Erxhan Osmani nuk kishte moment më të mirë për të shkëlqyer në njërën prej ndeshjeve më të mira në karrierë. Qendra 27-vjeçare zgjodhi gjysmëfinalen e “Eurobasketit 2025” për të realizuar 28 pikë për Turqinë në fitoren 94:68 ndaj Greqisë, e për të vendosur rekord. Me fitoren e arritur të premten mbrëma, Turqia bëri vend në finale, ku do të përballet me Gjermaninë, kampione botërore. Finalja Turqia – Gjermania luhet të dielën nga ora 20:00.
Osmani me paraqitjen ndaj Greqisë hyri në histori të basketbollit të Turqisë. Me 28 pikë vendosi rekord si basketbollisti që ka shënuar më së shumti pikë te Turqia në “Eurobasket”, në një ndeshje të fazës nokaut.
Përveç kësaj, ai shënoi gjashtë herë nga vija për tri pikë, që është rekord në një gjysmëfinale të “Eurobasketit” në 30 vjetët e fundit.
“Jam shumë i lumtur që kontribuova shumë”, tha Osmani pas fitores. Përveç pikëve rekorde, Osmani i shtoi edhe gjashtë kërcime, dy asistime, dy topa të vjedhur dhe një bllokadë.
Paraqitja e basketbollistit shqiptar, Osmani, është vlerësuar edhe nga përzgjedhësi Ergin Ataman, edhe për shkak se e mbajti të heshtur yllin e ligës NBA, Giannis Antetokounmpo, i cili i realizoi vetëm 12 pikë.
Te Turqia luan edhe basketbollisti nga Prishtina, Kenan Sipahi. Ai luajti 13 minuta, ndërsa pati dy asistime e një kërcim ndaj Greqisë.
Ndeshje dukshëm më e vështirë e pret Turqinë të dielën mbrëma.
“Jemi gati për të luftuar për titull. Plani është të pushojmë dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen ndaj Gjermanisë”, deklaroi Ergin Ataman të shtunën për faqen zyrtare të FIBA-s.
Turqia e ka shansin ta shkruajë historinë dhe ta fitojë titullin e parë evropian, ndërsa Gjermania pas suksesit në Botëror, e synon edhe titullin kontinental.
Osmani, Sipahi, Shengun e të tjerët synojnë që ta kalojnë suksesin e gjeneratës që vlerësohet më e mira në histori të Turqisë.
Do të jetë vetëm paraqitja e dytë në finale të “Eurobasketit”. Për herë të parë luajti në vitin 2001, ndërsa medaljen e argjendtë e fitoi edhe në Botërorin e vitit 2010.
Ndërkohë, Gjermania e synon titullin e dytë kontinental, pas atij të fituar në vitin 1993. Të argjendtën e fitoi në vitin 2005, ndërsa të bronztën në vitin 2022. Gjermania edhe një medalje bronzi në Kupën e Botës në vitin 2002.
“Është përgjegjësi e madhe pasi e kemi fituar të artën në Botëror. Të bronztën e fituam në ‘Eurobasket’. Tani luajmë në finale dhe duhet ta shijojmë momentin. Të provojmë ta luajmë ndeshjen më të mirë dhe të shohim çfarë do të ndodhë”, theksoi Alan Ibrahimagiq, selektor i Gjermanisë.
Gjermanët janë favorit për të triumfuar. Gjermania dhe Turqia nuk dinë për humbje në këtë “Eurobasket”. I kanë fituar të gjitha tetë ndeshjet.
Medalje të shtunën mund të fitojë edhe Edon Maxhuni, që përfaqëson Finlandën. Finlanda luan me Greqinë në ndeshjen për vend të tretë. Ai ballafaqim nis në orën 16:00.