Skuadra e Golden Eagle Yllit ka shkëlqyer të mërkurën mbrëma në ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës së Kosovës në basketboll.
Fitorja e suharekasve 102:99 u arrit në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ndaj kampiones dhe fitueses në fuqi të Kupës së Kosovës.
Kjo u arrit falë paraqitjes mbresëlënëse të dikur reprezentuesit të Kosovës, Scott Bamforth. Amerikani 36-vjeçar që luan si fundor, e mbylli ndeshjen me 29 pikë, tri kërcime e po aq asistime. Edhe Antwan Scott pati paraqitje të jashtëzakonshme me 28 pikë, tri kërcime e katër asistime.
Trevon Allen në fitoren shënoi 14 pikë, kurse kapiteni Gëzim Morina ndeshjen e mbylli me 11 pikë.
Bamforth u zyrtarizua më 20 nëntor nga Ylli, por në stërvitje me klubin suharekas, u bashkua në fundjavën e kaluar.
Dhe pati ndikim menjëherë në lojën e suharekasve.
Trepçës i takoi pjesa e parë pasi e mbylli me katër pikë epërsi, 51:47.
Por, rikthimi i mysafirëve u bë në çerekun e tretë, të cilin e fituan 32:26. Periudha e fundit u mbyll 23:22, mjaftueshëm që Golden Eagle Ylli të arrijë fitore në ndeshjen e parë.
Shawn Jones te Trepça i pati statistikat më të mira me dyshifror të dyfishtë prej 24 pikëve e 10 kërcimeve. Edhe pesë lojtarë tjerë të skuadrës mitrovicase shënuan pikë dyshifrore, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën. Mikaile Tmushiq i kishte 19 pikë, Kenneth Hasbrouck i shënoi 14 pikë, 13 pikë i pati Mustapha Amzil, Seketoure Henry 12, kurse Drilon Hajrizi i shënoi 10 pikë.
Një sukses tjetër në ndeshjen kthyese pas dy javësh, do ta dërgonte Golden Eagle Yllin në gjysmëfinale të garës.
Fituesi i këtij ballafaqimi në gjysmëfinale do të luajë me fituesin e ndeshjes Bora - Rahoveci 029.
Ndeshjen e parë, Bora e fitoi 79:70.