkuar që të qëndronin anonime.

Por vetë, logopedi Fazliu, mohon të ketë ndodhur diçka e tillë.

“Kjo s’ka të bëjë absolut, kurrë. Është e pamundur mua me më ndodhë një send të tillë. A e di çka është e pamundur total. Unë jam shumë miqësor me fëmijët”, ka thënë Fazliu.

Në një rast tjetër, Diella thotë se gjatë seancës, ai në vend se të merrej me fëmijën, bënte zhurmë duke rregulluar dollapin.

“Rasti i parë ka kanë një me shafciger. Nejse, u kanë një rast tjetër para tij, ku ka trokit me dollap u mundojke me rregullu edhe bojke shumë zhurma edhe fëmija u tutke, edhe nuk e ndalke hiç, se kish parasysh që ishe në seancë”, ka thënë ajo.

Kështu arsyetohet Fazliu.

“Në rast se që kjo ka ra, ka ra, kjo poshtë, e kam marrë unë domethënë praktikisht një minutë me baski e kam rregulluar qata edhe kaq ka pas”, ka thënë ai.


Stazhierja: Fazliu siç ka vepruar në kliniken e tij njëjtë vepron me fëmijët në Klinikën e Logopedisë

Iljasa Fazliu, është defektolog/logoped në Kliniken e Logopedisë, por, për shumë të tjerë është simbol i paprekshmërisë.

Ankesa për qasje jo të mirë me fëmijët, sjellje të pahijshme me stazhieret, kërcënime e mungesa të vazhdueshme në punë, janë adresuar ndaj Fazliut, i cili është bërë i njohur pasi kishte fyer një 3 vjeçare me autizëm në kliniken e tij private.

Sipas stazhieres Vera* (emër fiktiv i vendosur nga redaksia për mbrojtën e identitetit të saj), Fazliu ashtu siç kishte vepruar në klinikën e tij private, ai vepron çdo ditë në kliniken e logopedisë.

“Ai ka qenë pak si ka ndodhë ai rasti të klinika e vet që ka ndodhë, nuk e di as vet si ka ndodhë që thonë e ka sha fëmijën dhe ka ofendu, të njëjtat fjalë, të njëjtat shprehje i përdorë edhe me fëmijët tjerë. Edhe diçka qe muj me thonë është se ai nuk punon me fëmije aspak çdo dy muaj që ndërrohen stazhierët, fëmija ka me pas çdo dy muaj si me thanë një logoped tjetër që ka me u marr me to”, ka thënë ajo

Se Fazliu nuk qëndron në seancat më fëmijë shumicën e kohës, e konfirmojnë edhe stazhieret tjera. Sipas Hanës*, ndonëse, atyre nuk u lejohej të punonin vetëm me fëmijë, logopedi ua ka lëndë atyre në dorë këtë përgjegjësi.

“Mirëpo në momentin që unë kam filluar ai thjesht veç ka thënë që ky rast është, ti bënë këtë ushtrim edhe më nuk të ka dhënë udhëzime. Ka dalë prej seancës edhe nuk u kthyer më nashti një orë, një orë e gjysmë, dy. Tashti, në një farë mënyre, jo me një farë mënyre por ma ka japë përgjegjësinë sikur unë me përfunduar punën e tij”, ka thënë Hana.

Sipas saj, këtë shqetësim, ajo e kishte ngritur edhe zyrtarisht.

“Po, po, shumicën e kohës po, po edhe në momentin që kanë nashti i ka qëndruar në klasë një minutë edhe ka dalë menjëherë. Ai ma ka lënë qatë përgjegjësi edhe pse në kontrata që ne i nënshkruajmë si stazhiere nuk ceket ky send. Normalisht ne e kemi pas saktë që pasi ta bëjmë një praktikë për shembull një javore normalisht që kemi me fillu me u mundu me punu me fëmijën, mirëpo gjithmonë në prezencë të mentori”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në momentin që Fazliu i ka lëndë detyrën me u marrë me fëmijën, ai nuk ka qenë prezent.

“Ai nuk u kam prezent aty që me pa se çfarë pune po bëj unë me atë fëmijë. Unë nuk kam pasur as historik të fëmijut. Nuk e kam ditur as çfarë lloj të çrregullimit apo vonesës ka mujtë me e pas edhe nuk e kam dit se a jam duke i bë mirë atij fëmijut apo veç jam tu shkaktuar problem më shumë për të. Qaty ka kanë edhe një prej brengave të mia që tërë kohën jam munduar edhe me e shfaq tek përgjegjësja e repartit të logopedisë në QKUK. Mirëpo përderisa drejtori nuk ja merr parasysh asaj kërkesa që i bëjna ne si stazhierë as ajo nuk ka pasur mundësi me bë diçka më shumë”, ka thënë tutje ajo.


Prindi: Për katër vjet logopedi Fazliu nuk trajtoi personalisht fëmijën duke ua lënë në dorë stazhiereve

Ndër vite, dhjetëra ankesa janë paraqitur nga stazhieret dhe prindërit për defektologun dhe logopedin Iljasa Fazliu, për qasje jo të mirë me fëmijët, kërcënime dhe mungesa të vazhdueshme në punë.

Nëna e një djali 10 vjeçar thotë se thotë se djalin e saj të Logopedi Fazliu e kishte trajtuar për katër vjet, por që ai nuk e ka trajtuar personalisht duke ia lënë në dorë gjithmonë praktikantëve.

“ Unë e trajtoj djalin që katër vjet. Po ankesat e mijat janë që nuk e ka trajtuar djalin qysh duhet,  gjithmonë me praktikante me praktikante edhe u dashke me i thanë, pse ti s’po merresh me djalë temin, thojke “ti mua s’më kallëzon, unë i di punët e mia, ua kallëzoj këtë punë çka e boj unë, ua kallëzoj praktikantëve këto e bëjnë” Nuk jam veç unë prindi që ankohem për të. Edhe nuk u ndalet ai kurrë me bisedua rreth fëmijës. Mirë është edhe del. Kurrë, kurrë nuk hyn me fëmijë temin me ndejt në seancë që e ka për detyrë që katër vite unë aty që e trajtoj djalin kurrë njëherë nuk u ndal me u mirrë me djalë temin,  çfarë problemi ka e qysh, jo kurrë s’u mirrë hiç”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se e kupton që fëmija i saj ka pasur probleme me specifike për trajtim çka mund të këtë ndikuar edhe në sukses, megjithatë, thotë se do donte që logopedi Fazliu, të merrej direkt me të.

