Basketboll

Vazhdon gara në Superligë, derbi i madh në Pejë

KB PEja

 

Ndeshja e Kosovës me Shqipërinë, e luajtur të dielën në Shkodër, e ka ndërprerë për pak kohë garën në Superligën e Kosovës në basketboll.

Gara vazhdon me xhiron e tetë, ndeshjet e së cilës zhvillohen të mërkurën dhe të enjten. Pritet rivalitet në të gjitha ndeshjet, por vëmendja do të jetë te derbi i madh mes GO+Pejës dhe Trepçës. Kjo ndeshje zhvillohet të enjten nga ora 20:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Shumë lojtarë të Pejës e Trepçës ishin te Kosova për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Dy prej tyre u dalluan – Dardan Berisha i Pejës dhe Drilon Hajrizi i Trepçës. Bëhet fjalë për lojtarë me përvojë që për kohë të gjatë e udhëheqin Kosovën.

Në fitoren 99:84 të Kosovës, Berisha u shqua me 35 pikë, gjashtë asistime e tri kërcime. Hajrizi po ashtu kishte ndeshje të mirë me 15 pikë e shtatë kërcime.

Dardan Kapiti e Mikaile Tmushiq ishin lojtarët e tjerë të Trepçës te Kosova. Peja u prezantua edhe me Musab Malën e Malcolm Armsteadin.

Gjithë këta të enjten mbrëma do të jenë rivalë sportivë në arenën në Pejë.

Peja është e dyta në tabelë me 13 pikë, përkatësisht me gjashtë fitore e një humbje. Trepça renditet e katërta me 10 pikë. Por kampionia në fuqi e ka një ndeshje më pak të luajtur. Bilanci i “xehetarëve” është katër fitore e dy humbje.

Të enjten nga ora 18:45 është ndeshja mes Bashkimit dhe Vëllaznimit. Ekipi prizrenas i ka fituar shtatë ndeshjet e deritashme dhe synon ta vazhdojë ecurinë pozitive. Bashkimi është i pari me 14 pikë. Vëllaznimi nuk ka nisur mirë kampanjën. Ka vetëm një fitore e gjashtë humbje. Mban vendin e parafundit.

Të mërkurën prej orës 18:45 janë ndeshjet Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli dhe Rahoveci 029 – Bora.

Te Prishtina e Ylli ka pasur zhvillime të brendshme, jo pozitive në xhirot e fundit.  Dhe të enjten të dy skuadrat synojnë të bëjnë hap drejt stabilizimit. Ndonëse Prishtina është vendase, ndeshja luhet në Suharekë.

Prishtina është e treta me bilanc prej katër fitore e tri humbje. Ylli ka vetëm një fitore e plot gjashtë humbje.