Skuadra e GO+ Pejës nuk e ka realizuar gjuajtjen e fundit, për t’ia mundësuar skuadrës së Golden Eagle Yllit festën e madhe.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Ylli i Suharekës fitoi me rezultatin e ngushtë, 90:89.
Ndeshja i takoi xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Fundi ishte shumë dramatik.
12 sekonda para fundit, Musab Mala shënoi njërën prej gjuajtjeve të lira për të ngushtuar rezultatin në 90:89. Menjëherë u faulua Brandon Huffman i Yllit, por ai dështoi në dy gjuajtjet e lira. Kështu Peja e kishte aksionin e fundit, përkatësisht 10 sekonda.
Sulmi nuk u realizua si duhet dhe Oshowen Williams gjuajti jo saktë për tri pikë fare në fund. Por ai nuk shënoi dhe fitorja 90:89 i takoi Golden Eagle Yllit.
Scott Bamforth udhëhoqi Yllin me 27 pikë, pesë asistime e katër kërcime. Hufman e ndihmoi fitoren me 11 pikë e 11 kërcime. Antwan Scott i kishte 14 pikë e shtatë asistime.
Te Peja, Jordan Johnson i kishte 18 pikë, pesë kërcime e dy asistime. Mala e përfundoi ndeshjen me 20 pikë, katër asistime e tri kërcime.
Ylli i ka tani shtatë fitore e nëntë humbje. Por është në seri pozitive. Ndërkohë kriza e Pejës thellohet. E pësoi humbjen e tetë, kurse i ka edhe tetë fitore.