“Po se në çdo më ka rasti që fëmijët e tjerë a din e kryjshin, u pavarësojshin më shpejt. Unë katër vjet u bo, nuk është fëmija jem, unë këtë e kuptoj se fëmija im ka probleme më të rënda se një fëmijë që belbëzon apo që s’mund t’i thotë do shkronja. Unë këtë e kuptoj ama ai, pse se ai nuk u marrë kurrë me fëmijën tem”, ka thënë tutje nëna e 10 vjeçarit.

“Po ai ka shkuar në pushim, nuk ka tregu hiç, shumë herë. Bash mo këtë vitin e fundit i nuk u kanë gati hiç veç në pushim, pushim. P sh, unë u ensha, vishta të logopedia, jo s’është, jo s’është jo s’është. E kam parë nëpër në kafe, e kam parë e kam parë të tjera spitale”, ka shtuar ajo.

Fazliu, mohon të këtë ndodhur diçka e tillë.

“Po s’po e di cili rast është veç është i pamundur. Jo për katër vite. Po tre ditë me ardhë pa u marrë unë me të. Është e pamundur. Nuk ekziston ajo mundësi. Absolut nuk ekziston ajo mundësi kurrë hiç”, ka thënë ai.

Por, ajo nuk ishte prindi i vetëm që kishte ankesa.

Pretendimet e këtij prindi si dhe të stazhiereve i mbështet edhe një ankesë tjetër.

Me 19 maj 2024, nga një prind, ishte drejtuar kjo ankesë.

“Jam nana e B….kom një lutje për ju t’ja ndërroni vajzës sime logopedin. Nuk me pëlqen qe ka një te kalume qe s’ka pas sjellje te mira me një fëmije me autizem. Nuk me pëlqej qasja e tij qysh orën e pare qe isha prezentë me vajzën. 3. Vetëm 5 minuta qëndroi ne ore e vazhduam me studente. Nuk provoj fare me qetësua vajzën qe bani sjellje normale për një fëmije me zhvillim mbrapa ne orën e pare, te qaj te refuzoj te bashkëpunoj”, shkruhej në ankesën e prindit.

Në një rast tjetër, prindi, gjithashtu ishte ankuar për Fazliun.

“…për arsye të tij private nuk ka mbajtur rregullisht seancat me djalin tonë. Në shumë raste seancat janë mbajtur nga praktikantet dhe jo nga vetë logopedi…”, thuhej në ankesë

Ankesë kishte bërë edhe një prind tjetër, duke thënë se nuk ka parë përmirësim tek fëmija.

“Unë si nënë nuk po shoh sukses të djali im, arsyeja është se aty po behën ndërrimi i terapsiteve, kjo po ndikon negativ tek H”, ka shprehur shqetësimin prindi.


“E ka kap fëmijën me forcë nga tavolina”, stazhierja ishte shprehur e tronditur me sjelljet e logopedit Fazliu

Për defektologun dhe logopedin Iljasa Fazliun, ndër vite janë adresuar dhjetëra ankesa nga prindër dhe stazhier për sjelljet e tij dhe mos qëndrimin  e tij në punë shumicën e kohës.

Në njërën prej ankesave të bërë në prill 2023, drejtuar direkt shefit të ORL-së, atë kohë Arsim Behramaj, stazhierja ishte shprehur e tronditur me sjelljet e Fazliut. 

“Po e shkruaj këtë letër e tronditur nga situata që me ndodhi ditën e enjte me datë 06.04.2023, ku logopedi Iljasa Fazliu ka pasur një sjellje të tmerrshme me mua. Po në atë kohë kur kthehem nga zyra e kolegut pas përfundimit të seancës, zotëria me drejtohet menjëherë me kërkesë llogarie dhe me zë shumë të lartë duke përdorur fjali citoj “Unë jam shefi këtu, unë ju kontrolloj juve, këtu nuk din asnjë logoped me i trajtu rastet ata nuk dijnë për veti e po i mësojnë të tjerët”, thuhej në këtë ankesë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, ajo iu ishte përgjigjur shkurt duke thënë se nuk ishte aty për të vlerësuar profesionistet, duke theksuar se Fazliu gati kurrë nuk është i pranishëm në seanca dhe nuk i njeh fëmijët.

“…Edhe ato 20 minuta që ai vendos me qenë i pranishëm, bënë ndërhyrje në mes të seancës duke me pyetur rreth jetës time personale. Unë vendos të mos përgjigjem, vendim i imi i cili e agravoj edhe me shumë situatën. Pasi unë refuzova të përgjigjem, Iljasa Fazliu filloj të më ngacmonte duke me bërë pyetje rreth profesionit dhe parimeve që ai nuk i zbaton personalisht”, kishte shkruar ajo.

Veç kësaj, në këtë ankesë, stazhierja thotë se Fazliu ishte quar në këmbë duke bërtitur dhe ishte shumë afër fytyrës se saj, sa kishte frike se do e godiste, por që në dhomë ishte një person tjetër.

Në këtë ankesë, ajo thotë se kur fëmija nuk pranoi të bashkëpunonte me të pasi ishte fytyrë e re për fëmijën, Fazliu e kap fëmijën me forcë nga tavolina.

“Po në të njëjtën datë rreth orës 12:00-12:30 kur fëmija  nuk pranoi të bashkëpunonte me mua, pasi isha fytyre e re për fëmijën, zotëria në fjalë e ka kap fëmijën me forcë nga tavolina, ka pasur edhe një dëshmitar në zyre. Atë ditë kam qenë e ngarkuar emocionalisht, kur unë kam lënë zyrën kam pasur vështirësi të marrë frymë dhe kam pësuar atakt paniku”, ka thënë tutje ajo.

“Mbani përgjegjës, ata që minimalisht do duhej të ishin të përgjegjshëm”, kishte përfunduar në letrën e saj stazhierja.

Betimi për Drejtësi, ka biseduar edhe me këtë stazhiere, e cila ka thënë se nuk dëshiron të flas për këtë histori.

“Nuk kam kurrgjë me thënë ankesa u drejtu të drejtori kjo ankesë i ka dy vjet e gjysmë,  e kemi kaluar si histori edhe nuk kisha dashur me ju kthyer edhe njëherë.

Por, a ishte adresuar dhe marrë parasysh kjo ankesë e saj?

“Nëse ke dëshirë me e ditë informacion ndoshta i shkon mirë me shku me bisedu të drejtori. Nuk po kam dëshirë se është goxha një farë eksperience e rendë për mua dhe s’kisha dash me e ri-jetu prapë duke e tregu si eksperiencë”, ka thënë ajo.

