Wendell Green shkëlqeu në ndeshjen e parë finale të plejofit. E ndihmoi fitoren 84:77 të Bashkimit ndaj Trepçës me 22 pikë, dy kërcime e dy asistime. Por fundori amerikan kishte shumë telashe në ndeshjen e dytë finale të plejofit, të cilën Trepça e fitoi të mërkurën në Mitrovicë me rezultat 79:72. Green i realizoi vetëm tetë pikë. I qëlloi tri prej tetë gjuajtjeve për dy pikë dhe dy prej tri gjuajtjeve për një pikë. Nuk e qëlloi asnjë prej tri gjuajtjeve për tri pikë. E kishte vetëm një asistim, nuk kishte kërcime dhe po ashtu i humbi katër topa.
22-vjeçari është i vetëdijshëm se nuk ishte paraqitja që tifozët e Bashkimit e presin prej tij. Por ai është i vendosur për kthim të furishëm në ndeshjen e tretë finale.
Bashkimi e Trepça takohen të dielën në Prizren nga ora 19:00. Skuadra që shënon fitore do të bëjë hap të rëndësishëm drejt titullit të kampionit. Për të siguruar titullin duhen katër fitore.
“Isha i kënaqur me paraqitjet personale në plejof. E kam fjalën për ndeshjet ndaj Pejës dhe për ndeshjen e parë finale. Kam pasur vështirësi në ndeshjen e dytë, por e di çka duhet të bëjë që të jem i suksesshëm gjatë kësaj serie të plejofit”, ka thënë Wendell Green për KOHËN, të premten.
Ai është përgjegjës për organizimin e lojës së Bashkimit, që po e kërkon titullin e dytë të kampionit. Të parin e fitoi në vitin 2018.
Bashkimi në stinorin e rregullt ishte i pari, e Trepça e dyta. Për këtë prizrenasit do ta kenë përparësinë e terrenit në ndeshjen e shtatë eventuale.
“Fokusi ynë kryesor tani është të ruajmë përparësinë e terrenit vendas. Natyrisht, fokusohemi nga ndeshja në ndeshje”, ka thënë Green.
Në karrierën e shkurtër profesionale, Green ka luajtur për Novi Pazarin, klubin nga qyteti me të njëjtin emër në afërsi të kufirit me Kosovën. Ishte edhe në Republikën Dominikane dhe në Islandë. Te Bashkimi është nga fundi i dhjetorit.
Ai thotë se Novi Pazari e Prizreni nuk kanë asgjë të përbashkët sa i takon tifozëve dhe atmosferës për basketbollin. Në fakt në Prizren ka entuziazëm të madh për skuadrën e basketbollit. Tifozët pasionantë prizrenas presin që skuadra e tyre e zemrës ta fitojë titullin e kampionit.
“Përkrahja e tifozëve është jashtëzakonisht e rëndësishme. Sjell më shumë presion në ekipin udhëtues dhe krijon atmosferë ndryshe. Natyrisht se të gjithë ne po e ndiejmë çdo ditë energjinë që vjen nga entuziazmi i tifozëve. Është shumë e rëndësishme dhe e bën çdo gjë më të lehtë kur tifozët kanë kaq shumë dashuri për ne”, ka thënë Wendell Green.
Në ndeshjen e parë finale në Prizren, Bashkimi nuk e kishte përkrahjen e shikuesve. Ndeshja u zhvillua pa shikues në tribuna për shkak të një dënimi ndaj Bashkimit. Në Mitrovicë palestra ishte e stërmbushur e përkrahja për Trepçën e madhe. Njëjtë pritet të jetë të dielën mbrëma në Prizren, por përkrahja e madhe natyrisht do të jetë për Bashkimin.
Deri në fund mund të zhvillohen edhe plot pesë ndeshje, por Green është gati.
“Pavarësisht se ku përfundon seria, plani ynë është që të jemi kampionë në fund”, thotë ai.
Wendell Green ka folur edhe për dallimin që kanë dy skuadrat finaliste.
“Ndryshimi kryesor është ndoshta përvoja që ka Trepça në skuadër. Ne jemi ekip relativisht i ri. Lojtarët tanë kryesorë janë kryesisht të rinj. Por mund të përfitohet nga kjo në kuptimin e lojës më të shpejtë”, thotë njëri prej pesë amerikanëve të Bashkimit.