Në ankesën e pestë me radhë që “Betimi për Drejtësi ka siguruar, edhe një  stazhiere në ankesën e drejtuar në qershor 2025, kishte shprehur shqetësime lidhur me trapistin Fazliu.

“Në ditën e parë të stazhit, terapisti na ka thënë që të fillojmë ne stazheret seancën pa na dhënë asnjë informacion paraprak rreth rastit, çka ka krijuar një pasiguri të madhe për ne, pasi nuk kemi pasur mundësi të kuptojmë qartë nevojat dhe gjendjen e pacientëve për të cilët do të punonim. Pavarësisht kësaj, terapisti ka kërkuar që të përfundojmë regjistrimin dhe të kryejmë punën terapuetike pa pasur mundësinë e mbikëqyrjes dhe udhëzimit nga një person përgjegjës, ashtu siç kërkohet me rregullore”, ka thënë ajo.

Ankesë për Fazliun ishte bërë edhe shtator 2025, ankesë kjo e gjashta me radhë. Në këtë ankesë, stazhierja kërkonte ndërrimin e logopedit gjatë praktikës.

“Kërkoj nga ju ndërrimin e vendit gjatë praktikës logopedike për shkak të shkeljeve jo etike dhe jo profesionale që ushtron logopedi Iljasa Fazliu gjatë seancave logopedike”, thuhej në këtë ankesë.


Stazhieret: Logopedi Fazliu kërkonte nga ne përpilimin e raporteve dhe na kërcënonte me mos licencim

Me dhjetëra ankesa janë paraqitur ndaj defektologut dhe logopedit Iljasa Fazliu, ndër të tjera se ai i lindte vetëm stazhieret në seanca me fëmijët, ndonëse kishte për obligim t’i mbikëqyrte gjithë kohën.

Stazhierja Hana (emër fiktiv i vendosur nga redaksia), thotë se e konsideron gabim, faktin që në fillim kishte pranuar të mbante seancat pa praninë e mbikëqyrësit, në këtë rast logopedit Fazliu.

“Në momentin kur unë kam filluar praktikën me të, javën e parë kam gabuar tepër shumë se edhe pavarësisht që ka dalë ai unë e kam bërë atë që më ka thënë edhe kam qëndruar në dhomë. Mirëpo, pasi jam ankuar te drejtoresha, më ka treguar kështu saktë se cilat janë përgjegjësitë edhe të drejtat e mia. Edhe ndihem shumë në faj që atë javën e parë, pavarësisht që nuk jam kanë mirë e informuar unë kam vazhduar dhe e kam mbajtur dy- tre raste të caktume sepse po shpresoj që nuk i kam bë dëm kurrgjë atij fëmiju. Mirëpo, gjithmonë tash kam me qëndruar me mua brenga që mos unë kam bë një gabim diçka edhe një fëmijë apo kushdo lloj personi që ka qenë prezent aty në seancë nuk ka mundur me arrit diçka më shumë faji që unë nuk kam qenë profesioniste e duhur për trajtimin e tij”, ka thënë ajo.

Madje sipas saj, Fazliu kërkonte nga to që të lëshonin edhe raporte.

“Një rast që shumë më kujtohet ku ka qenë prezent u kanë pasi unë i kam treguar që nuk e mbaj rastin pa u kanë ti prezent edhe u kanë tepër kështu i mllefos edhe i nevrikost me ato që unë e kam thënë, se jam kanë një prej të pakta stazhireve që i kam dalë kundra fjalës që ajo e ka thënë se u mësuar me stazhere të kalum që ja kanë kryer krejt punët ka pas që edhe i kanë lëshuar raporte të cilat nuk guxon në asnjë moment një stazher me e lëshuar edhe ka ardhur aty te rasti, ka filluar me e mbajt, mirëpo gjithmonë duke e ngritur zërin edhe në një farë mënyre duke i bërtitur fëmijët, gjë që nuk është e lejueshme gjatë seancave aspak”, ka thënë ajo.

“Gazetarja: Kur po thu që prej rasteve të tjera e ka kërkuar që edhe me bë ju raport, e ka kërkuar këtë send edhe prej teje që ti me bë raport në emër të tij?

Hana: Po e ka kërkuar, po unë kam refuzuar gjithmonë”, ka shtuar jo.

Fazliu, mohon se i le vetëm stazhierët.

“Shiqoni më së pari unë kurrë nuk i la stazherët vet asnjëherë, duhet me dit emrin e qatyre stazhiereve,  sepse unë kam edhe faleminderime të jashtëzakonshme siç e pat rastin tash ku i kam ato këto, këto nuk i kam shkruar unë vetë domethënë praktikisht, ajo është shpifje sepse këtu vijnë kalojnë 2 muaj ditë edhe shkojnë”, ka thënë ai.

Stazhieret thonë se Iljasa po i kërcënonte edhe me licensim, duke iu thënë se ai ishte në komision.

“Po kërcënime ka pas gjatë dy javëve të para të cilës ja pata filluar stazhit për shkak që unë kam refuzu me mbajt rastin pa qenë ai prezent, siç ishte shkruar edhe në kontratën e stazhierëve para se me fillu.  Edhe disa prej kërcënimeve të tij kanë qenë që ti nuk ke me mujt me arritë kurrgjë. Ju si logopedë duheni me ditë se çka keni me punu, nuk duhet unë ty me të mësu. Gjithashtu ka thënë që unë jam përgjegjës për nënshkrimet që i japi për procesin e licencimit. Unë ty nuk t’i jap nënshkrimet. Muj me ta shkatërruar edhe karrierën që mundesh me pas në të ardhmen”, ka thënë Hana.

“Unë, veç atëherë nuk e kom marrë guximin tu e ditë që e kom provimin e licencës edhe na ka frikësu. Unë shume shpejt kom mu kanë në komision edhe mandej e kum kuptu qe aj e ka pas vetëm qe na mos mu anku për to kinse ka me qenë ne komision edhe nuk mujna mandej me u licencu”, ka thënë stazhierja tjetër, Vera*.

Por edhe këtë, logopedi Iljasa Fazliu e mohon.

“Ja s’është e vërtetë, se unë nuk jam komision për licencim. Unë jam kanë Kryetar i komisionit për licencim për 5 vite, unë nuk jam më, që katër vjet nuk jam marrë me atë punë.As s’iu kam kërcënuar kurrkujt, as s’i kërcënohem kurrkujt”, ka thënë ai.


Logopedi Fazliu, ndonëse do duhej të ishte në seancë për të trajtuar fëmijën, ai i tregon një motor prindit

Ndonëse defektologu dhe logopedi Iljasa Fazliu mohon që i le praktikantet vetëm në seanca. Gazetarja e Betimi për Drejtësi, më 31 tetor 2025, ka qëndruar për disa orë në ambientet e logopedisë, për të parë nëse Fazliu qëndronte në seanca me fëmijët, ashtu siç e ka detyrim.

Por, me të hyrë njëri prej fëmijëve në seancë, logopedi del jashtë, e fton prindin që të dalin në oborr, për t’i treguar një motor.

Fazliu gjatë gjithë seancës, ndonëse kthehet për disa minuta në dhomën e terapisë, ai del serish.

Për kështu e arsyeton ai, faktin që atë ditë, kishte dalë për t’i treguar prindit një motor dhe nuk kishte trajtuar personalisht fëmijën.

“-Po, po qashtu bravo. Ai fëmijë është duke ardhë që 10-15 herë, edhe këto e dinë punën e vet (stazhieret), unë pi duhan, dal lëvizi, shkoj në atë kabinet i veti a ka nevojë diçka për me ndihmuar a tek sen edhe kam dalë domethënë sepse këto i kanë marrë ato instruksionet çka duhet, çka duhet, unë rri qetu, kur bëhet diçka i them jo, ndaje në rrokje”, është arsyetuar ai.

“Gazetarja: Por atë ditë s’ke qëndruar.

Fazliu: Po, po atë ditë jo, po sa seanca i kam mbajtur unë, i mbaj 10 raste.

Gazetarja: Po secili rast e ka veçantinë e vet…

Fazliu: Po veçantinë që është duke ardhë që dy muaj edhe bash me vet qat prindin”, thotë tutje ai.

Ekipi zhvillon një bisedë me prindin, e cili thotë se kështu ndodhë zakonisht.

Gazetarja: Të Iljasa e ke fëmijën apo?

Prindi: Po.

Gazetarja: Qysh po shkon trajtimi me të?

Prindi: Mirë, mirë.

Gazetarja: Që sa kohe e ke të ky?

Prindi: Vallah kogja moti

Gazetarja: Kogja moti a.

Prindi: Po, shumë është ka rrinë në telefon (fjala për fëmijën).

Gazetarja: A ishte ky që ishte jashtë, a po, a është doktori?

Prindi: Po, po. Ma shumë ishin ato praktikantet.

Gazetarja: Praktikantët merren me fëmijën a?

Prindi: Praktikantët ma shumë. Nashta punën kryesore e bënë ky… po se di.

Gazetarja: Po qata, thash qysh shkon procedura.

Prindi: Regjistrimin e bënë ky…për tjetër sen…

Gazetarja: Se e pash që ta tregojke një motor e thash a është në seancë fëmija?

Prindi: Po…

Për këtë situatë, flasin edhe dy stazhieret që po e kryejnë aktualisht stazhin nën mbikëqyrjen e Fazliut.

“Ai na jep instruksionet, edhe i përcjellë, se ai i ka pas rastet, na kur jemi ardhë kanë qenë rastet, ai ka punu vetë edhe me praktikantë ato raste në tash veç i vazhdojmë rastet që janë që sa edhe i përcjellim përmes instruksioneve të profës”, thotë njëra prej tyre duke u aprovuar edhe nga praktikantja tjetër.

Por, stazhieret nuk kanë të drejtë të trajtojnë të vetme fëmijën, pa qenë nën mbikëqyrjen e logopedit.

Fazliu, kërkon edhe nga një prind që të flas për Betimi për Drejtësi, nëse ishte i kënaqur me shërbimet e tij.

“Me të vërtetë doktori është,të ky djali jem ja ka nis trajtimit që një muaj, po qaq ka ndryshim është si dita me natë. Unë fëmijën në shpi nuk kam mujt me e ulë në karrige, doktori për dy seanca e ka pru me u ulë”, shprehet ky prind.

Fazliu e pyet prindin nëse e ka lënë ndonjëherë fëmijën vetëm me studentet.

“ Jo, jo. Është në doktor që i vyen Kosovës, edhe është duke bë ndryshime të fëmija, të fëmija jem. Jam falënderues për doktorin shumë”, shprehet tutje prindi.

Por, eksperiencën e njëjte nuk e kishte edhe nëna e dhjetë vjeçarit e cila pas katër viteve thotë se u detyrua të kërkonte ndërrimin e logopedit.

“Derisa e trajtoj unë fëmijën te ti, ti e ke për detyrë me ndejt këtu. Sa 30 minuta, nuk e ka gjithë ditën me ndejt ai me fëmijë temin, 30 minuta,  edhe ata as dy minuta s’ rrike brenda, ti s’mun më kallëzon a rri unë këtu a jo. Po, tash herën e fundit po se e bëra ankesën me shkrim e dërgova të drejtoresha ajo e ka dërguar të drejtori edhe e kam ndërruar tash logopedin”, thotë jo.

Stazhierja Vera*, thotë se habitet se pse prindërit i trajtojnë fëmijët tek logopedi Iljasa.  

“Edhe unë nuk e di qysh prindërit e dijnë çfarë çka problemi ka pas ky edhe vazhdojnë i sjellin fmit të ai. Ndoshta edhe kushtet e bojnë të vetën edhe tash nuk kanë mundësi dikun tjetër edhe patjetër duhet aty nuk kanë zgjidhje tjetër”, ka thënë ajo.


U.d. Shefja e Logopedisë: Ankesat i kam adresuar të hierarkia, Fazliu thotë se nuk u ftua asnjëherë për ankesat

Dhjetëra ankesa janë adresuar ndaj defektologut dhe logopedit Iljasa Fazliu. Por, përveç ndërrimit të logopedit, që iu është mundësuar disa prindërve, e edhe gjashtë stazhierëve ankesat e të cilave i ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, asnjë hetim, as një masë nuk ishte ndërmarrë për të.

Vetëm në një rast, në gusht 2023, Fazliut i ishte shqiptuar vërejte me shkrim, nga ushtruesja e detyrës se Shefes se Logopedisë, Zahide Uka-Rraci, për shkak mos respektimit të orarit të punës dhe mos përmbushjes se detyrave.

“Kjo, pasi, siç e dini, rastet e fëmijëve që do të duhej t’i trajtonit Ju, bashkë me stazhierët, po trajtohen vetëm nga stazhierët, të cilët nuk guxojnë të punojnë të pavarur, sipas ligjit. Mos-qëndrimi juaj në punë më shumë se 10 minuta në ditë, në orar të punës, po krijon pakënaqësi edhe tek prindërit e fëmijëve që trajtohen, pasi trajtimi i rasteve me stazhierë po e pamundëson progresin dhe po jep rezultate të vogla tek fëmijët”, thuhej në vërejtjen me shkrim të shqiptuar ndaj Fazliut.

“Për mungesën tuaj të çdoditshme në punë, si U.D., shefe e Shërbimit të Logopedisë, jam e detyruar të veprojë konform ligjit, ndaj, ju lus me mirësi, që të reflektoni dhe të merrni përsipër përgjegjësitë që ju takojnë dhe për të cilat paguheni. Në të kundërtën, do të detyrohem që të inicioj procedurë disiplinore, pranë Komisionit Disiplinor të SHSKUK-s”, thuhej tutje në ankesë.

Betimi për Drejtësi, për të sqaruar gjithë situata, ka kërkuar intervistë me shefen e shërbimit, Zahide Racin, Shefin e Klinikes se ORL-së, Arsim Elezaj, Drejtorin e QKUK-së, Mentor Zejnullahun, drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi.

Gjithashtu, intervistë është kërkuar të zhvillohet edhe me ish drejtorin e ORL-së, Arsim Behramaj, dhe ish drejtorin e QKUK-së, Osman Hajdarin, të cilët ishin të njoftuar me gjitha ankesat e adresuara përmes e-mailave.

Megjithatë, përkundër kërkesës se përsëritur me jave të tera, as Shefi i ShSKUk-së, e as ai i QKUK-së, nuk kanë pranuar të flasin, duke mos dhënë leje as për intervistat tjera të kërkuara.

Kështu, edhe kësaj radhe, e gjithë hierarkia heshtë përballë ankesave të ngritura.

Vetë Iljasa Fazliu, thotë se nuk është ftuar asnjëherë për këto ankesa.

“Ku janë ato ankesa dhe kujna ju kanë drejtuar zyrtarisht,  kush, kush i ka drejtua,  kujna iu kanë drejtu edhe kush, drejtori i klinikës nuk e ka asnjë ankesë. Drejtoria nuk e ka asnjë ankesë. A u drejtu në klinikë të ORL-së, A jam thirrë unë njëherë me thënë e kemi këtë ankesë asnjëherë”, ka thënë ai.

Betimi për Drejtësi, ka  intervistuar u.d Shefen e Shërbimit të Logopedisë, e cila thotë se për të gjitha ankesat kishe njoftuar gjithmonë hierarkinë.

“ Unë veç mund me ju thënë që unë secilën ankesë qoftë stazhierëve qoftë personave të tjerë e kam adresuar të drejtoria e ORL-së edhe QKUK-së”, ka thënë ajo duke u shprehur se për detaje tjera duhet të marrim leje nga zyra për media.


Ish-drejtori i ORL-së pranon se nuk adresoi ankesat për logopedin Fazliu: Ishte e njoftuar gjithë hierarkia

“Betimi për Drejtësi”, ka telefonuar edhe ish-drejtorin e ORL-së, Arsim Behramaj, i cili pranon se u.d Shefja e Logopedisë Zahide Uka-Rraci kishte dërguar në vazhdimësi e-maila zyrtare, për ankesat ndaj defektologut dhe logopedit Iljasa Fazliu,  por që sipas tij, ai personalisht nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, me pretekstin se në këto e-maila, cc ishin të përfshirë e gjithë hierarkia.

“Krejt janë të adresuar në drejtoritë tona. Këto ankesë ka shkuar në drejtori të QKUK-së, krejt janë deponuar atje. Ajo çdo send i ka pru të unë, tani i kam thanë unë percilli në drejtori se unë s’kisha çka me i bo faktikisht unë s’jam ai që as që e qes prej pune as që e marr në punë”, ka thënë ai.

Por, a e kishte mbikkëqyrë ai këtë shërbim, meqë është pjesë e ORL-së, ku ai ishte drejtor.

“ Po s’kanë ndërmarrë s’kanë ndërmarrë diçka të veçanta ata. Sa e di unë kurrë diçka konkrete s’kanë ndërmarrë, kurrë asnjëherë”, ka thënë ai.

Por ai thotë se nuk është ankuar asnjëherë për mos marrjen e veprimeve.

“Jo, jo, jo. Tamam puna, na ashtu në atë mënyrë nuk kena shkuar. Po ne këna pritë që ajo e procedon, shefja e logopedisë, ajo është përgjegjëse për të. Jo unë”, ka thënë ai.

“Gazetarja: Po, por realisht hierarki më e lartë se shefja e shërbimit në këtë rast ka qenë drejtori i ORL-së.

Behramaj: Oj ti çikë absolut nuk kena bë ne kurrgjë krejt ankesat janë shku drejt atje në drejtori, çka kanë bë atje.

Gazetarja: Po ju personalisht i keni drejtuar këto ankesa në drejtori?

Behramaj: Jo, jo kanë shkuar përmes shefës së logopedisë. Unë vetë s’kam shkruar kurrgjë”

Sipas drejtorit të ORL-së, Shërbimin e Logopedisë e kishin mbikëqyrur vetëm si vajtje ardhje.

“E këna mbikëqyr veç vajtje-ardhje, kurrfarë kompetenca diçka më shumë s’kanë pas as nuk iu këna përzi në kompetenca.

Gazetarja: E në rastet kur ai nuk ka ardhur në punë çfarë keni ndërmarrë meqenëse po  po thoni që keni pas këtë kompetencë.

Behramaj: Shefja e vet, shefja e vet ka ndërmarrë aty, unë s’iu kam përzi, shefja e vetë më ka informuar kur ka mungu, kur ka asi, krejt i ka adresuar ato.

Gazetarja: Po por shefja i ka raportuar në këtë rast drejtorit, që keni qenë ju.

Behramaj: Pode, pode.

Gazetarja: Edhe ju si drejtor e keni njoftuar hierarkinë më të lartë në këtë rast që ka qenë drejtori i QKUK-s?

Behramaj: Nuk, konkretisht nuk kam shkuar me të thënë të drejtën s’po di që kam drejtuar ndonjëherë atyre.

Gazetarja: Pse?

Behramaj: E disha që s’janë që ndërmarrin diçka.

Ish-drejtori i ORL-së, Betimit për Drejtësi, i ka dërguar edhe disa e-maila zyrtare, ku shefja e shërbimit të logopedisë, e kishe njoftuar hierarkinë e QKUK-së, për mungesat e vazhdueshme në punë.


Komunikimet elektronike dëshmojnë se për sjelljet e logopedit Fazliu ishte e njoftuar e gjithë hierarkia

Ish-drejtori i ORL-së, Arsim Behramaj, “Betimit për Drejtësi, i ka dërguar  disa e-maila zyrtare, ku u.d. Shefja e Shërbimit të Logopedisë, Zahide Uka-Rraci, e kishe njoftuar hierarkinë e QKUK-së, për ankesat dhe mungesat e vazhdueshme në punë të logopedit Iljasa Fazliu.

Në këto e-maila ndër të tjera thuhej:

“Përshëndetje drejtor, dëshiroj të ju informoj se kolegu Ilijsa Fazliu edhe sot për të disatën herë (ditëve të premte) në mëngjes ka lënë punën dhe ka shkuar në shtëpi pa me njoftuar mua si shefe e repartit, por ju ka informuar vetëm juve si drejtor”.

Në e-mailin  e 18 marsit 2025 thuhej:

“Siç edhe jeni të  njoftuar zyrtarisht ne kemi filluar qysh dje me ofrimin e shërbimeve logopedike, mirëpo sot prej mëngjesi si zakonisht Ilijsa Fazliu nuk është lajmëruar në vendin e punës, rrjedhimisht nuk kemi kurrfarë informacioni, as lajmërimi për arsen e mungesës se tij sot. Andaj, ju lutem shumë që të me njoftoni se a është në punë kolegu apo është marr vesh me juve drejtor si herave tjera”.

Në këto komunikime zyrtare, cc ishte edhe ish-drejtori Osman Hajdaraj. Behramaj ka thënë se të gjitha komunikimet tjera elektronike i posedon shefja e logopedisë. Betimi për Drejtësi, ka kërkuar në ShSKUK qasje në këto komunikime të brendshme të cilat sipas Ligjit për Qasje në dokumente publike, konsiderohen dokumente zyrtare të qasshme për publikun. Megjithatë, ShSKUK, ka heshtur përballë kësaj kërkese. Për shkak të mos aprovimit, qasje nuk ka ofruar as Shërbimi i Logopedisë.

Megjithatë, Betimi për Drejtësi, ka siguruar edhe disa prej këtyre komunikimeve zyrtare.

Në shkurt 2023, ishte adresuar kjo ankesë:

“…Ju njoftoj se po vazhdon neglizhenca e kolegut tonë Iljasa Fazliu, duke mos qëndruar në vendin e punës dhe duke vazhduar kështu, me nënshkrimet formale ne listën vajtje-ardhje. Siç ju kemi njoftuar edhe ne komunikimet e mëhershme tona zyrtare, ne kabinetin e tij vazhdojnë te punojnë stazheret te vetme, pa mbikëqyrje dhe pa praninë e tij…”

Në adresimin elektronik të majit 2024, thuhej se Fazliu prapë mungon në punë…

“Siç e dini kolegu Iljas Fazliu me marrëveshje vetëm me juve (pa kurrfarë paralajmërimi paraprak me neve) ka shkuar në pushim vjetor 2023 deri me datën 02.09.2024 edhe atëherë i pata thirre rastet e reja, por qe kur morra vesh jozyrtarisht se ka shkuar ne pushim, kam qene e detyruar me i thirre prape për anulimin e tyre”.

“Kolegu juaj ka kërku ditë të lirë sot për shkaqe familjare, kaq di unë”, ishte përgjigjur Behramaj.

Në dhjetor 2024, Drejtori i ORL-së njoftohet prapë për mungesa të Iljasa Fazliut në punë.

Mungesat e vazhdueshme në punë ishin adresuar pothuajse në çdo muaj edhe të këtij viti.

Fazliu, që dikur thotë të këtë pasur raporte të mira me ish-drejtorin, tashme e kritikon.

“Tash ju keni parasysh një send, ish-drejtori sa ka qenë drejtor kurrë njëherë kama e tina këtu shkel s’ka,  shumë lehtë është me marrë imeillin e dikuj edhe me i shkruar ankesa e ç‘ankesat kishen ato kur të bëhet ankesë duhet me ardhë me u drejtua të unë…T’ish kanë qaj raport, qajo çka ke pyet ti para katër muajve sa u kanë drejor, garant qeto sende nuk i kish thanë”, ka thënë ai.

Por, ai pranon se për hyrje- daljet e tij, nuk kishte informuar asnjëherë shefen e logopedisë, por gjithmonë drejtorin.

“Fazliu: Jo shefen e Logopedisë unë kurrë s’iu kam drejtuar edhe asnjëherë s’i drejtohna

Gazetarja: Pse, sepse është mbikëqyrëse e juaja.

Fazliu: Jo, jo s’është mbikëqyrëse e jemja ajo, ne e kemi drejtorinë atje”, ka thënë ai.


Ish-drejtori i ORL-së: Shkeljet e Iljasa Fazliut i ka mbuluar drejtori mjekësor Ardian Shefkiu

Ish-drejtori i Klinikës së ORL-së, Arsim Behramaj thotë se për mos marrjen e veprimeve për gjitha shkeljet e raportuara ndaj defektologut dhe logopedi Iljasa Fazliu, ka një person që i ka qëndruar mbrapa dhe e ka mbrojtur.

“Drejtori mjekësor është Ardian Shefkiu, edhe ai e ka mbulu ton kohen, edhe e ka mshefe si rast, e çka ka bo ai që i ka shti ndër fijoka e asi e din ai. Këqyrni emailat, të deponume i ka ankesat e palëve, ankesat e palëve, që i kanë shkuar prej shërbimit të logopedisë”, ka thënë ai.

“ E kanë një farë lidhje familjare çka po di unë”, ka shtuar ai, kur është pyetur se çfarë raporti kanë ata mes vete.

Vetë Fazliu, mohon të këtë ndonjë raport shoqëror apo familjar me Shefkiun.

“As një lidhje familjare nuk e kam unë me zotin Shefkiu, bash kurrfarë lidhje familjare s’kam unë jam i Prelepnicës,  ai i ka dajtë në Prelepnicë,  unë jam i mahallës Zubakëve ai i ka dajtë mahallë të Shabanoviqeve, kurrëfarë lidhje familjare s’kam me të absolut”, ka thënë ai.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar edhe me Ardian Shefkiun.

“Unë jam drejtor i ShSKUK-së mjekësor, as nuk merrem me këtë çështje, aty janë organet e QKUK-së ku është i punësuar ai. Ka një administratë, ka drejtora, ka zyrë personeli, ka komisione të cilat duhet me u marrë, nuk me takon mua me u marrë me këtë çështje. Nuk i drejtohet drejtorit mjekësor askush për ankesa apo probleme tjera”, ka thënë ai.

Behramaj thotë se për të gjitha ankesat, kanë qenë të njoftuar e gjithë hierarkia e ShSKUK-së.

“Nuk është që s’e kanë ditë, po nuk po dojnë me e ditë, ajo është tjetër send, nuk është e vërtetë që nuk e kanë ditë” ka thënë ai.

I pyetur nëse ishte i njoftuar edhe Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ai thotë se të gjithë kanë qenë të informuar.

“Krejt de ka qenë. Normal se kjo ja ka qu në CC”, ka thënë ai.

Ish-drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari, ka thënë se për të ndarë detaje për këtë teme i duhet leje nga drejtoria e ShSKUK-së, megjithatë, këta të fundit nuk e kanë dhënë këtë leje. Por, Osmani gjatë bisedës telefonike ka thënë se logopedi Fazliu ishte mbuluar nga ish-drejtori i ORL-së.

“Fatkeqësia me e madhe u kanë që u kanë një drejtor i ORL-së edhe në aspektin shëndetësor jo mirë edhe në aspektin e menaxhimit jo mirë, zakonisht ka bërë qësi mbulesa.  Pastaj s’ke mujt s’i të thuash me tejkalu atë përderisa e ka pas që unë jam qetu jam qetu.Që unë për shembull prej Arsimit nuk as një shkresë të vetme, asnjë ankesë, as kurrgjë hiç, as të raportume as kurrgjë”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk është ndjekur linja zyrtare e raportimit.

“Mirëpo, nuk janë adresuar në linjë zyrtare, me marr masa duhet shefi edhe me qu në komision disiplinor edhe ma ka dhanë një informatë Zahidja edhe unë e kam pyet Drejtorin që me ka raportu direkt, ai me ka thanë ai është i mbulum, unë i kam dhanë leje”, ka thënë tutje Osmani.

Ndërsa, drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, kërkon që komunikimin ta zhvillojmë vetëm përmes zyrës për media.

“ Po me vjen keq me këtë punë mirret zyra për media, e nderuar. Është politikë e organizatës. Faleminderit për mirëkuptim, vazhdoni me ta i merrni krejt informatat prej tyre”, ka thënë ai, ndonëse nuk është përgjigjur as përmes e-mailit siç ka kërkuar.

As drejtori i ri i QKUK-së, Mentor Zejnullahu nuk ka pranuar të flas duke thënë se të gjitha kërkesat të drejtohen me postë elektronike.

Përveç një vërejtje me shkrim,  asnjë hetim ndaj Iljasa Fazliut, i cili edhe sot vazhdon të mbrohet dhe nuk ka gatishmëri të flitet për shkeljet e tij, deri me tani të pretenduara, pasi ShSKUK, refuzon të hetoj dhe trajtoj këto raste, ashtu siç refuzon t’iu përgjigjet kërkesave të Betimi për Drejtësi, për t’i dhënë përgjigje publikut.

Ankesa për Fazliun iu janë drejtuar edhe drejtorit të ri të ORL-së, Arsim Elezaj, ai për Betimi për Drejtësi, jep një përgjigje kontraverse, kur njëherë thotë që s’ka pasur ankesa, dhe pastaj që kanë trajtuar dy ankesa.

“Në lidhje me ankesat nga prindërit dhe stazhierët, ne si drejtori e Klinikes se ORL-se nuk kemi marrë asnjë ankesë. Në lidhje me ankesën e një prindi dhe një stazhiereje poashtu janë trajtuar me U.D. Shefit të Logopedisë.  Sa i përket ankesës së stazhierës, e kemi sqaruar dhe kemi shumë falënderime dhe mirënjohje nga stazhierët që janë në stazh si dhe kolegët e shërbimit për profesionalizmin e personit të lartcekur”, ka thënë ai.


Si u trajtua Iljasa Fazliu në rastin e akuzës për keqtrajtim të vajzës 3-vjeçare?

Logopedi dhe defektologu Iljasa Fazliu u arrestua më 27 nëntor të vitit 2022, pasi në media u publikua një audio-incizim nga ordinanca e tij private në Gjilan, ku ai dëgjohej duke e fyer dhe sharë një paciente 3-vjeçare me autizëm.

“Ik more, ik aty….Hejj, uh sa nerva po me shkon, kush e duron këta një orë,. jepja bre jepja q***a nanen se po na… Nalu, nalu ta q**t dreqi nanen. Ik atje, ik atje, ik, mmmm, ik atje, shumë punë e madhe budallicë, çka po don, çka?…Kuh nanen s’po u durojshe ti”, dëgjohej Fazliu në këtë audioincizim.

Pas publikimit të rastit në media, Fazliu më 29 nëntor 2022, ishte shkarkuar nga pozita e u.d shefit të Logopedisë. Por, me një vendim tjetër të po kësaj date, ai ishte kthyer në punë vetëm si defektolog në këtë klinikë.

Por, ndaj tij, nuk ishte zhvilluar asnjë procedurë disiplinore.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Fazliut i kishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Trajtimi i pa ndërgjegjshëm mjekësor”. Sipas Prokurorisë, Fazliu, haptas ka përdorur metodë të pa përshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit.

Në gjykimin ndaj Fazliut ishte bërë edhe një ekspertizë psikiatrike, por që fëmija asnjëherë nuk ishte ekzaminuar, sipas tyre pasi nëna e fëmijës nuk ka pranuar.

Në këtë gjykim, kishte dëshmuar Ekspertja e Psikiatrisë së Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, Dr. Blerina Hoxha-Gjuraj.

Sipas saj, Ndërhyrja e logopedit në këtë seancë nuk ka mundur të ndikojë në dëmtim emocional të fëmijës.

“Me fjalën “ik atje, budallicë”, sigurisht që iu ka drejtuar fëmijës. Nuk e konsideroj se nga ana e logopedit që ka qenë bërtimë ndaj fëmiut, ka qenë koment në sjelljen e fëmijës, se qenka fëmijë i vështirë, që nuk po merrka vesh dhe fëmiu ka vazhduar të vazhdoj të bashkëpunoj me logopeden, të luaj qeshë, të lëshoj zëra të paartikuluar që është karakteristikë e këtyre fëmijëve, sikur të kishte pasur lëndim emocional fëmija do ta ndërpriste bashkëpunimin me logopeden do të kërkonte të ikte dhe të dilte nga seanca”, kishte thënë ajo.

Betimi për Drejtësi, ka kërkuar përgjigje edhe nga ekspertja Hoxha-Gjuraj, por ajo ka thënë se nuk e ka me këtë lëndë pasi është përfunduar në Gjykatën e Apelit.

Vetë Iljasa Fazliu jep versionin e tij për këtë rast, duke thënë se kishte qenë i ngarkuar me punë tjera të tij.

“S’jam marr unë me të hiç veç tha s’po rrin, po qanë,  po thash merre jepja ndonjë lodër, ndonjë send edhe ajo fëmija duke e këqyr ballonin. Jam hyp me marrë ballonin. Kur kam zbrit poshtë domethënë unë jam tu fol në telefon s’jam marrë me punë, as nuk e kam trajtuar unë hiç në qato dy seancat. Absolutisht s’jam marrë punë, seanca e katërt u kanë, kur kam ra poshtë të këmbët gati jam kanë duke e shkelë edhe me ka rrjedh ajo fjalë “ik atje, se kesh tu e shkelë, në atë kuptim. Unë nuk po them që ka qenë mire, shprehjet e tilla  nuk duhet me u përdor, por gjykata i ka vërtetuar. Domethënë praktikisht që s’ka pasur të bëjë me të hiç”, ka thënë ai.


IKD: Ka pasur elemente të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare nga logopedi Fazliu

Defektologu dhe Logopedi Iljasa Fazliu, ishte akuzuar për “Trajtimi të pa ndërgjegjshëm mjekësor”, pasi kishte fyer një vajze 3 vjeçare me autizëm në kliniken e tij private.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, nuk ishte kontestues fakti që i akuzuari kishte përdorur këto fjalë, por kontestues ishte fakti nëse nga këto fjalë kishte pësuar fëmija dëmtim emocional apo ndonjë natyrë tjetër. Kështu, duke u bazuar në ekspertize, Gjykata Themelore në Gjilan, kishte liruar të akuzuarin, këtë vendim e ka vërtetuar edhe Apeli.

Por, sipas hulumtueses nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Zamira Krasniqi edhe nëse fëmija nuk ka pësuar dëm, në këtë rast ka pasur elemente të “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

“Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor e kërkon edhe elementin e dëmit, që në këtë rast, thuhet se nuk është vërtetuar. Por, se në rastin konkret, shfaqen dyshimet se mund të ketë pasur elemente të veprës penale të “keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve.  Personi zyrtar, i cili duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij e keqtrajton, frikëson ose fyen rëndë dinjitetin e personit tjetër, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet. 2. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet ndaj fëmijës, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet” ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo thotë se siç duket, ky rast nuk është trajtuar në këtë drejtim.

Betimi për Drejtësi, ka kërkuar përgjigje edhe nga Prokuroria dhe nga Gjykata. Nga gjykata kanë thënë se nuk mund t’i komentojnë vendimet e tyre, ndërsa Prokuroria nuk është përgjigjur.

Por, përveç Gjykatës, as QKUK nuk kishte nisur asnjë procedurë ndaj tij për shkelje disiplinore dhe të etikës, me arsyetimin se tashmë ai ishte shpallur i pafajshëm dhe rasti nuk kishte ndodhur në QKUK.

Krasniqi nga IKD thotë se në rastin konkret, përgjegjësia disiplinore duhet trajtuar si ndarazi nga përgjegjësia penale.

“Përgjegjësia penale nuk është e ndërlidhur me përgjegjësinë disiplinore. Nëse në një rast nuk ka përgjegjësi penale, një person nuk lirohet automatikisht nga përgjegjësia disiplinore. Sanksionet disiplinore shqiptohet për shkelje disiplinore, të cilat kërkojnë një standard shumë më të ulët se sa e kërkon shkelja penale. Për këtë arsye, asnjë institucion nuk duhet të përjashtojë përgjegjësinë disiplinore për shkak të mos evidentimit të përgjegjësisë penale”, ka thënë ajo.

Mandej, në një shkresë që Betimi për Drejtësi ka siguruar, të 19 nëntorit 2024, ish Drejtori i Klinikës së ORL-së, Arsim Behramaj, kërkonte që Fazliu të kthehej si ushtrues detyre i shërbimit të logopedisë. Kjo, sipas tij për të mirën e këtij shërbimi, pasi thuhej se Fazliu kishte përvojë të gjatë dhe me të do përfitonte Shërbimi i Logopedisë dhe pacientët.

Në kohën kur kishte ndodhur rasti, Fazliu ishte pa licencë nga Oda e Infermiereve e me licencë të skaduar nga Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë, ndonëse në kliniken private ishte pa licencë Prokuroria nuk ka trajtuar edhe aspektin e elementëve të veprës penale të “ushtrimit të kundërligjshëm mjekësor”.

Edhe për këtë, Betimi për Drejtësi, ka pyetur Prokurorinë, por nuk ka marrë përgjigje.

Paradoksi qëndron në atë, se përderisa Fazliu nuk kishte licencë për vete, ai ishte në komision për lëshimin e licencave.

“Shiqo unë licencë kam pas qysh s’kam pas licencë. Unë, unë licenc kam pas, po i ka dalë afati domethënë praktikisht e edhe licencë të punës, se unë po kam punuar edhe te tjetërkush nuk është që s’kam pas licencë. Unë jam kanë kryetar i komisionit për licencim e unë po rri pa licencë. Po i ka dalë afati edhe unë kam kam qenë koha e verës edhe sot, nesër sot, nesër me mbledh me apliku për licencë një muaj a dy se nuk e kam këqyr”, ka thënë ai.

Këtë e ka konfirmuar edhe Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësorë

Në momentin që rasti i z. Fazliu është bërë publik, OIK ka hequr autorizimet komisionit përkatës, që nënkupton shkarkimin e tij. Ndërkohë, OIK i është drejtuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për të verifikuar nëse ndaj z. Fazliu është shqiptuar ndonjë masë ndëshkuese për shkelje të detyrimeve të punës, apo nëse ai ka kryer ndonjë shkelje etike. Nga QKUK është konfirmuar se Komisioni përkatës i QKUK-së e ka liruar nga përgjegjësia z. Fazliu. Pas kësaj, sipas kërkesës së parashtruar nga ana e tij, OIK e ka anëtarësuar dhe licencuar z. Fazliu”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas Odës se Infermiereve, ata nuk kanë mundësi të ndërmarrë veprime apo masa ndaj asnjë profesionisti që nuk është anëtar dhe nuk posedon licencë të lëshuar nga Oda.
Gjithashtu, thuhet se ndaj z. Fazliu nuk është iniciuar asnjë rast nga pala e dëmtuar apo nga institucionet përgjegjëse, qofshin ato hetuese apo gjyqësore.

Deri me tani, duket se Fazliu është amnistuar nga çdo shkelje nga çdo instancë e Shërbimit Klinik Universitar, ndërsa mbetet të shihet nëse do i mbyllin sytë serish, para këtyre denoncimeve publike.